E shkolluara znj. Çaushi,
Videoja e publikuar prej jush më 15 gusht 2026, ku, me makinën e pushtetit, shkoni te një familje që ka humbur kryefamiljarin, për të treguar se si u dhuroni fëmijëve pa baba dhurata për pëlqime në Instagram, është një turp i ri që arrini t’ia shtoni pushtetit të kalbur 36-vjeçar të Edi Ramës dhe hajdutëve të tjerë.
Në respekt të ndjekësve të faqes sime dhe më gjerë, nuk kam reaguar as për votën tuaj për të mbrojtur zëvendëskryeministren, e cila zgjedh të sjellë fëmijë në jetë ndërkohë që akuzohet për nëntë vepra penale, dhe as për qëndrimin tuaj antishqiptar e antidemokratik, duke sharë dhe ofenduar qindra mijëra qytetarë shqiptarë në protestë. Kjo, sepse të gjithë e kuptojnë se ju nuk keni as pushtet, as ndërgjegje mbi aktet tuaja politike.
Ama, kjo video e sotme m’u duk vërtet zgjedhja juaj, sepse, përtej mbrojtjes së korrupsionit dhe mbajtjes së Shqipërisë kokulur, në funksion të ruajtjes së pushtetit, kolegët tuaj nuk shkojnë deri aty sa të përdorin fëmijë pa baba për të marrë disa pëlqime në Instagram.
Arrogancë, injorancë apo të dyja bashkë?
E çfarë rëndësie ka, znj. Çaushi? Në fund, ajo mbetet videoja e një deputeteje të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e cila, ndërsa voton verbërisht çdo vendim të qeverisë më të korruptuar në Europë, përpiqet të përmirësojë figurën e saj duke u dhuruar dy lodra dy fëmijëve pa baba.
Një video e një deputeteje të Kuvendit të Republikës së popullit më të kequshqyerit në Europë, e cila, ndërsa blen një apartament 240 mijë euro në Tiranë, ka iluzionin se mund të flasë për gratë shqiptare që gjenden përballë sfidës epokale të rritjes së fëmijëve të tyre si nëna të vetme.
Një video e një deputeteje të një Kuvendi ku dikur uleshin Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Iliaz Bej Vrioni, Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Fan Noli, Hasan Prishtina, Sulejman Delvina, Ali Këlcyra, Mustafa Kruja dhe Ahmet Zogu.
E kuptoni, znj. Çaushi, se, përtej avazit të llumit politik që ushqen debatin shterpë të ditës, ju arritët me sukses t’ia shtonit turpin politikës shqiptare me atë video? Duke lexuar emrat e mësipërm, unë vetë kuptoj se ai turp është edhe imi, edhe i çdo shqiptari që, pas 100 vjetësh parlamentarizëm, ju ka juve si deputete të popullit shqiptar.
E shkolluara deputete, ju ishit pjesë e Akademisë Verore të Socialistëve dhe jam i bindur se në asnjërin prej leksioneve nuk jepet sugjerimi apo ideja për të realizuar video të tilla.
E shkolluara deputete, ju që nuk arrini dot të artikuloni numrin e punonjësve përfitues nga rritja e pagës minimale, nuk mund të bëheni avokate e grave shqiptare, të cilat kanë të ardhura 5–10% më të ulëta se burrat në Shqipëri.
E shkolluara deputete, ulësja në Kuvend nuk është për t’u bërë klouni i radhës i rrjeteve sociale, që ndiqet dëshpërimisht nga një pjesë e popullsisë, e cila përpiqet të lehtësojë dhimbjet personale duke u bërë pjesë e një komuniteti online fyerjesh dhe ofendimesh.
Unë që po ju shkruaj jam një prej qindra mijëra qytetarëve në protestë kundër pushtetit që ju zgjodhi për të diskredituar imazhin e Kuvendit të Republikës. Unë jam edhe një prej dhjetëra atyre që garuan më 11 maj kundër sistemit që ju zgjodhi dhe kam parë me sytë e mi se si, gjatë rinumërimit të Qarkut të Fierit nga administrata e KQZ, ju humbët mandatin, ndërsa kolegu juaj, z. Klosi, rezultoi me 800 vota personale të tjetërsuara.
Neveria dhe pështjellimi që më shkaktoi fakti se dëshmova personalisht tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve vazhdojnë të rriten nga ajo ditë e deri më sot. Por sot ndihem më mirë. E dini pse? Sepse nuk jam vetëm.
Çdo akt që ju, njerëzit e pandershëm të politikës, kryeni çdo ditë, kthehet natyrshëm në revoltë qytetare. Mos i bëni qejfin vetes. Fundi nuk ka brirë. Fundi i tranzicionit është ky: revoltë dhe përbuzje qytetare sa herë që poshtërohet shteti.
Toleranca ka shkuar në zero dhe sensibiliteti është maksimal. Mos harro: në Shqipërinë post-demokrato-komuniste, soji juaj nuk ka vend në drejtimin e shtetit.

Burimi/Facebook


Leave a Reply