Ne, si qytetarë të thjeshtë, nuk kemi nevojë për tituj universitarë në ekonomi për të bërë llogarinë tonë të përditshme: sa i japim shtetit nëpërmjet taksave dhe kontributeve, dhe çfarë marrim në këmbim. Pas 35 vjetësh rrugëtim demokratik, kjo llogari duhet të na kthehet në shërbime shëndetësore dinjitoze, në shkolla që përgatisin brezat e rinj, në rrugë e infrastrukturë që funksionojnë, në siguri sociale për pleqërinë tonë. Kur këto llogari nuk dalin, kur ne japim gjithnjë e më shumë ndërsa marrim gjithnjë e më pak, atëherë pyetja jonë si popull bëhet e ligjshme dhe e domosdoshme: çfarë të mirash kemi gëzuar vërtet në këto tri e gjysmë dekada demokracie? Kjo nuk është thjesht një pyetje ekonomike, është pyetja themelore që çdo qytetar ka të drejtë ta bëjë ndaj atyre që administrojnë pasuritë dhe taksat e tij.
Ekonomia shqiptare, në fakt, nuk mund të vlerësohet vetëm përmes treguesve të rritjes ekonomike apo statistikave të izoluara. Matësi i vërtetë i zhvillimit është përmirësimi i jetës së qytetarëve: rritja e të ardhurave për frymë, fuqia blerëse, siguria sociale, cilësia e shërbimeve publike dhe mundësia që brezat e rinj të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend. Një ekonomi mund të regjistrojë rritje në disa sektorë, por nëse kjo rritje nuk përkthehet në mirëqenie më të madhe për shumicën e popullsisë, atëherë lind pyetja themelore: kujt i shërben kjo rritje? Rritja e taksave, kostoja në rritje e jetesës dhe ulja e fuqisë blerëse krijojnë një kontradiktë që nuk mund të anashkalohet: një ekonomi nuk mund të konsiderohet e shëndetshme kur qytetarët ndjejnë rënie të standardit të jetesës dhe kur një pjesë e madhe e të rinjve e shohin emigrimin si alternativën e vetme.
Shqipëria po përballet me probleme të thella strukturore, ku mungesa e transparencës, dobësia e konkurrencës së lirë dhe mangësitë në kontrollin institucional kanë krijuar një klimë ku përfitimet ekonomike shpesh nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë. Ky realitet ka ndikuar në rritjen e pabarazive dhe thellimin e varfërisë ekstreme, veçanërisht në zonat e thella rurale, ku një pjesë e popullsisë jeton në kushte të skajshme jetese, larg shërbimeve bazë dhe mundësive ekonomike. Kjo situatë ka çuar në humbjen e besimit të qytetarëve tek institucionet.
Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, por potenciali i saj nuk shfrytëzohet plotësisht. Rreth 90% e produkteve bujqësore shiten si lëndë e parë me vlerë të ulët dhe shpesh rikthehen në treg si produkte të përpunuara me çmime më të larta, pasi mungon një politikë kombëtare për prodhim, përpunim dhe zinxhirë vendas të vlerës. Fshati shqiptar përballet me mungesë të mekanizimit modern, sistemeve të ujitjes dhe investimeve të qëndrueshme, ndërsa fermerët e vegjël nuk kanë kapacitet financiar për t’u përballur me ndryshimet klimatike dhe konkurrencën e importeve. Edhe përqendrimi i tregtisë ushqimore në pak operatorë të mëdhenj bën që fermeri të shesë me çmime minimale ndërsa konsumatori paguan shtrenjtë, duke dobësuar sovranitetin ushqimor dhe rritur varësinë nga jashtë.
Një sfidë tjetër e madhe është humbja e vazhdueshme e kapitalit njerëzor. Arsimi përballet me probleme në cilësi, infrastrukturë dhe përshtatje me tregun e punës, çka krijon një hendek midis përgatitjes së të rinjve dhe kërkesave të një ekonomie moderne. Emigracioni masiv e ka thelluar këtë problem: në vitin 2025, popullsia zyrtare u tkurr me rreth 27.628 persona (-1,2%), ndërsa 44% e shqiptarëve shprehen se duan të emigrojnë, një nga nivelet më të larta në rajon. Grupmosha 15–29 vjeç është tkurrur me rreth 45% ndërmjet viteve 2011 dhe 2025, migracioni neto në 2025 rezultoi negativ me rreth -28.836 persona, dhe mbi 62% e emigrantëve janë nën moshën 35 vjeç. Ky nuk është thjesht një problem demografik, por ekonomik: vendi humbet pikërisht forcën më aktive të punës dhe potencialin për inovacion.
Baza prodhuese e vendit është dobësuar nga mungesa e një politike industriale afatgjatë me një ekonomi të orientuar më tepër drejt konsumit, importit dhe ndërtimit me mungesa të investimeve në teknologji dhe kërkim të cilat e kanë lënë Shqipërinë të varur nga importet për produkte strategjike. Paralelisht, ekonomia informale dhe aktivitetet e paligjshme, përfshirë përfshirjen e grupeve kriminale në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kanë krijuar një realitet ekonomik të dyfishtë. Paratë jashtë ekonomisë së ligjshme deformojnë konkurrencën dhe, kur hyjnë në tregun e pasurive të paluajtshme, ndikojnë në rritjen artificiale të çmimeve, duke e vështirësuar konkurrencën për bizneset që veprojnë me rregulla.
