A është ky qendrim, fillimi i fundit tonë si njerëz të përgjegjshëm?!
Një ditë, në hyrje të pallatit ku unë banoj, pashë një çante fëmijësh, e hedhur pa kujdes, e pamirëmbajtur, disi e vjetëruar.
Në atë moment, nuk ishte asnjë nga fëmijët që jetojnë aty, por dy adoleshentë që dukej se po vëzhgonin përçark, sikur po gjenin rastin për ta marrë këtë çantë.
Mora çantën, e preka dhe u sigurova që kishte libra, e vara në dorezën e derës së garazhdit tim, si për t’ju treguar “vëzhguesve” se ishte gjëja ime, gjë që panë dhe u larguan menjëherë.
Të nesermen, ndodha po aty, kur një zonjë, banore e pallatit tonë, pasi më pyeti, mori çantën që një ditë më parë e kishte harruar fëmija e vet.
Fabula; fëmija rigjeti çantën e vet të librave, e dy adoleshentët, nuk u përfshinë në një “vjedhje të vogël”.
Shpeshherë, i gjykojmë gjërat e ngjarjet e rastit si të parëndësishme, e ju kthejmë shpinën.
Sa herë na ndodh që shohim qese me mbeturina të hedhura apo të lëna në shkallët e pallatit, në rrugë…e nuk reagojmë??
Shohim të grinden në rrugë fëmijë e të rritur dhe bëjmë sikur nuk pamë asgjë, njerëz që me padurimin e tyre, nuk respektojnë radhën as në spital a ku merret pensioni, por dhe kur duan të hypin në autobuz, avion…dhe pse kanë prerë biletën e udhëtimi nis në të njëjtën orë për të gjithë?
E ne heshtim e themi “ç’më duhet mua”!
Shohim përditë t’na zaptohet trotuari nga të fortët që parkojnë makinën taman aty nuk duhet lejuar, për tu dukur se janë ata protektorët e hapsirës publike, e ne bëjmë menjanë, nuk reagojmë e themi me vete “ç’më duhet mua”??
Punohet në qytetet tona, nga taksat tona eee, dhe askush nuk të informon dhe kur jua kërkon të info, dhe pse është detyrim ligjor informimi i publikut dhe jo oreks i drejtuesve??
Digjen pyjet për tu hapur rrugë “planeve të investimeve të mafies” e ne heshtim e nuk reagojmë, se “ç’më duhet mua”??
Luhet përditë me çmimet e produkteve gjithfarësh, ato të shportës, naftës, për shkak të monopoleve palë me qeverinë, e ne nuk reagojmë, se “ç’më duhet mua”??
& Këto ditë, punonjësit e Bashkisë së qytetit tonë, janë angazhuar për njoftimin derë më derë, të një vendimi “Plani për menazhimin e mbetjeve” , B. Lezhë.
Erdhen dhe në banesën time për t’më njohur me këtë projekt, që në fakt është bërë “vendim i detyrueshëm e i panegociushëm” sipas deklarimit të fundit të Kr. Bashkisë.
Sigurisht që i prita, bisedova, por nuk firmosa, për të mos përligj arrogancën e pushtetit, që nga njëra anë deklaron se është “vendim i panegociushëm”, nga ana tjetër na servir letra për ti firmosur post factum.
Në dokumentët e ardhura, thuhet se hiqen nga teritori koshat e mbeturinave, ato duhet të futen në qese dhe të ndara në burim(gjë e mirë kjo patjetër), dhe nxjerrja e mbeturinave nga banesa duhet të bëhet vetëm 3 ditë në javë e në orar të paracaktuar.
Po si i bëhet për ata banorë në moshë të thyer, që jo pak herë na është dashtë t’ju gjendemi prej pamundësisë së tyre??
Po familje që kanë fëmijë të vegjël, ditet jashtë planifikimit, duhet ti mbajnë panolinat në shpi??
Si është e mundur që çdo vendim që na e servir pushteti, dhe kur ai bie ndesh me interesat e mundësitë tona, ju bindemi kokëulur??
Apo dhe në këto raste e kalojmë me “ç’më duhet mua”??
