Si sot më 21 maj 1973, mbushen 53 vjet nga Revolta a e parë antikomuniste në kamp-burgun e Spaçit. Kjo revoltë nuk ishte thjesht një protestë e izoluar burgu; ishte një kryengritje e pastër politike antikomuniste, e vetmja e këtij lloji në krejt bllokun komunist të Lindjes që guxoi të ngrihej me armë në dorë (edhe pse ato armë ishin vetëm gurë e hekurishte minierash) dhe të ngrinte flamurin kombëtar pa yllin komunist.
Një nga momentet më sublime të historisë sonë të qëndresës: i burgosuri Mersin Vlashi, i ndihmuar nga të tjerët, u ngjit në tarracën e godinës së kampit dhe ngriti Flamurin Kombëtar të qepur me mjete rrethanore, nga i cili ishte hequr ylli i verdhë komunist.
Për tri ditë me radhë, nën qiellin e Spaçit ushtuan thirrjet: “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë Enver Hoxha!” dhe “Populli është me ne!”. Kampi u shpall “Zonë e Lirë”.
Regjimi u tmerrua nga përmasat politike të revoltës. Kampi u rrethua nga qindra forca të armatosura të Ministrisë së Brendshme (SAMP), ushtria dhe Sigurimi i Shtetit, nën drejtimin e zv.ministrit Feçor Shehu.
Pas dështimit të negociatave dhe prerjes së ujit e dritave, forcat e regjimit ndërhynë me dhunë të egër, duke përdorur armë zjarri dhe duke thyer qëndresën e të burgosurve të uritur e të dërrmuar.
Hakmarrja e diktaturës ishte e shpejtë, egërsisht e pamëshirshme dhe demonstrative. Pas një gjyqi të shpejtë e formal brenda mureve të kampit:
Më 24 maj, katër nga udhëheqësit kryesorë të revoltës u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan menjëherë:
Pal Zefi (shkëndija e revoltës)
Skënder Daja
Dervish Bejko
Hajro Pashaj
Të ridënuarit: Mbi 60 të burgosur u ridënuan me shtojsa të rënda burgimi (shumë prej tyre me nga 25 vjet shtesë), duke u groposur për së gjalli nëpër qelitë e diktaturës.
22 MAJ 1984
11 vjet më vonë, me 22 maj 1984, në kamp-burgun e Qafë-Barit, të burgosur politikë u ngritën në një revoltë tjetër, e cila u shtyp me ndërhyrjen e forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shefi i togës policore të burgut, Edmond Caja.
Për orë të tëra, të burgosurit kontrolluan kampin, duke u përleshur me gurë e tulla kundër rojeve të armatosura.
Edhe këtu, thirrjet ishin haptazi politike e antikomuniste: “Poshtë diktatura!”, “Liri-Demokraci!” dhe “Fitore ose vdekje!”. Ishte një thyerje totale e frikës.
Edhe kjo Revoltë pati të ekzekutuarit e saj dhe të ridënuarit.
Gjyqi i shpejtë dhe hakmarrja e regjimit u mbyll me dy pushkatime dhe ridënime të rënda:
Të pushkatuarit:
Sokol Sokoli
Tom Ndoja
Në torturat e togës së komanduar nga Edmond Caja (sot shtetas gjerman), vdiq
Sandër Sokoli.
Mbi 20 të burgosur morën dënime të reja monstruoze, duke u shtuar nga 10 deri në 25 vjet burg mbi ato që kishin.
Pushtetet politike që qeverisën Shqipërinë postkomuniste nuk ndërmorën kurrë asnjë hap për zbardhjen dhe nxjerrjen e përgjegjësisë dhe përgjegjësve ndaj këtyre krimeve. Përkundrazi, qeveria e sotme, brezin e fundit të këtyre veglave vrasëse të regjimit (ish-sigurimsat dhe kolegët e Edmond Cajës) i ka përfshirë ngrohtë e ëmbël në poste të larta.
Ata që kanë mbetur, vrasin dhe sot në shumë mënyra.
Kur bëra padinë penale në Gjykatën e Krimeve të Rënda (sot SPAK) në qershor 2019, shefi i parë i SPAK, ish-hetuesi i kohës së komunizmit, Arben Kraja, e filloi ditën e parë të punës duke shfuqizuar këtë padi.
Kur bëra kallëzimin penal ndërkombëtar për kriminelin Caja në Gjykatën gjermane të Mynihut (mars 2019), kundërpërgjigja e sektit erdhi me ekzekutimin e ish-të burgosurit politik, Haxhi Baçinovski, dëshmitari kyç në vrasjen e Sandër Sokolit. Vrasja e dëshmitarit Baçinovski ishte një ekzekutim mafioz me motor, tek Diga e Liqenit Artificial të Tiranës, para syve të djalit të tij 16 vjeçar. Dhe çështja u mbyll me alibi të trasha.
Mosvendosja e drejtësisë, moskërkimi i përgjegjësisë, mosndjekja penale e kriminelëve të djeshëm, ka sjellë këtë kënetë ndërgjegjeje dhe moçal krimi e korrupsioni, në të cilin zhyhet e përlyhet gjithë shoqëria.
Burimi/Facebook


Leave a Reply