Nga Dr.Mark PALNIKAJ
Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë për historinë e krishterimit, dhe ndoshta më e pasura në botë për sa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politik-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishterimin e këtyre trojeve. Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shkruara që nga shek. XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për një studiues që të punojë i papenguar nga burokracitë institucionale me një material të tillë burimor dhe sekondar, pa llogaritur pastaj kënaqësinë që mbart me vete zbulimi i një dorëshkrimi apo inkunabule të shfrytëzuar pjesërisht ose të pashfrytëzuar që mund të dhurojë puna me dorëshkrimet që ruhen në këtë bibliotekë. Deri më 1 janar të vitit 1996, Biblioteka Apostolike e Vatikanit zotëronte 1, 600.000 libra të botuar, 8.300 inkunabula (nga të cilat 65 janë të shtypur në vellum, pergamenë), 150.000 vëllime dorëshkrimesh, 100.000 shtypshkrime dhe gravura, 300.000 monedha dhe medalje, dhe rreth 20.000 objekte arti.
Si u grumbullua kjo pasuri e paçmuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit?
Koleksione librash në Romë ose Vatikan kanë ekzistuar që prej antikitetit, por ato përdoreshin ekskluzivisht nga papët dhe nga Kuria, dhe ishin të mbyllura për publikun e gjerë. Në përgjithësi, ekzistenca e këtyre koleksioneve është bërë e njohur nga referenca të gjendura aty-këtu. Megjithatë, biblioteka e papës Bonifaci VIII (Benedetto Caetani, 1294-1303), katalogu i të cilit u hartua në vitin 1295, është mjaft e famshme, ashtu siç është edhe biblioteka e Avinjonit, e cila pjesërisht u transferua në Romë nga Gregori XI (Pietro Roger de Beaufort, 1370-1378) në vitin 1377.
Burimi/Facebook/Gazeta Nikaj-Mërtur Faqja Zyrtare


Leave a Reply