Lo Cascio Jonilda
Polifonia shqiptare është një nga shprehjet më të bukura të shpirtit kombëtar. E trashëguar brez pas brezi dhe e njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit, ajo nuk është thjesht muzikë por është kujtesë, identitet, histori dhe filozofi jete.
E lindur dhe e kultivuar në trevat e Jugut të Shqipërisë, nga Labëria e Gjirokastra deri në Himarë, Çamëri, Përmet, Lunxhëri, Zagori, Tepelenë, Korçë, Pogradec (kryesisht në zonën e Mokrës ) e Kolonjë, polifonia ka marrë forma dhe ngjyra të ndryshme. Më e njohura dhe më përfaqësuesja mbetet polifonia labe, e cila dallohet për forcën epike, thellësinë filozofike dhe emocionin e saj të veçantë. Krahas saj, tradita toske sjell një tingull më lirik, më meditues dhe më të butë. Të ndryshme në shprehje, por të bashkuara në shpirt, të dyja dëshmojnë pasurinë e jashtëzakonshme të kulturës shqiptare.
Bukuria e polifonisë qëndron edhe te vetë ndërtimi i saj. Marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja krijojnë një dialog të rrallë zërash, ku askush nuk qëndron mbi tjetrin dhe secili bëhet i plotë vetëm në bashkim me të tjerët. Kur mësuesja ime e muzikës Almenda Sulollari ma shpjegoi këtë harmoni të mrekullueshme, kuptova se polifonia nuk është vetëm art muzikor, ajo është edhe një mësim për jetën. Na mëson se bukuria lind nga bashkëjetesa, respekti dhe dëgjimi i njëri-tjetrit.
Ndër perlat më të vyera të kësaj trashëgimie është kënga “Mbeçë more shokë, mbeçë”:
Mbeçë more shokë, mbeçë,
përtej urës së Qabesë…
Në pak vargje, kjo këngë përmbledh një urtësi të madhe. Ajo na kujton se jeta është e përkohshme, se njeriu është udhëtar në këtë botë, por se nderi, miqësia, dashuria dhe kujtimi i mirë nuk vdesin kurrë. Është një këngë që nuk flet për fundin me frikë, por me qetësi, dinjitet dhe mençuri.
Për mua, polifonia është edhe një pjesë e historisë sime personale. Ajo më kthen në mëngjeset e fëmijërisë, kur babai im i ndjerë i dëgjonte këto këngë në radio para se të nisej për në punë. Më kujton fundjavat kur nëna pastronte shtëpinë dhe gatuante, ndërsa zërat e polifonisë mbushnin çdo cep të saj me ngrohtësi. Kështu, këto këngë u bënë pjesë e kujtimeve më të bukura të jetës sime.
Dhe ndoshta ky është sekreti i pavdekësisë së tyre. Polifonia nuk jeton vetëm në skena, festivale apo arkiva. Ajo jeton në shtëpitë tona, në kujtimet tona dhe në brezat që vijnë pas nesh. Edhe nipi im me baba grek dhe teze mua 😉, Rafaelio, i dëgjon me kënaqësi këto këngë, duke më kujtuar se muzika e vërtetë nuk njeh as kufij e as kombësi, ajo flet drejtpërdrejt me zemrën.
Polifonia shqiptare është më shumë se një mënyrë të kënduari. Ajo është një mënyrë për të kujtuar kush jemi, nga vijmë dhe çfarë duam t’u lëmë trashëgim atyre që do të vijnë pas nesh. Sepse, ashtu si na mëson “Mbeçë more shokë, mbeçë”, njeriu është kalimtar, por zëri i kujtesës, i dashurisë dhe i traditës mbetet përjetë.
JD 17.07.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply