Sot, më 31 korrik 2026, u kremtua Mesha e Shenjtë në ish-burgun e Spaçit, të cilën e udhëhoqi Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni (Troshani).
Falënderojmë Zotin! Kemi përjetuar emocione të forta gjatë gjithë kremtimit, duke kujtuar vuajtjen, dhembjet, torturat dhe vrasjen e të dënuarve me burg e me punë të detyruar në Spaç. Njëri prej të mbijetuarve të atij ferri është kardinali ynë, i cili sot u kthye për t’i dhënë lavdi Zotit dhe për të përcjellë mesazhin e Tij të dashurisë e paqes; për të shpërndarë Fjalën e Tij; për të dëshmuar forcën e Tij, që i lartëson të përvujtët dhe i shpërblen ata që heqin keq për Të deri në fund; për t’u lutur për të gjithë të pranishmit në meshë, sikurse edhe për mbarë botën, në veçanti për të mbijetuarit e ish-burgut të Spaçit dhe për shpirtrat e atyre që kanë vdekur atje. Eminenca e Tij është jo vetëm dëshmi qëndrese e martirizimi, po edhe mëshire e faljeje hyjnore, duke ofruar për gjithkënd paqen e Zotit, shpresën e Zotit, dashurinë e Zotit.
E falënderojmë dom Ernestin me mirënjohje të thellë që ka sfiduar të gjitha vështirësitë e pamundësitë dhe ka ardhur për të na dhënë momente shëlbimi shpirtëror!
Falënderojmë shumë edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që janë angazhuar dhe kanë punuar për ta bërë të mundur ardhjen e kardinalit në ish-burgun e Spaçit!
Falënderojmë shumë të gjithë meshtarët e pranishëm, të ardhur edhe prej dioqezave të tjera e shteteve të tjera!
E sigurisht, falënderojmë përzemërsisht të gjithë njerëzit që na u bashkuan në lutje, të shumtë, në nder e lavd të Krishtit! Sikurse edhe për respektin, vlerësimin dhe dashamirësinë e madhe e të vazhdueshme ndaj kardinalit tonë, dom Ernestit!
Të vazhdojmë të lutemi, sipas shembullit të kardinalit tonë, duke thënë si ai:
“O Zot, mos lejo që urrejtja të zeje vend në zemrat tona!
Na jep forcën me falë, edhe kur plagët janë të thella.
Na mëso me qëndrue në të vërtetën, pa frikë,
me i dashtë edhe ata që na përndjekin
dhe ban që t’mos e humbim kurrë shpresën,
sepse drita jote asht ma e fortë se çdo errësinë.”
Qoftë lëvdue Krishti!



Burimi/Facebook/Dioqeza Rrëshen


Leave a Reply