Tirane 12-05-2026 – Ballkani ka qenë gjithmonë vatër krizash, konfliktesh dhe padrejtësish historike ndaj shqiptarëve. Populli ynë ka përjetuar masakra, spastrime etnike dhe gjenocid, por megjithatë ka dëshmuar se mbetet faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon.
Sot, rreziku më i madh për kombin shqiptar nuk vjen vetëm nga politika pansllaviste e Serbisë, e cila ende nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë e Bosnje dhe vazhdon të sulmojë shtetësinë e Kosovës, por edhe nga përçarja e vetë faktorit politik shqiptar.
Fatkeqësisht, partitë shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e gjetkë shpesh kanë vendosur interesin partiak mbi interesin kombëtar. Në vend të bashkimit për çështje madhore, kemi parë sherre politike, propagandë, akuza dhe kriza të sajuara vetëm për pushtet. Kjo ka ngadalësuar proceset kombëtare dhe ka dëmtuar interesin shqiptar.
Shqiptarët sot kanë mbështetjen më të madhe historike nga SHBA-të dhe aleatët perëndimorë. Kosova është e pavarur, Shqipëria është në NATO dhe rruga drejt integrimit është e hapur. Por aleatët tanë kërkojnë seriozitet, unitet dhe përgjegjësi kombëtare.
Në Maqedoninë e Veriut shqiptarët ende nuk gëzojnë barazi reale kushtetuese. Në Kosovë mungon uniteti politik përballë sfidave shtetformuese. Në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës shqiptarët vazhdojnë të ndihen të nëpërkëmbur dhe të harruar. Përballë kësaj gjendjeje, partitë shqiptare duhet të lënë konfliktet personale dhe të unifikohen rreth interesit kombëtar.
Ka ardhur koha për një frymë të re politike patriotike, me përgjegjësi kombëtare dhe orientim të qartë perëndimor. Kombi shqiptar ka nevojë për unitet, zhvillim dhe dinjitet, jo për kriza artificiale e përçarje.
Ne duhet të ecim të bashkuar, sepse shqiptarët janë një komb, me një gjuhë, një histori dhe një gjak. Amaneti i të parëve tanë mbetet i shenjtë: forcimi i kombit shqiptar dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply