Zona e Gurrës njihet për njerëz të punës, burra të kuvendeve, besës dhe kanunit.
Siç shprehen banorët: “Gurra të magjeps me bukuritë e saj, të cilat nuk duken nga larg, por duhet të afrohesh, të hysh nëpër lagje, të shohësh bahçet, kopshtet, livadhet, të pish ujë në burimet e ftohta e të pushosh nën hijet e pemëve.”
Krahas këtyre, një nga arsyet pse duhet vizituar kjo zonë, është kompleksi turistik “Gurra Resort” e jetësuar nga Asllan Muharremi, në lagjen “Pepaj” të Gurrës së Madhe.
Ky kompleks, i ndërtuar në një lëndinë-ballkon, ku kundrohet gjithë lugina e Matit, është një nga ndërtimet ku mishërohet më së miri arkitektura e ndërtimeve të zonës, me kërkesat hoteliere të kohës.
Ai e nisi kontributin e tij si një rikthim në trojet e rrënjëve familjare. Duke rikonstruktuar kullën e vjetër të stërgjyshërve, mbi dyqinvjeçare, e cila ka shërbyer për katër vite si objekt qendror i administratës zonale.
Por dashuria për të kthyer gjallëri dhe jetë aktive në zonën e Gurrës, e nxiti të investojë në këtë resort, që sot është jo vetëm krenari për zonën e Gurrës, por për krejt trevën e Matit.
Asllan Muharremi në ndërtimet e resortit i ka qëndruar besnik arkitekturës popullore të kullave të Matit, por me hapësira të bollshme e plot dritë të dhomave të hotelit, restorantit dhe barit të konceptuara jo vetëm për vizitorë, por edhe për festa e gëzime familjare.
Ai është kujdesur që të gjithë mjedisin ta dekorojë me objekte e tekstile të traditës popullore, ku gërshetohen më së miri gdhendjet e gurit dhe punimet e drurit.
Përveç këtyre vlerave ndërtimore-akomoduese, janë monumentet historike, kulturore e natyrore, që e rrethojnë këtë resort.
Në shpinë i qëndron Mali i Gurrës me gjelbërimin e tij shekullor, në shpatet e të cilit ndodhen rrënojat e një objekti mesjetar, të njohur si “Kisha e Shullminit” apo “Manastiri i Pjetër Ballazhit”, emër i një njeriu të shquar të kohës me veprimtari shoqërore dhe fetare.
Në oborrin e këtij resorti ndodhet kulla ku u hap shkolla e parë shqipe në zonën e Gurrës.
Pak metra më poshtë ndodhet burimi ujor “Gurra e Madhe” që i dha emër zonës përreth.
Po aty ndodhet ngrehina e xhamisë, ku zhvilluan aktivitetin fetar klerikë të shquar të zonës.
Në të gjithë zonën gjenden kullat e shumta dy-tre dhe katërkatëshe, ku ruhen gjurmë të gdhendura në rrjedhat historike.
Ajo që na nxiti ta bëjmë këtë Kronikë në Gurrë, është përkushtimi i Asllan Muharremit dhe familjes së tij, në ruajtje të traditave më të mira arkitekturore dhe etnografike, për të krijuar kushte sa më të mira për vizitorët dhe punësim për banorët përreth.
I gjithë ky bashkëpunim do t’i mbushë sallat e restorantit dhe barit të dekoruara me shije e art popullor, në mjedise që do të mirëpresin, turistë, gëzime dhe festa familjare.
Burimi/Facebook


Leave a Reply