
M I R Ë N J O H J E…
( – NJE LETER MALLI PAS 37 VITESH – )
Po e nis hyrjen e kësaj letre me nota sentimentale, për shkak të rrethanave të mija specifike. Ja drejtoj këtë letër mirënjohje të gjithë atyre që më shoqëruan në fëmijërinë time, pikërisht në atë periudhë kur unë Iliri 6 – vjeçar i viteve ’72, në shkollën 8-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, isha i riskuar të fokusohesha në vëmendjen e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të të gjithë mësuesve dhe edukatoreve të asaj kohe, si i ndryshëm nga të tjerët, me të mirat dhe të këqijat që mbartja me vete.
Kjo, më bënte ligsht të provoja ndëshkimet që fati më pati sjellë në jetë, dhe që sot e kësaj dite e konsideroj atë fat me dy fjalë: – “një fëmijëri pa fëmijëri….”
Megjithatë, kjo i ka mbetur kohës, dhe brenda saj është një kujtim i hidhur; jo për ty Nina, as për Renatën dhe Arben Dhroson, por për mua Ilirin dhe shumë të tjerë si unë që provuam fatin e hidhur të jetonim pa familje, pa atë përkëdhelje dhe ngrohtësi prindërore aq të nevojëshme për moshën fëmijërore.
Thonë se fëmijën më shumë se gjithçka e rrit dashuria prindërore. Këtë, unë nuk e kam provuar… Por kam provuar ngrohtësinë dhe dashurinë e shokëve të klasës së parë fillore, të mësueses time… Po, po! Më kujtohet emri i saj; Florinda Mosi quhej. Ishte nëna jote, njëkohësisht edhe mësuesja jonë e përbashkët.
Është kjo një nga arsyet që e kujtoj me aq nostalgji atë periudhë që ndoshta ty Nina, nënën tënde apo Renatën, e befason fakti se pas 37 vjetësh, unë Iliri, ai djalë i imët dhe me sy të trembur e fytyrë të zbehtë, i rritur në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, munda sërish të bëhem i “gjallë”..! Papritmas, sërish trokita në “portat” e kujtesës tuaj… Por këtë herë me një mall e mirënjohje që mban një koeficent të pa llogaritur, të pa imagjinuar.
Veç kësaj, ka edhe një arsye tjetër që e mban ndezur këtë mall të fëmijërisë tek unë. Është mirënjohja dhe dashuria për mësuesen time të klasës së parë, për shokët e mi… Për herë të parë dhe të fundit, në katër vitet e shkollës fillore, duke qenë gjithmonë mes jush, më bëtë që të mos e kuptoja se isha i ndryshëm nga ju, i rritur ndryshe nga ju, pra i rritur jetim.
Vitet e mëvonshme e trazuan keqas botën time fëmijërore… Koha, situatat dhe rrethanat që po kaloja, më ndërgjegjësuan më shumë për të kuptuar edhe më mirë realitetin që jetoja. Dhe kjo më bënte të rritur përpara kohe.
Atë pakëz buzëqeshje që ju, shokët e klasës sime dhe mësuese Lorinda ma dhuruat aq bujarisht, ma rrëmbyen dhunshëm e në mënyrë të padrejtë “djajtë”, ata që në rrëfimet e hershme biblike thirren ANTINJERI…
Opinioni konservator i asaj kohe, i mbërthyer nga mentaliteti kolektiv stigmatizues dhe aspak civilizues, përbuzës dhe diskriminues, e goditi rëndë institucionin tim shpirtëror; e uli atë në gradën më të ulët inferiore…
Dhe kjo më ka munduar shumë, derisa u rrita dhe dola në jetë.
Më thuaj Nina, a ka krim më të rëndë që mund t’i bëhet një fëmije, aq më keq, një fëmije jetim, kur atij i merr edhe gjënë më të shtrenjtë e të pazëvendësueshme; buzëqeshjen e fëmijërisë, gëzimin, ëndërrat, dëshirat, pafajësinë e moshës..!?
Megjithatë, këto dhe të tjera si këto, nuk ndikuan shumë për ardhmen time. Sepse mbi të gjitha, është karakteri dhe personaliteti i njeriut që përcakton se cila do të jetë rruga drejt së ardhmes.
