Në moshën që kam tundimi i të shkruarit, ndonëse diç më i pahitur se më parë, nuk ikën, është brendësuar dhe kthyer në qenie. Një mundim i ëmbël a një farë vesi. Këta 55 vjet që merrem me kritikë qysh nga viti 1969, kur botova për herë të parë në gazetën më të madhe të kohës, ndjeva se kjo do të ishte zeja ime e jetës. Dhe vërtet ndodhi ashtu duke u ngatërruar mes germash, një kapicë shkrimesh të ndryshme, me ujë e pa ujë, të lehtë por jo dhe të lehtë. Kam vrapuar pas procesit artistik dhe koka më është mbushur me mijëra imazhe, të shumtat nga shfaqjet teatrore, filmat, por dhe nga artet vizuale, leximet e letërsisë shqipe e më gjerë, botimet teorike estetike. A jam lodhur? Eh… ka mbetur për dreq pak frymë ende dhe ca neurone zevzeke që duan të ushqehen me kësi gjërash… Dhe ja, erdhi dhe ky i fundmi libër, i 36-ti, i vëllimshëm ca, «barkmadh», me urinë për të gëlltitur sa më shumë dhe merakun për ta regjistruar gjënë e bukur që artistët kanë krijuar me germa e subjekte, me aktrim a imazhe filmike, me ngjyra a lëvizje, me vegime regjisoriale e koreografi.
Të shkruarit është si uria, sa fashitet pakëz ajo rishtazi të zë dhe ti nis e rinis nga e para. Si në fillim të fillimit, nuk nginjesh. Sepse çdo shkrim, në vetvete, nuk është fund por një fillim. Kaq herë mendja më shkon te koncepti i njohur i Frojdit mbi krijuesin, se krijimi, në këtë rast të shkruarit, është një shkarkesë, një çlirim nga graviteti psikoestetik që sikur të trand përbrenda, të shtyp, të çon peshë, të entuziazmon, të turbullon, të mahnit. Është një katarsis, por “ndryshe”. Nuk jam me idenë se të shkruarit është një traumë a diçka e përafërt. Të shkruarit, ca më tepër kur kjo ka të bëj me përsiatjen, nuk është një shkarkesë erotike me tjetër emër a tjetër konotacion (posaçërisht kur bëjmë fjalë për letërsinë). Ajo lidhet me kënaqësinë. Por nuk është kënaqësi lëngjesh, lëkure, mishi, seksi, paçka se të konvertuara e të përfytyruara, por diç e thellë, shumë më e thellë.
Ngjet po njësoj, pra, edhe në fushën e shkrimeve kritike; natyrisht duke ruajtur specifikën. Sepse tashmë është mendja ajo që lodhet më shumë, zemra më pak. Ka pak hapësirë për fantazi dhe shumë më shumë për meditim, përthellim. Nuk “shpik” si në letërsi, arte, por komenton mbi “shpikjen”, e kupton atë. E megjithatë kënaqësia është aty, vjen si një zbulim dhe rizbulim. As ekstaza nuk ikën. Pikërisht kjo qasje më është dukur e vërtetë. Tek shkruaj më ngjan se vetë ky proces, përveçse një përpëlitje munduese, është dhe një lektisje që shoqërohet me gjendje intelektuale ngazëllyese, pra nga një kënaqësi e dyfishtë: sa letrare aq dhe teorike, formë krijuese sa dhe parashtruese.
Ky libër është thuajse i njëjti format si sivëllai i tij botuar para tre vjetësh “Fjala, loja, imazhi – vramendje për letërsinë dhe artet”. Janë një tubë artikujsh të përzgjedhur për teatrin, kinematografinë, letërsinë dhe artet vizuale, vepra të realizuara vitet e fundit. Krahas qasjes kritike dhe një strukture të lehtë sërenditëse, herë-herë kam përfshirë aty edhe qasje teorike për të hedhur dritë në shpjegimin e një fenomeni arti të caktuar, më së shumti kur bëhet fjalë për përditësimin e disa vështrimeve estetike dhe proceseve të fundme që duket se kanë përsipër velin e një stili, gjuhe dhe semantike të re.
Për të bërë të njohur e shuar kureshtjen te miqtë e mi të artit dhe letrave, tok me vështrimet me natyrë abstraguese për artin dhe letërsinë shqipe si identitete të vetvetshme, rikodifikimet e tyre në vepra konkrete, lakmia për të sjellë një qiellnajë sa më të hapur ku shumëçkaja plikset me diçkanë, te ky libër ka një larushi emrash, meritash estetike dhe qasjesh, filluar me TEATRIN, gjendjen e dramës shqipe me disa nga autorët eminentë të saj si Stefan Çapaliku, Haqif Mulliqi, Fadil Hysaj, Jeton Neziraj, Refet Abazi, Ruzhdi Pulaha; qasjet regjisoriale të Altin Bashës, Fadil Hysës, Hervin Culit, Driada Dervishit, Blerta Nezirajt, Spiro Dunit, Qëndrim Rijanit, Arben Kumbaro, Milto Kutali, Kiço Londo etj. Një listë aktorësh të merituar në role të shumta i japin këtij libri aromën e atyre spikamave që e kanë bërë publikun të ndjejv fuqinë e lojës. Në KINEMATOGRAFI, krahas disa filmave të fundit, kanë zënë vend disa portrete regjisorësh që e ndërtuan filmin shqiptar si: Vladimir Prifti, Kristaq Dhamo, Rikard Ljarja, Dhimitër Anagnosti, Albert Minga, Vlash Droboniku si dhe PORTRETE AKTORËSH: Xhepa, Kabashi, Flloko, Arbana, Petrovci, Qorraj, Xhuvani, Bulku, Alikaj, Aliaj. Media elektronike si magji, hipnozë, art, informacion, letërsia dhe filmi dhe qëndrimi prej mercenarësh që duan ta mbyllin nëpër depo traditën e filmit artistikë shqiptarë etj., janë disa probleme që shqetësojnë gjithsesi opinionin. Në LETËRSI, krahas vramendjes për fatin e letërsisë, ikjes së shtergut të vetmuar Ismail Kadaresë, ky libër sjell disa portrete shkrimtarësh dhe veprash si Jorgo Bllaci (një vezullim drite në poezinë shqipe), Qamil Buxheli – më e bukura mendje e humorit, Pëllumb Kulla (“kullë” e lartë e humorit shqiptar), prozën e Flutura Açkës, Thanas Dinos, Stefan Çapalikut, Thanas Medit, Mira Meksit, Moikom Zeqos, Fate Velajt, Besnik Mustafait, Fatos Kongolit, Sefedin Celës, Ylli Pangos, Odise Kotes, Dritan Sulçebe, Sazan Golikut, Leka Bungos, poezitë e Niko Kacalidhës, Agim Matos, Zhuliana Jorganxhiut, Jorgo Papingjit, Lefter dhe Aleksandër Cipës, Piro Lolit, Klara Kodrës, librat kritikë dhe eseistikë të Sadik Bejkos dhe Ymer Cirakut. Në ARTET PAMORE libri sjell pikturën e Sali Shijakut, Ibrahim Kodrës, Gazmend Lekës, Helidon Halitit, Shyqyri Nimanit, Violeta Kongos, piktorët ulqinas, ata kosovarë, duke rendur mes tuneleve dhe qiallnajave të imazhit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply