Me Enrik Mehmetin kam ndarë pjesë të jetës sime në dy kohë të ndryshme. Dy takime, dy periudha, por i njëjti njeri përballë meje.
Herën e parë isha vetëm 19 vjeçe. Ti kishe ardhur në kompaninë ku punoja për t’u marrë me PR-in. Ishim kolegë, por në një darkë Krishtlindjesh, mes zhurmës, dritave dhe njerëzve, ti gjete kohë të uleshe pranë meje dhe të flisje gjatë për jetën time.
Më dëgjove pa më ndërprerë. Më këshillove. Më dhe mendimin tënd për atë që unë duhej të bëja.
Sot nuk mund të them se ndoqa çdo këshillë tënden.
Vite më vonë, jeta na vendosi sërish përballë njëri-tjetrit. Përsëri në një darkë Krishtlindjesh. Këtë herë unë isha futur në botën e gazetarisë. Ti më pe, buzëqeshe dhe më the me humorin tënd:
“Dea, ja ku jemi pesë vite më vonë dhe 10 kilogramë më pak.”
Dhe ishe po ai Enrik. I njëjti në humor, në mënyrën si flisje, në këshillat që jepje dhe në kujdesin që tregoje.
Nga të gjitha bisedat tona, një fjali më vjen vazhdimisht në mendje:
“Motra, unë jam rritur jetim vetë , por ti dhe motra jote do ta keni gjithmonë mbështetjen time.”
Ndoshta sepse e njihje mungesën, dije të kuptoje më mirë dhimbjen e të tjerëve.
Sot, kjo fjali më dhemb më shumë se kurrë.
Dje në ditën tënde të fundit, rreth orës 10 të mëngjesit, telefoni im u shtyp pa dashje te numri yt. Më more menjëherë mbrapsht.
— Mirë je, motra?
— Mirë, Eri, me ulje-ngritje. Si jeni ju? Fëmijët? Megi?
— Mirë. Kemi atë drekën që s’e hëngrëm për ditëlindjen time.
— Po, po, motra, do shkojmë.
Nuk e dija se ajo do të ishte biseda jonë e fundit.
Nuk e dija se ajo drekë do të mbetej përgjithmonë në kohën e ardhme, në atë “do shkojmë” që nuk u bë kurrë e tashme.
Kam një respekt të pafund për jetën tënde, Enrik. U ngrite ,luftove, punove, krijove familjen tënde dhe ecje përpara .Ia dole, por jeta nuk të dha kohën ta shijoje deri në fund atë që ndërtove.
Më dhemb jeta jote e pajetuar deri në fund. Më dhemb dreka që mbeti pa u ngrënë. Më dhemb ajo telefonatë që sot e dëgjoj në mendje si të ishte ende ora 10 .
U prehsh në paqe, Enrik Mehmeti. Do të të kujtoj gjithmonë me mirënjohje, me respekt dhe me atë fjalën e ngrohtë
Burimi/Facebook


Leave a Reply