Ndoshta, ato ç’ka unë thashë më sipër, kishin ndikimet e veta negative, që në psikologji apo në pedagogjinë moderne quhen (frustazione), zhgënjime dhe shuplaka. Por, kanë edhe anët e tyre të mira, sepse kurrë nuk thonë kot që njeriu duhet që edhe të vuaj… Po! Të vuaj, por jo deri në ekstrem, sepse Latinët e Vjetër thonë: – “Kur durimi tek njeriu i kalon kufijtë edhe caqet që ai ka, atëhere nuk quhet më durim, por egërsi…”.
Por, unë lus Zotin me të gjitha forcat e shpirtit tim që më ka shpëtuar nga ky rrezik i shëmtuar; nga egërsia. Vështirësitë e jetës më bënë më të fortë, më të ekuilibruar; njëkohësisht edhe më të vendosur për të përballuar me forcat e mia situata tepër të vështira, për të zgjidhur probleme të ndërlikuara e pikante.
Ndërkohë, vuajtjet dhe sakrificat, më kanë dhuruar edhe një virtyt të çmuar; zemërgjerësinë dhe humanizmin, ndjenjën e dhembshurisë për të kuptuar edhe më mirë njeriun që është në nevojë, për ta ndihmuar dhe për t’iu gjendur atij sa më pranë që të jetë e mundur.
Të gjitha këto e kanë burimin në një forcë të brendshme shpirtërore. Ajo egziston brenda vetes time. E kanë tharmin si të thuash, në ato kujtime të fëmijërisë time të hershme, pikërisht në ato vite të klasës së parë kur mësuesja ime e dashur më dhuronte miqësinë e pastër e të sinqertë që dinë ta dhurojnë vetëm nënat me zemër të mëdha.
Kjo më bënë të kujtoj me shumë mall shoqen time të bankës Renata Zenelin, të tjerë shokë e shoqe si ty Nina Mosi, Rita Papa, Arben Dhroso, Alqi Varresi, Vojsava Miho, Sofika Papajani, Adrian Dusha,Ilir Beqiri, Sabo Alinani, Besnike Vrrako, e shumë të tjerë për të cilët më vjen keq që nuk u’a kujtoj emrat në këtë çast.
Mos u çudisni Miq të dashur që në këto çaste po përmend kaq shumë emra; nuk është Aplei i një klase, por është zëri i vetmuar i atij që nuk ka patur pjesëtarë të tjerë në familje…
Të mbaj mend shumë mirë ty Nina, me atë përparësen e zezë dhe jakën e bardhë të qëndisur për merak, me fytyrën gazmore e plot shkëlqim. Shpesh herë, ngatërrohej në portretin tënd buzëqeshja që të kishte falur natyra, me “seriozitetin” e imponuar nga fakti se ishe vajza e mësueses sonë kujdestare, dhe se kërkesa e llogarisë fillonte nga ty.
Më shkruan në letër se nuk të ndodhet asnjë fotografi të atyre viteve dhe bën “fajtore” për këtë nënën tënde dhe mësuesen tonë. Mirëpo, për episodin në fjalë ndoshta ke të drejtë, ndërsa për të tjerat, unë nuk jam në një mendje me ty.
Mësuesja ime e klasës së parë që është nëna jote, me atë trupin e imët e të brishtë, mbante brenda vetes një botë të madhe ndjenjash të ndryshme. Ishte së pari nënë, pastaj mësuese. Kishte hyrë në botën e gjithësecilit prej nesh, ndaj fliste me ne duke u bërë si ne, ç’ka do të thotë se ajo kurrë nuk ka qenë e qetë dhe asnjëherë indiferente, sepse qetësinë i’a merrnim ne me “çapkënllëqet” tona. Prandaj edhe ndonjëherë na ndëshkonte, pa të përjashtuar edhe ty!