Administrimi i pasurive publike dhe burimeve natyrore, si infrastruktura, minierat dhe energjia, mbetet i ndjeshëm ndaj shqetësimeve për transparencën dhe përfitimin real të qytetarëve. Këto pasuri duhet të jenë burim zhvillimi kombëtar për shtetin, komunitetet lokale dhe brezat e ardhshëm, jo vetëm përfitim afatshkurtër. Edhe sistemi fiskal e doganor po vuan nga evazioni dhe informaliteti, çka kufizon të ardhurat publike dhe mundësinë e shtetit për të financuar arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.
Problemet me kontrollin financiar nuk janë të reja: kriza e firmave piramidale të viteve 1996–1997 mbetet shembulli më i rëndë i pasojave kur mungon mbikëqyrja institucionale, me mijëra familje që humbën kursimet. Edhe kohët e fundit janë raportuar raste shqetësuese, si ai i hetuar në Tiranë me disa punonjës bankarë duke trufuar llogaritë e klientëve, me dëm mbi 200 mijë euro. Këto raste tregojnë rëndësinë e vazhdueshme të kontrolleve të brendshme për ruajtjen e besimit tek sistemi financiar.
Pra mungesa e kontrolleve dhe investimeve edhe në shëndetësi si një nga sektorët ku pasojat 87ndihen më drejtpërdrejt. Në 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë ishin rreth 2,9% e PBB-së, ose rreth 76,6 miliardë lekë, një ndër nivelet më të ulëta në rajon. Për shkak të kësaj, rreth 48% e shpenzimeve shëndetësore mbulohen nga xhepi i qytetarëve, duke rënduar veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta. Mungesa e mjekëve të specializuar, largimi i profesionistëve dhe pajisjet e vjetruara diagnostikuese mbeten sfida që kërkojnë strategji afatgjatë.
Fuqia blerëse e qytetarëve dobësohet ndërkohë që çmimet e energjisë, ushqimeve, qirave dhe transportit vazhdojnë të rriten. Inflacioni ka arritur në nivelin 3,2%, pasi një pjesë e madhe e konsumit mbështetet tek importet, rritja e çmimeve ndërkombëtare dhe reflektohet menjëherë tek qytetarët. Problemi kryesor nuk është vetëm niveli i inflacionit, por hendeku midis çmimeve dhe të ardhurave, hendek që qytetarët kanë të drejtë ta vënë në pikëpyetje përmes zërit të tyre.
Borxhi publik ka zbritur në rreth 48,79% të PBB-së në tremujorin e parë të 2026, me një vlerë rreth 14,1 miliardë euro. Kjo shifër përfaqëson totalin që shteti u detyrohet kreditorëve, si pasojë e huamarrjeve të grumbulluara ndër vite, përfshirë instrumente si Eurobondi prej 650 milionë eurosh. Rënia e raportit borxh/PBB nuk duhet parë e shkëputur nga faktorë të tjerë: qytetarët mund të mos ndjejnë përmirësim nëse të ardhurat reale dhe shërbimet publike nuk ndryshojnë, ndërsa një pjesë e buxhetit vazhdon të shkojë çdo vit për shlyerjen e principalit dhe interesave, në vend të investimeve në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.
Integrimi europian mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë, por anëtarësimi në BE kërkon institucione funksionale, sundim të ligjit dhe një ekonomi që u shërben qytetarëve, jo vetëm një proces administrativ. Vendi ka nevojë për një ndryshim modeli: nga një ekonomi e mbështetur mbi konsum dhe importe, drejt një ekonomie që prodhon, përpunon dhe eksporton. Kjo kërkon reformë të thellë në bujqësi, investime serioze në arsim e kërkim shkencor, rritje të financimit për shëndetësinë, luftë reale kundër evazionit fiskal, transparencë të plotë në koncesione e kontrata publike, si dhe politika konkrete për frenimin e emigracionit.
Problemi kryesor i ekonomisë shqiptare nuk lidhet me mungesën e pasurive natyrore apo të potencialit njerëzor. Shqipëria ka burime të konsiderueshme, një diasporë të fuqishme dhe një pozicion strategjik në rajon. Sfida është mënyra si këto pasuri menaxhohen dhe shpërndahen. Kur qytetarët nuk shohin rritje të të ardhurave reale, kur të rinjtë largohen masivisht dhe kur prodhimi vendas dobësohet, lind një krizë besimi më e thellë se një krizë thjesht ekonomike. Demokracia nuk kufizohet vetëm tek procesi zgjedhor; ajo matet edhe me aftësinë e shoqërisë për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet që administrojnë pasuritë dhe taksat e saj. Ky shkrim nuk synon të mohojë arritjet e viteve të tranzicionit, por të evidentojë problemet strukturore që kërkojnë zgjidhje serioze. Vetëm përmes institucioneve të forta, transparencës, prodhimit vendas dhe investimit tek njerëzit mund të ndërtohet një ekonomi më e drejtë dhe një e ardhme më e sigurt për Shqipërinë.
Burimet e referuara: INSTAT, Banka e Shqipërisë, Eurostat, FAO, UNICEF, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), UNODC, Raportet e institucioneve europiane, Monitor.al, Reporter.al.
Burimi/Facebook


Leave a Reply