Dy nxënës me origjinë shqiptare kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u shpallur nënkampionë bote në Finalet Botërore të Olimpiadës Ndërkombëtare STEM, të zhvilluara në Romë.
Bëhet fjalë për Alper Gurler, 10-vjeçar me nënë shqiptare nga Turqia, dhe Junus Aziri nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, të cilët u ngjitën në podium mes mijëra nxënësve nga e gjithë bota.
Alper Gurler është konsideruar prej vitesh një talent i rrallë në matematikë. Ai është fitues i dhjetëra medaljeve në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa këtë vit u shpall Nënkampion Bote në Matematikë për grupmoshën e tij. Më herët ai ka fituar edhe medaljen e argjendtë në Singapor dhe ka triumfuar në një garë ndërkombëtare me rreth 79 mijë pjesëmarrës, duke qenë i vetmi nxënës që zgjidhi saktë të gjitha pyetjet.
Sukses të madh arriti edhe Junus Aziri, nxënës i Shkollës Fillore “Said Najdeni” në Dibër, i cili u shpall Nënkampion Bote në matematikë për klasat e pesta. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve ai tërhoqi vëmendjen duke shpalosur një qilim tradicional me motive dibrane, duke promovuar kulturën shqiptare para pjesëmarrësve nga e gjithë bota.
Sipas familjes së Alperit, ai përfaqëson Turqinë në garat ndërkombëtare, por mban gjithmonë me krenari edhe identitetin shqiptar, duke valëvitur në çdo aktivitet edhe flamurin kuqezi.
Arritja e Alper Gurler dhe Junus Azirit është një tjetër dëshmi e talentit dhe potencialit të të rinjve me origjinë shqiptare, të cilët vazhdojnë të shkëlqejnë në kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare.
Burimi/Facebook/Revista Ora


Leave a Reply