Shkodër, mars 1978
Por di saktë: ishte dita e fundit e qëndrimit tem n’Shqipni.
Pranverë ishte. Natyra po vishej me behar. Degët po lulëzojshin, bari po gjelbëronte… veç zemrat e njerëzve s’po çelshin. Ato po vyshkëshin prej dhimbjës. Po cfiliteshin prej frikës dhe vornisë së skajshme. Njerëz të lodhun, të shkatërruem. Ishte nji heshtje e randë mbi fytyrat e tyne – si degë t’krasituna keq. Shpirtna të shterun prej dhimbjeve që s’thuheshin me za, por lexohej në sy. Njerëz që s’kishin asgja, veç fjalëve për nji të ardhme që s’vinte kurrë. Njerëz pa shpresa, ose me shpresa të rrejshme që i mbanin si bukën e thatë në gojë — për mos me dekë krejt.
Mund t’ketë kenë fundi i marsit, por jo fillimi i majit. Viti ishte 1978. E mbaj mend mirë, se ishte hera e dytë që po e vizitojsha Shqipninë, mbas vitit 1972. Herën e parë kishim ardhë me “Ervehenë”, tash me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekun”. Ishim mysafirë të Teatrit Popullor të Tiranës, — të nji plejade artistësh që zor i gjeje n’Evropën e asaj kohe. Ishte nji tjetër botë arti, por e mbyllun si në kafaz.
Natën e fundit po e kalojshim në Shkodër. Të nesërmen do ktheheshim për mes Qafë Thanës.
Kishim dalë me shëtitë. Unë me Galicën teme, po i gjezdisshim sokaqet, sheshet, dyqanet… jo me ble — se s’kishim pare, edhe pse s’kishte çka me ble edhe po t’kishe pare, — por me marrë me vete kujtimin, me e çue n’Kosovë si dhuratë të padukshme. Me e marrë Rozafën, Urën e Baçallekut, Bunën, Liqenin… edhe shtatoren e madhe të Isë Boletinit.
U ndalëm te nji furrë buke.
Kishte veç dy lloje: nji bukë e gjatë si tullë, e vrugët, e randë; dhe nji bukë misri, e kuqe, e rrumbullakët.
I thashë Galicës:
— Ta marrim nji bukë misri, e në hotel porosisim tamël, e e bajmë pshesh.
E përshëndeta shitësin dhe ia thashë dëshirën.
Ai më pa drejt në sy:
— Kosovar jeni?
— Po, — i thashë me buzëqeshje.
— Jo… bukët nuk shiten.
U shtanga.
— Si nuk shiten? — i thashë. — Për çka i pjekni atëherë?
— Për lagjen, — ma ktheu. — Janë të ndame. Nuk guxojmë me i shitë. Njerëzit mbesin pa bukë.
U ndal. Më pa prapë. Prapë me pyeti.
— Kosovar jeni?
— Po.
U mendue pak, si me luftue me veten.
— Atëherë… po ja bajmë diqysh. Nuk muj me lanë kosovarin pa bukë.
E mori bukën e misrit, e hapi paksa me dorë, si me e nda me shpirt, e tha:
— Xhaxhi Enver ka me e marrë n’gji Kosovën… ka me e bashkue me Shqipninë.
Ma dha bukën.
E mora. E kafshova. M’u duk sikur kafshova nji copë dyll. Nuk hahej.
Shitësi mbeti me krahët hapun, si njeri që kishte dhanë ma shumë se bukë. Ndoshta kishte dhanë shpresë.
Unë, me dorën rreth qafës së Galicës, u ktheva në “Turizëm”.
Nuk e hangrëm kurrë atë pshesh me tamël.
Jo pse s’deshtem — por pse tamel nuk na pruni kamarieri. Ka mbarue tha qysh n’mëngjes, e buka si tullë, mbeti e paprekun … si vet koha që e kishte pjekë.
Ajo natë, mbeti e pa kafshueme, si buka e xhaxhit, për t’cilin kisha aq shumë mall kur ndodhesha në Prishtinë, e aq shumë urrejtje kur e shkela tokën e shqipeve. Ajo natë n’Shkodër nuk pati shije, pati pak mall, pak dashni e shumë heshtje.
Sot nuk e kujtova bukën, as veten, as Galicën… e kujtova bukëpjekësin që më tha:
— Enveri don me bashkue Kosovën me Shqipninë.
E unë heshta. S’pata guxim me i thanë:
— Mos rrej… se ju bukë s’paskeni me ngi barkun!
14.04.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply