Është ndarë nga jeta Rezana Çeliku, një prej figurave të spikatura të artit dhe ekranit shqiptar, e cila u bë e njohur gjatë viteve ’70 dhe ’80 përmes kinematografisë dhe prezantimit në Televizionin Shqiptar. Njoftimin e ka bërë publik në mediat sociale mikesha e saj e ngushtë, Ejvis Broka.
Edhe pse nuk kishte formim profesional si aktore, Çeliku u përfshi në botën e filmit dhe spektaklit krejt rastësisht. Ajo u pikas nga regjisorët për pamjen simpatike, natyrshmërinë dhe elokuencën, pasi kishte prezantuar disa festivale rinore në TVSH.
Në kinematografi, ajo interpretoi në disa filma të njohur të kohës. Ndër rolet më të spikatura ishte ai i partizanes në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si dhe roli i mësueses në “Shokë të një skuadre”.
Në vitin 1989, ajo u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje, personazh që për kohën u konsiderua i guximshëm dhe ngjalli diskutime për shkak të lidhjes së saj me një djalë më të ri në moshë. Ky do të ishte edhe interpretimi i fundit i Rezana Çelikut në kinematografi.
Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës, Çeliku u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë ajo shërbeu në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2011 për “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, Rezana Çeliku kishte folur edhe për jetën e saj personale. Ajo tregoi se kishte qëndruar e pamartuar dhe se pengu më i madh i jetës së saj kishte qenë mungesa e një fëmije, të cilin e konsideronte thelbin e vërtetë të një familjeje.
Me ndarjen e saj nga jeta, arti dhe televizioni shqiptar humbin një tjetër figurë të veçantë të një brezi që la gjurmë në ekran dhe në kujtesën e publikut
Burimi/Facebook/REVISTA PSIKOLOGJIA


Leave a Reply