Unë mendoj se, nuk do të ishte e mirë dhe e drejtë, nëse nuk do të shqetësohej për ne, e thënë ndryshe, nëse nuk do të “vinte ujin në zjarr” për gabimet tona. Në këtë rast, pasojat do të ishin edhe më të mëdha. Ndërsa në rastin konkret, unë gëzohem dhe më bëhet zemra “mal” kur dëgjoj për ty se si ke ecur në jetë, për Renatën, Arbenin, Vojsavën, Ritën, apo dikë tjetër… Pa dyshim, meritë jo të vogël për këtë ka edhe mësuesja jonë e klasës së pare Lorinda.
Nuk gabohem kur them se për emrat që sipërpërmenda, kisha një bindje gati të verbër se si do të ishte e ardhmja e tyre. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Sepse intuita ime fëmijërore e atyre viteve, e kishte paracaktuar një të ardhme të tillë për secilin nga ju.
Ndërsa kjo kujtesë e imja, apo “zgjim” nëse mund të quhet kështu, nuk ka të bëjë aspak me një gjëndje shpirtërore të çastit, por me një mall e mirënjohje të kultivuar brenda qënies time, plot dashuri e mirësi. Ato kanë shtrirë rrënjë të thella tek unë që në atë kohë.
Janë kujtime që kishin zënë vend brenda skutave të shpirtit tim të trishtuar e të vetmuar për kaq e kaq vite, si në novelat e Cvajgut… Ato kurrë nuk u zbehën në kujtesën time. As nga rrjedhat jetës me shumë dallgë e pamundësira në përpjekje spartanësh e plot zik zake, me të përpjeta e tatëpjeta; as nga pesha e viteve plot shpresa e zhgënjime. Përkundrazi…
Në përfytyrimin tim, këto kujtime ridimensionoheshin, fitonin vlera të papërsëritshme; më frymëzonin në çastet më të vështira të trishtimit dhe të vetmisë, e gjithmonë më mbushnin ato boshllëqe që jeta më servirte në mënyrë të pamëshirshme.
Ato janë kujtime që janë bërë pjesë e jetës time edhe sot e kësaj dite, që kam krijuar një familje të ngrohtë dhe të shëndetshme. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, Ilvin dhe Londisën, të cilët gëzojnë një jetë krejt ndryshe nga ajo e fëmijërisë sime. Kam një bashkëshorte që e dua si jetën, sepse të njëjtën dashuri marrë prej saj.
Në këtë realitet, unë jetoj midis dy dashurive. Mes kujtimeve për shokët dhe shoqet e shkollës fillore; mësueses time që më dhuroi dashurinë dhe ngrohtësinë prej nëne dhe familjes time. Të dyja këto i marrin dhe japin gjithmonë njëra – tjetrës. Janë vlera të çmuara që vazhdimisht e kanë konturuar dhe e ushqejnë në mënyrë të shëndetshme të gjithë personalitetin tim, e në radhë të parë, më plotësojnë si NJERI…
Ndoshta, prandaj Nina e ngrita zërin pas kaq shumë vitesh, për të më dëgjuar të gjithë ata që nuk e dinë se ç’është mirënjohja… Për të më dëgjuar ti, Renata, Arbeni, e bashkë me ju edhe ish-mësuesja jonë e klasës së parë Lorinda, për të cilën lumturohem pa masë që gëzon një shëndet të mirë në pleqërinë e saj.
U gëzova shumë kur mora vesh se ke krijuar familjen tënde dhe jeton e punon e lumtur me bashkëshortin dhe djalin tënd “çapkën” Xhulian, aty, në Venezia të Italisë.
Kur të vish në Tiranë, dëshiroj dhe shpresoj të takohemi.
Unë po të dërgoj edhe disa fotografi që të krijosh një ide më të qartë pas 37 vitesh që nuk jemi parë; të dallosh ndryshimet që unë kam bërë. Doemos, janë ndryshime që me kalimin e kaq shume viteve i ke bërë edhe ti. Të paktën ç’farë unë pashë nga fotografia që më dërgove në letrën tënde.
Shumë gjëra të thashë… Shumë të tjera janë për t’u thënë, por jo të gjitha mund të shkruhen në një letër. Jeta është e ngarkuar me shumë ngjarje e rrjedha e saj është intensive. LUM kush e jeton atë duke i dhënë KUPTIMIN e vërtetë që ka.
Me Mall,
Iliri
Ilir Çumani
Marre nga Facebook.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply