Çdo shkrim publik duhet të ketë nji shkak, dhe shkaku jem sot asht nji revoltë e pastër prinore. U nxitova me shkrujt kur pashë Taulant Ballën që mburrej e na paraqiste si arritje të madhe faktin që njerëzit paskan mushë sheshin me nigju Dafina Zeqirit. Në çfarë bote jetoni ju? Ku doni me dalë? Kur vendi po përjeton nji zi të heshtun nga vetëvrasjet dhe aksidentet e të rijve, ju na jepni doza muzike për me mshefë humbjen. Tradita jonë thotë se dhimbja nderohet met heshtje e me lutje, kurse ju po na mbani nën anestezi që mos të ndihet vdekja e këtij vendi.
Unë që po shkruaj sot, nuk jam njeri i politikës. Jam nji qytetar, jam nji prind, jam nji njeri që jetën e gëzoj vetëm kur shoh nji shoqëri të gëzueme rreth meje. Mbi çdo gjë në këtë botë, vlefta ma e madhe për mue asht me dëgju e me pa prindën me fëmijë të shëndoshë e të lumtur. Nuk mundem dhe nuk kam me pranu kurrë me mbyllë sytë e veshët para këtyre lajmeve të zeza që po dëgjojmë çdo ditë. Nëse nuk bëhemi pjesë e dhimbjes, nëse nuk mbajmë pjesën tonë të përgjegjësisë, atëherë kemi humbë njerëzimin.
Jo, zoti Balla! Në nji vend të drejtë e njerëzor, ato sheshe sot duhej të ishin mbushë nga dhimbja e nji pas nji tjetrës që po na grimcon shpirtin. Sot Shqipërisë duhej t’i ndizeshin qirinjtë e lutjes për këto jetë të prera në mes, për këto tragjedi që po zënë radhën njara-tjetrës e që askush nuk po ua sheh fundin.
In nji Shqipëri që ka mbetë si nji familje e vogël, ku fëmijët janë pak, ne po i shohim ata duke ikë jashtë shtetit, duke u vetëvrarë e duke u droguar. Pse po humb shpresa? Pse po tjetërsohet rinia? Pse duhet që kësaj pakice që ka mbetë t’i jepet me detyrim nji “dozë” shou mediatik, thjesht që mos të vihet re humbja jonë e madhe? Pse po tentohet të kthehet vdekja e të rijve në muzikë e në skenë festimesh?
Ky shtet duhej të kërkonte shkaqet e këtij shkatërrimi, duhej të ulej në gjunjë bashkë me lotët e prindënve. Kthimi i dhimbjes në forcë nuk bëhet me fjalë boshe partie e me tallje nëpër koncerte, por duke kthye sigurinë në rrugë e në shkolla, duke kthye shpresën dhe jetën! Atë që po i bëhet sot rinisë shqiptare nuk ia ka bërë asnji fatkeqësi në histori. Qëllimi duket se asht ta vrasin njeriun nga brenda, që të jetojë si nji qenie e vdekun mbi tokë e mos të kërkojë kurrë llogari.
Por mbajeni mend mirë: çdo gjë paguhet në këtë jetë. Pasojat e këtij shkatërrimi shpirtëror do t’i shihni te fëmijët tuaj, sepse lotët e nënave shqiptare dhe haku i këtij populli të ndershëm do t’ju zënë e s’ka për t’ju bërë derman asnji doktor në botë! Dhimbja e prindënve nuk mbulohet me këngë!
Mue nuk më frymëzon asnji parti e asnji politikë. Mue më udhëheq dhe më dhimbset kjo gjendje shpirtërore që po kalon sot familja shqiptare. Kjo asht dhimbja ime, ky asht amaneti jem si prind!
Paulin Maçaj
Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply