Nga Paulin Maçaj, Shkodër – 18 Korrik 2026
Kjo nuk asht thjesht një revoltë personale asht klithma e një prindi dhe detyrimi i një qytetari qi refuzon me pa vendin e vet tue u shkretue. Nuk ka poshtërsi ma të madhe sesa me pa djemtë e vajzat tona me fakultete e diploma ari tue marrë rrugët e botës ndërsa analfabetët e partisë e patronazhistët e pafytyrë na grabisin pronat shtëpitë e vorret e të parëve për me ndërtue kullat e tyne. Kush ka shpirt në kraharor nuk mundet me heshtë ma para këtij tmerri. Ky deklarim asht thirrja për me thye mallkimin e nënshtrimit e për me mbrojtë dinjitetin tonë të nëpërkambun! Të nderuem bashkëkombas përfaqësues të medias dhe opinion publik ky za buron prej shpirtit të çdo prindi e qytetari të thjeshtë qi nuk mundet ma me mbajtë mrena një zamërim të thellë. Nuk ka dhimbje ma të madhe se me pa fëmijët e shkolluem me sakrifica qi detyrohen me marrë rrugët e botës për dy qindarka ndërsa zyrat e shtetit mbushen me servilë. Kjo banda politike po na dëbon dritën e syve vetëm për me pastrue miliardat në kulla e resorte luksoze mbi trojet tona të grabituna. Po na shkulin rrënjët krejtësisht. Pasi zbrazën shtëpitë sot po na prekin aty ku dhemb ma shumë po na tjetërsojnë pronat autoktone e vorret e të parëve tanë. Nganjiherë dukemi si një shoqëri e nemun për me ndenjë e nënshtrueme. Kemi durue pushtuesit e huaj dje e po pranojmë harbutërinë e qeveritarëve tanë sot. Pikërisht sepse kemi mbetë kryeulur rritet edhe tallja e tyne e pacipë nëpër ekrane. Por kjo frymë dorëzimi duhet medoemos me u thye urgjentisht! Kur popullit atje në Nigeri iu prek dinjiteti u ngrit i tani si një trup i vetëm kundër shtypjes e dhunës dhe tregoi se kur sovraniteti bashkohet nuk ka ushtri e as polici qi e mban popullin nën zgjedhë. Edhe ne duhet me ndryshue rrënjësisht mentalitetin e frikës. Asnji ditë e asnjiherë ne nuk jemi të dënuem me nënshtrim shekullor sepse tallja e tyne ushqehet vetëm prej heshtjes sonë. Katër fotot e shpërndame nuk janë thjesht imazhe janë pasqyra e një rrënimi të dhimbshëm qi e kemi jetue mbi shpinë. Në vitin 1999 kishim një shtëpi plot jetë zhurmë fëmijësh gëzim e shpresë. Në vitin 2015 pamë vetminë e pleqve të mbetun fillikat qi mbyllën sytë me vështrimin nga dera tue pritë fëmijët qi s’erdhën kurrë. E sot në vitin 2026 shohim vatrat e fikura shtëpitë e kthyeme në gërmadha e oborret e mbulueme prej ferrave e harresës. Këta na vjedhin ditën për diell e na thonë me pafytyrësi në televizor se shqiptarët janë të pasur. Pensionistët nuk kanë para për ilaçet e jetës ndërsa kupola politike kalon amnistira për me legalizue thasët e drogës tue rrëzue euron e tue falimentue djersën e emigrantëve tanë. Kur dalim për të drejtat tona na quajnë “sorra” e “flamingo” si luanë tastiere prej zyrave të tyne luksoze por haku i qytetarëve ka me i marrë zvarrë. Drejtësia e kauzës sonë asht e padiskutueshme dhe sot ajo konfirmohet prej zanit të mbi 300,000 qytetarëve në sheshe qi kërkojnë të drejtën e tyne legjitime. Ka ardhur koha qi ky irritim të kthehet në një Besëlidhje të pathyeshme përpara historisë dhe kombit tonë duke kthyer protestën në institucion kombëtar qi ajo të jetë e përditshme masive dhe e pandalshme deri në gjunjëzimin e plotë të këtij sistemi të kalbun. Duhet bashkimi pa dallim dhe solidariteti sepse ligjet e shenjta të Zotit thonë se nuk mundesh me qenë ti mirë kur fqinji e vëllai yt lëngon ndaj duhet me refuzue individualizmin e me u bë një bllok i vetëm pa ndasi krahinore partiake apo fetare. Kjo kërkon përmbysjen e frikës dhe vetëorganizimin në çdo lagje e fshat prej veriut në jug prej Rrjollit e deri në Zvërnec tue organizue komitetet e mbrojtjes së pronës tue u thënë jo patronazhistëve e kërcënimeve për vendet e punës e tue dalë në një protestë masive antidepresive qi largon dëshpërimin. Ky asht edhe kushtrimi i rinisë qi duhet me i dhanë fjalën dijes e guximit me refuzue skllavërinë në resortet e tyne e me marrë në dorë fatet e historisë për me ndërtue të ardhmen këtu. Forca e vërtetë nuk janë dronët e as satelitët e propagandës së tyne. I pari asht populli dhe forca e numrave jeni ju! O qeveritarë vendosni gishtin kokës para se me qenë vonë sepse ky popull nuk shitet nuk blihet nuk frikësohet e nuk dorëzohet ma. Nëse nesër fëmijët tanë kanë me na pyetë se çfarë bëmë kur atdheu po zbrazej e po shitej përgjigjja jonë krenare dhe betimi ynë kombëtar ka me qenë kjo trashëgimi ne nuk heshtëm u bashkuam edhe pasi na zvarritën e shkulëm gardhin e telave me gjemba dhe e ndryshuam Shqipërinë! Rroftë rinia guximtare dhe e ndershme! Rroftë Shqipëria e lirë dhe me dinjitet! Me dinjitet të patundur me qëndresë çeliku e pa asnji hap pas!
Paulin Maçaj
Burimi/Facebook


Leave a Reply