Rubrika: Njerëz që të bëjnë të lumtur.
SHPIRTIN QË KËNDON
Para 25 viteve pata shkuar në Viareggio, qytet i përmendur në Itali për karnavalet e famshme. Ky kujtim i largët në kohë, u përsërit këtë verë, fundi i korrikut 2026, pasi kaluam pak ditë pushime në këtë qytet. Ishim një skuadër e mirë dhe pushimet kaluan sa hap e mbyll sytë.
Në çdo qytet ku shkojmë, synojmë të takojmë protagonistët e lëvizjes shoqërore e kulturore në aktivitetet e shumta të komunitetit tonë. Këto veprimtari të shpeshta na bëjnë të gjendemi mes të njohurve, por edhe të njohim persona të rinj të përfshirë secili sipas kredos së tij në këto veprimtari. Kështu, para shtatë vitesh ishim të ftuar e pastaj të pranishëm në një aktivitet. E ku tjetër, se! Në Lecco, sepse atje familja mike Qokaj janë ideatorë e organizatorë historikë aktivitetesh artistike.
Mes artistëve në skenë, dallojmë një vajzë shqiptare me veshje kombëtare të zonës sonë. Shumë prej këngëtarëve dhe valltarëve i njihnim.
– E paska emrin si unë, – më tha Marjana, pasi e prezantuan dhe e ftuan të këndonte. Me zërin e saj të bukur e interpretimin me shumë mjeshtri, na tërhoqi vëmendjen. Dinamika e lëvizjeve nuk na favorizoi të takoheshim si të njohur, por mbetëm ajo interpretuese e përkushtuar e këngës dhe ne spektatorët adhurues.
Edhe pse nuk u takuam, ne e konsideronim të njohur. E njëjta gjë konsiderohej edhe nga ana e saj. Ndaj në aktivitetet e tjera më pas, takoheshim si të njohur dhe me shumë dashamirësi.
Po kush ishte kjo vajzë?
Mariana Daçi ka lindur në Burrel. Atje ka nisur që në moshën shkollore jetën artistike. Gjithnjë ajo përmend emrin e origjinës, Baz. Babai i saj, Pal Daçi ka qenë mekanik i mbaruar e me shumë personalitet. Për t’u theksuar se autoritetin, dinjitetin dhe personalitetin i kishte marrë si rezultat i zotësive profesionale dhe ishte garanci në profesionin e tij. Autoritet e kishin gjithnjë si pikë referimi dhe si pikë force për të realizuar gjithçka lidhej me profesionin e tij. Për këto merita, sot ai ka marrë titullin “Qytetar nderi” në Burrel. Për këtë, bija e tij artiste flet me një krenari të veçantë dhe me dedikim atëror.
Duke folur me Marjanën, tha me habi:
– Kaq shumë rrugë paska për të bërë Mariana, për të ardhur në aktivitetet tona!?
Janë vërtet të shumta rrugëtimet për të marrë pjesë në aktivitetet kulturore thuajse në gjithë Veriun e Italisë dhe në shtete të tjera fqinje. Ajo është e mirëpritur kudo për vlerat e cilësitë si këngëtare shumë e dashur për publikun. Në repertorin e saj interpreton këngë nga të gjitha trevat shqiptare nga jugu në veri; nga lindja në perëndim. Marjana Daçi dallohet edhe për sportivitetin, duke krijuar situata humori me aventurat e rrugëtimeve të shumta, të gjata e të mundimshme.
Menduam t’i shkruajmë që kishin mbërritur në Viareggio, në qytetin ku ajo jeton prej dekadash. Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe na ftoi për darkë në një strukturë turistike ku ajo punon. Duke qenë se ne e kishim të pamundur të shkonim, na ftoi të kalonim mëngjesin së bashku dhe kështu bëmë.
Kaluam pak momente së bashku; ne si miq e ajo mikpritëse. E vlerësuam shumë gjestin e bukur, pasi ishte piku i sezonit turistik e angazhimet janë të llogaritura me sekonda. Biseduam e qeshëm, sepse humori i hollë është pjesë e jetës së saj në këtë jetë dinamike e, shpesh, e trazuar. Vërtet nuk kënduam, por pamë fisnikërinë e saj, njohëm dhe më shumë shpirtin që këndon.
Burimi/Facebook


Leave a Reply