KY ÂSHT DIMNI YNË E MIRA
Dhija e egër la alpet
dhe u ul në luginë për dy kafshata bár
e gjet krizantemat në borë.
Ky âsht dimni ynë, e Mira.
Flaka në kaminin e vjetër skuq fletët
e bardha të kartës së panjollë:
të gjitha sendet, të bardha, shkojnë
e vijnë tue u sjellë në nji karosel
të bardhë dhe blerimi i trupit tand
mban pezull deshirat e linduna
në avullin e florës mes xhamave.
Ky âsht dimën i gjatë, e Mira.
Gjuetari tremb dhinë e egër
dhe krizantemat mbulohen me velin
e borës së re, e Mira,
si gacat e mbrame të votrës
me hijen e duerve t’ûnshme për ngrohje.
KUJTIMI I VJESHTËS
Livadhet e Shkodrës i plaku vjeshta.
Malsorët po ulen prej bjeshke:
qeni ec përpara, mbas tij shkon tuba
e malsorja me qêth në krah.
Nji vashë ndër zungtha buzë liqenit
tha: “Ujë, m’a nep pasqyrën tande
të këqyrem si plepi në breg
e hijen e trupit tem po të fali!”
Liqeni âsht i dashunuem në lëkurën
e zeshkët të magjypeve të bukura.
Prej degësh ikin mollat me gjeth,
trembë prej malsores që vjen
tue zanun qiellin me qêth.
HIJA E LISIT
Dielli i rá për skíthi lisit të madh
e i zbuloi nën hije eshtnat e njérit
si cokla, si drû.
Hija e tij â e qetë si tis
mëndafshi të zi në faltore.
Gjingallat mbi dega gjimojnë
njíheri në vapë sikur vajtore
me ftyra t’gërvishtuna n’gjamë.
Kur dielli don me shkue
hija e lisit rritet e kapet për mal
— gjarpën nepër rremb:
hija e lisit â e zezë,
hija e lisit na tremb.
TREGIMI I ARBNIT
Më thà nji arbën vllaznisht, pa më njohtë:
“Gurt, eshtnat e dheut, kudò i kam kapë
Ndër duer e m’lanë përshtypje të ftohtë
Si prekja e gjarpnit kulaç në vapë,
Por guri i caranit n’votër tim èt
Qe prore i nxetë.
Rrasat, si akull në brijat e malit
M’u duken tue i vrejtë dikur kundruell
E fëtyra e tyne si trajta e kalit
T’egër tue u shkarravendë npër truell,
Por rrasa nën kambë në votër tim èt
Qe prore e nxetë.”
ANDRRA E KORBIT
Mbas shiut korbi i lagun mbrrini
ndër shkambije të veta.
Mbas shiut rá dielli
dhe zogun e madh e nxente para shpelle
në rrasë.
Tue qitun avull korbi, andrroi ai veten
mbi maje në qiell pa rê
e poshtë ndër pyje nji kingj t’vetmuem
si ‘i herë në rininë e parë.
Dhe ‘i herë porsi dikúr
do njerëz me kapa hekuri n’lugajë
të rrzuem për dhé zogu i zí andrroi
e kthetrat shtrëngoi mbi gúr.
VALLE RRUGOVE
Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltërsija e sferave të nalta
le të bijë mbi né si shí.
Kamba e tupani çajnë tokën e me duer
vrikllojmë na shpatat e me duer sutat
në mal i kapim në pikë të vrapit.
Mos e ulni zânin, kangtarë, pse më bjen
ndër gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshë m’a ndán krahnorin.
KISHTE ARDHË PËR MIK
Kishte ardhë për mik nji njeri i hajshëm
e i zbetë si letra.
Thoshin se ai me dorë të vet kishte vrá
tre vetë e tash âsht pendue.
E më kujtohet si djè
qeleshja e tij e bardhë,
nji sumbull e kuqe në kraholin e zí
e sjellja e përvujtë e ndeja e tij në shkam
pranë votre para nji tryeze të vogël:
nji të katërt bukë misri e ‘i grusht krypë
kishte përpara – simbas dëshirës së tij.
“Gjinoj e mbaj çdo ditë – tha ai –
pse fajet e mija janë tri thika
sa tri maje malesh kërcnuese
kah qiella e Zotit!”
Kojet e bukës krisshin nën dhambët e njeriut
që përtypte trishtueshëm, njerzishëm
e me shije.
ERDHE N’MËNGJES KAH UN NPËR UJË
Erdhe n’mëngjes kah un npër ujë,
pllumb në rrezet e diellit i lamë
e ndieva mushtin tue vlue ndër drûj
e gjít e dheut tu’u fry nën kambë.
Avitu, vashë, se do të gjejmë fat
me ‘i zemër të fortë sa koha!
Afrou, e ndër shëplaka
më nep n’kto fusha dritë e ajr.
Burimi/Facebook


Leave a Reply