Nga Ndue Lazri
Udhëtimi drejt Madridit vazhdon nëpër një autostradë të qetë, pa shumë trafik. Madje për kilometra të tëra na duket sikur jemi vetëm. Megjithatë është një autostradë impenjative, sepse gjarpëron midis kodrash të buta, me një tokë të kuqe, që të kujton atë kur kalon nga Elbasani drejt Përrenjasit. Bimësia është gati e njëtrajtshme, me një lloj lisi të çuditshëm, që herë-herë ua lë vendin plantacioneve me ullinj. Pastaj mijëra hektarë të mbjellë me bar e me tërshërë, mes të cilave shohim tufa të tëra me lopë të kuqe, të bardha e të zeza dhe me demat karakteristikë spanjollë.
Kalojmë nëpër qytete më të vogla, që na kujtojnë emra të ndeshur nëpër leximet e librave të ndryshëm nga jeta e kultura spanjolle, si Guadalahara, Guadalupe e të tjera. Dhe ja tek arrijmë në kryeqytetin e Spanjës. Në mes të gadishullit Iberik, larg detit por pranë çdo emocioni njerëzor, shtrihet Madridi, i cili na bën për vete që në kontaktin me shtëpitë, rrugët e pallatet e para. Një qytet që nuk ka asgjë të përbashkët me monumentalitetin e ftohtë të kryeqyteteve të tjera europiane nga kemi shetitur, por të pushton ngadalë, me mirësjelljen e njerëzve, me ngjyrat e ngrohta të ndërtesave, me bukurinë e pastërtinë e rrugëve, me dritën e mbrëmjeve të gjata dhe ritmin e jetës që nuk ndalet kurrë.
Për fat të mirë hoteli na ka qëlluar vetëm 4-5 minuta larg nga qendra dhe preferojmë të lëvizim në këmbë, duke e lënë makinën në parkim. Gjërat më tërheqëse të qytetit i gjen në qendrën historike të qytetit apo përreth saj. Edhe kur na duhet të spostohemi për tek ndonjë momunenat apo objekt turistik më i largët, përdorim taksinë, pasi këtu nuk kushtojnë shumë dhe janë më komode se të lëvizësh me makinë private, pasi eviton stresin e kërkimit të parkimeve e të tjera.
Historia e Madridit nis si një vendbanim i vogël arab në shekullin IX. Emri i tij mendohet të vijë nga fjala arabe “Mayrit”, që lidhej me ujërat dhe burimet e zonës. Por Madridi mori rëndësi të vërtetë në vitin 1561, kur mbreti Filipi i Dytë e shpalli kryeqytet të Spanjës. Që nga ajo kohë, qyteti u bë zemra politike dhe kulturore e vendit. Dinastitë mbretërore ndërtuan pallate madhështore, sheshe monumentale dhe bulevarde elegante. Në rrugët e Madridit janë përzier triumfet perandorake, dramat e luftërave civile dhe shpërthimi artistik që e bëri Spanjën një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Europës. Dhe në fakt ne e nisim shetitjen tonë turistike nga Pallati mbretëror, që është një nga më të mëdhenjtë në Europë. Fasadat e tij elegante prej guri të bardhë dhe sheshet përreth krijojnë një atmosferë sa solemne aq edhe romantike. Sheshi midis dy ndërtesave kryesore të pallatit, i mbushur në çdo orë të ditës me turistë, i ngjan një tarrace gjigande, prej nga shihet pjesa moderne dhe periferike e qytetit.
Lëvizim në këmbë drejt qendrës dhe ndalemi në Plaza Mayor (Sheshin e Madh). Është një shesh ku Madridi rrëfen shpirtin e tij. Ai është zemra tradicionale e Madridit. Një shesh i madh katror, i rrethuar nga ndërtesa me ngjyrë të kuqe dhe ballkone elegante. Në të katër anët e tij janë lolale të bukura, ku thuajse nuk gjen tavolina bosh. Orëve të mëngjesit turistët shijojnë kafenë e prodhimet e nevojshme për mëngjes. Ndërsa mbrëmjeve vërshojnë lumenj birre, të shoqëruara nga pjatat karakteristike të kuzhinës spanjolle.