Më ka ndodh këto kohë, qëkur jam larguar nga funksioni e angazhimi publik, që ndonjë nga të aferm a miq të mi, t’më thonë si “me lezet” se :“shkruan mirë por të shkon për kot, se këtu kështu janë punët, keq e përdreq, por kjo kohë ka ardhë e nuk ndryshon asgjë”.
E unë as kam sharë a etiketuar askënd e kurrë, por thjeshtë nuk jam ai që mendoj e them se “ç’më duhet mua”??
E kam thënë e shkruajtë më shumë se një herë, 4 vjet përpara se “mjaft është mjaft”, se nuk jam e as do jem më kurrë në asnjë garë, për asnjë lloj funksioni a pune, nuk dua e as nuk kam nevojë për asnjë punë në dyert e shtetit.
Jam rritë si aktor në jetën publike e i detyrohem përjetë për të qënë një zë në interes të publikut, pa u fsheh pas gishtit e pa e menduar e rënë në grackën e “ç’më duhet mua”!
Nëse nuk reagojmë për gjëra të vogla dhe nuk i adresojmë, me siguri do heshtim dhe për gjëra të mëdha që ndikojnë në jetën tonë, që mbajnë të shëndetshme shoqërinë.
Indiferenca është një një plagë që po përhapet shumë, një semundje që të mposht përditë e pa e kuptuar, madje më e rrezikshme se shumë semundje që diagnostikohen nga mjekët.
Indiferenca nuk është thjeshtë e vetëm, mungesë reagimi, por në fakt ajo është dorëzim e mosmarrje përgjegjësie.
Vetëm reagimi i arsyetuar, ndal rrjedhjen e gabuar të ngjarjeve.
Nënë Tereza na mëson “…ti mund të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Shohim përditë, shpesh dhe i pëlqejmë, gjuhë bastarde në rrjetet siciale, përfshihemi e nuk reagojmë, marrim pisllëkun që kjo kohë ka nxjerrë në sipërfaqe, dhe e bëjmë “trendy” duke humb vetëdijën e çdo normë morale, mbi themel të së cilës është trashëguar familja shoqëria.
Koha e shoqëria ka nevojë për njerëz të ditur, por ka më shumë nevojë për njerez që guxojnë e flasin, reagojnë, që të keqën e adresojnë, që nuk fshihen por ngrihen, që nuk e shohin botën thjeshtë si spektatorë por e perjetojnë si aktorë të përgjegjshëm në një skene të përbashkët.
Sepse nuk është mëkat vetëm ajo që bëjmë a lejojmë të ndodhë pa vepruar pa thënë asnjë fjalë.
Klasikët e filozofisë na mësojnë se: “ …të diturit e kurajozët, janë njëjtë bashkëfajtorë me ata që i sjellin shoqërisë dëme të pariparueshme…”
Shohim përditë vendime absurde të pushtetit, zhvatje të pronës e parasë publike, arrogancë, padrejtësi ngado e nuk reagojmë se themi “ç’më duhet mua”??
Kjo pikërisht është ajo që i jep hov rrënimit përditë të shoqërisë, se duke mos reaguar, ne mungojmë, siç i thonë fjalës “zbythemi mënjanë” derisa të biem pashmangshëm.
Miq!
E di mirë se pak veta do “gjejnë” kohën ta lexojnë deri në fund, se pak gjatë i shkova kësaj teme, mbase një pjesë nuk kanë as nerva, të tjerë dhe i dinë më mirë këto punë, por ju lutëm mos më kërkoni të hesht se nuk jam unë që them se “ç’më duhet mua”, sikunder do doja që çdokush të ndjehet i lirë e i përgjegjshëm për të reaguar nga gjithçka ju duket e padrejtë, për jetën e mjedisin tonë të përbashkët.
Indiferenca nuk do të thotë se je “jashtë loje”, neutral, por në anën e gabuar, nuk do thotë se je i paanshëm, por pasivisht bashkëfajtor.
Mendimi e qëndrimi “ç’më duhet mua” është fundi i përgjegjësisë qytetare, atrofizimi ynë.
Burimi/Facebook/Revista Fjala


Leave a Reply