Spostohemi pak më tej e ndodhemi në sheshin “Puerta del Sol” (Porta e Diellit), për të cilin të thonë se është pika ku takohet e gjithë Spanja. Nga të tëra anët rrugët çojnë në këtë shesh, ku makinat janë të ndaluara, madje edhe taksitë. Ai është një nga sheshet më të famshme të Spanjës. Aty ndodhet “Kilometri Zero”, pika nga ku maten të gjitha rrugët kryesore të vendit. Këtu vëren një lumë njerëzish: muzikantë, turistë, të rinj, pensionistë, shitës ambulantë dhe artistë rruge. Atmosfera e gëzueshme të ndjek në çdo hap. Ajo që na tërheq vëmendjen është pastërtia e rrugëve, bukuria e njerëzve, sidomos e vajzave dhe e djemve të rinj, mirësjellja e tyre. Moza thotë se në asnjë qytet nuk kam parë një rini kaq të bukur. Këtë mirësjellje e gjen edhe në shërbimin që të ofrohet nëpër dyqane, bare, restorante. Ndalemi për një drekë tek restoranti “El Principe” (Princi), dritaret e të cilit bien mbi një shesh të bukur të qendrës së qytetit. Aty eleganca e lokalit shkon në harmoni me sjelljen e personelit në dispozicion dhe pjatancat e verën e shijshme spanjolle.
Në mbrëmje dalim në njërën nga rrugët kryesore. Nëse Madridi ka një puls modern, ai rreh në Gran Vía. Kjo rrugë e famshme është e mbushur me teatro, kinema, dyqane, hotele dhe ndërtesa elegante që ndriçojnë natën me mijëra drita. Shpesh quhet “Broadway i Spanjës”. Kur ecën në Gran Vía në mbrëmje, ndien energjinë e qytetit, njerëz që dalin nga teatrot, çifte që ecin dorë për dore, muzikë që vjen nga lokalet dhe taksi që kalojnë pa pushim. Jemi ndalur në një nga lokalet për t’u freskuar me birrë, pasi temperaturat janë shumë të larta. E aty na zë mesnata. Edhe në këtë orë, Madridi nuk të jep ndjesinë e një kryeqyteti të lodhur. Përkundrazi, duket sikur sapo zgjohet. Moza thotë: Nuk e ndërroj Italinë me asnjë vend tjetër në botë, por nëse do të më duhej një alternativë tjetër për të jetuar, pa asnjë hezitim do të zgjidhja Madridin.
Të nesërmen zgjedhim për të shetitur në parqet e kryeqytetit. Zgjedhim Parkun Retiro, sepse ai konsiderohet si mushkëria e gjelbër e qytetit. Mes ritmit të gjallë të Madridit, ky park ofron një qetësi poetike. Rrugët e shumta me pemë e lule, liqeni në mes, monumentet e shumtë, sipërfaqja prej 125 hektarësh, e bëjnë atë parkun më të famshëm të kryeqytetit spanjoll. Dikur ai ka qenë një hapësirë private për familjen mbretërore spanjolle, ndërsa sot është një vend i preferuar për banorët dhe turistët që duan të shëtisin, të bëjnë sport apo të relaksohen në natyrë. Një nga atraksionet më të njohura të parkut është liqeni i madh, ku vizitorët mund të marrin me qira varka, pranë monumentit madhështor të Mbretit Alfonso XII. Po ashtu, shumë i famshëm është edhe Pallati i Kristaltë, një ndërtesë elegante prej xhami e ndërtuar në shekullin XIX, e përdorur sot për ekspozita arti. Në park gjenden edhe kopshte me trëndafila, shatërvane artistike dhe statuja historike, përfshirë statujën e njohur të “Engjëllit të Rënë”. El Retiro është një simbol kulturor dhe historik i Madridit. Në vitin 2021 ai u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s së bashku me Paseo del Prado, falë rëndësisë së tij kulturore dhe natyrore. Në këtë park organizon aktivitete të shumta kulturore si Panairi i Librit të Madridit, koncerte dhe ekspozita në ajër të hapur.
Ndërsa shëtisim përmes këtij parku, edhe pse është ende herët, vërejmë familje që ecin me fëmijët, të rinj që luajnë muzikë, njerëz që lexojnë nën hijen e pemëve dhe varkat që lëvizin ngadalë mbi liqenin artificial. Më tërheq vëmendjen një artist rruge, i moshuar, që luan në saks. I afrohem dhe ai më pyet se nga vijmë. I them që kemi ardhur nga Italia. E ai luan me kënaqësi për ne meloditë “Love story” dhe “Bella Ciao”. Në mbrëmje, drita e diellit që bie mbi Pallatin e Kristaltë e kthen parkun në një pikturë.
Por me pikturën do të jetojmë ditën e nesërme, kur do të vizitojmë muzeun e famshëm Al Prado.


Burimi/Facebook/Revista Fjala


Leave a Reply