Moza fiton.
Sponsorët qarkullojnë për tek “dramat” e radhës.
Loja mbaron.
Çfarë ndodh me ne që mbetemi në versionin e plotë të saj? Ne, variablat e çoroditur të lojës së madhe, që shahemi, pështyhemi, goditemi, gjakosemi e vritemi pa një finale?!
Moza ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës. Pasi ka provuar shijen e dheut në taban, kurorat e lavdisë në qiellnajë. Moza në këtë strukturë të matufepsur shoqërore është konstante, një trup me densitet tjetër.
Nuk përzihet me lëngun.
Nuk e merr formën e enës. Edhe kur e fut në perimetrin e Fermës. Edhe kur është e lirë si kali në lëmë.
Një grua që ka krijuar, sidomos përmes letërsisë, nuk ka jetuar vetëm jetën e saj. Moza ka përtypur karaktere, konflikte, drama, rikthime, humbje, rënie, dobësi njerëzore.
I ka parë nga brenda, i ka kuptuar, i ka shndërruar në fjalë.
Një strukturë e tillë psiqike nuk hyn lehtë në konflikt, sepse konflikti kërkon një lloj pasigurie për t’u ndezur. Moza i ka ikur atij kurthi kohë më parë e as nuk shpjegohet më me rrethanat e një formati televiziv. Shpjegohet me kohën që ka kaluar brenda vetes e për këtë jep leksione falas karshi kamerave të Fermës ndërsa gjerb me qesëndi kafenë e mëngjesit.
Ajo qetësi e adhuruar e saj nuk është temperament, por përzgjedhje me vetëdije, sepse identitetin nuk e ka ndërtuar në raport me të tjerët, por kryesisht pavarësisht tyre. Moza nuk përplaset më me jetën, e përthith të tërën, edhe atë miniaturë formati televiziv. Ndaj ngjan aq e sinqertë.
Sepse ajo e njeh mekanizmin. Ka parë mjaftueshëm nga natyra njerëzore ndaj refuzon të reagojë sipas një skenari që nuk e ka shkruar ajo.
Mu aty mbaron formati e ndodh përplasja reale, një sistem që funksionon mbi impulsin dhe një individ që funksionon mbi integritetin.
Sistemi në fakt, edhe jashtë formatit, në realitet nuk e toleron këtë kontrast.
Mendoni pak ç’ndodh me njerëzit e formuar, me integritet e dinjitet.
Ndaj mos ia qani hallin kur e bullizojnë ca këpujka. Po as mos u ngazëlleni kur e miklojnë me ca drone e rroba. Moza e di fare mirë ku është. Dhe përse. E di që ka një datë skadence ajo prezencë. Ashtu siç di se ato copëza jete në miniaturë janë hiçmosgjë në raport me relievin e tmerrshëm të origjinalit.
Ndaj ngjan kaq e sforcuar kjo indinjatë jona nga një miniaturë, ndërkohë që jetojmë si mosozot në origjinal. Ja që ndodh ky çekuilibër i çuditshëm, reagojmë fort ndaj simulimit dhe shpejt e shkurt ndaj realitetit.
Një fjalë e rëndë në studio duket skandal, ndërsa e njëjta gjuhë në përditshmëri kalon si refleks.
Një padrejtësi a bullizëm ndaj një gruaje të mençur e të matur në një format televiziv barabitet në reagim viral në rrjet me reagimin mbi vrasjen e dy fëmijëve duke luajtur, mbi dhunën barbare ndaj një të moshuare që mbron pronën e vet nga shteti.
Ndaj na ngjan Moza e paqtë, ndërsa ne vlojmë nga indinjata edhe për të. Jashtë, ne publiku e shohim nga distanca. Largësia prodhon idealizimin, na bën të projektojmë mbi figurën e saj atë që na mungon vetë, qetësinë, autenticitetin, dinjitetin.
Prandaj Moza jashtë adhurohet, sepse përfaqëson një version më të lartë të vetes kolektive.
Brenda, ndodh e kundërta.
Aty nuk ka distancë, por konkurrencë, krahasim të përditshëm, hierarki të luhatshme. Ata banorë, çdo ditë zgjohen përballë dikujt që nuk ka nevojë të luftojë për vëmendje, ndaj u
aktivizohet mekanizmi krejt i kundërt me atë tonin jashtë, de-idealizimi i dhe agresioni mbrojtës ndaj saj.
Moza, si fenomen që nga larg të mahnit e frymëzon, nga afër ngjan kërcënuese. I njëjti person ndahet në dy figura. Jashtë, objekt adhurimi.
Brenda, shënjestër që duhet ulur për të rikthyer barazinë e egove.
Kjo e krijon atë tension të padukshëm dhe nga hiçmoskundi, si të garosh me dikë që nuk po luan të njëjtën lojë? Përgjigjja e pavetëdijshme është e thjeshtë, ta tërheqësh poshtë, shumë poshtë derisa të hyjë në lojën që dinë të luajne ata vetë.
Kjo është prova që nuk e kalon dot jo vetëm një brez 4 dekada më i ri dhe i paprovuar se Moza, po as ata më pranë saj, si në moshë e profesion, si në formim e logjikë.
Kjo është kriza strukturore e formatit, sepse loja nuk është më hapësirë ku karakteret zhvillohen, por terren (edhe bujqësor po deshe🙂), ku karakteret shkërmoqen derisa të bëhen të njëtrajtshme.
Të gjithë duhet të bien në të njëjtin nivel, sepse vetëm aty loja funksionon. Një figurë si Moza e prish këtë ekuilibër, sepse nuk shpërbëhet, nuk homogjenizohet, nuk hyn në ritmin e degradimit. Ka bërë të vetmin e të fundit pakt: të hyjë në një format reality. Këtu mund të diskujtojmë gjithë ditën a bëri mirë a jo, ama me ta mbaruar këtë analizë, nuk e shkartisim me atë që tashmë ndodh aty brenda.
Prandaj tensioni rritet. E do rritet edhe më. Do shajnë e fyejnë e bullizojnë nëse nuk u tregohen limitet nga produksioni. Sepse si në fizikë, çdo sistem që nuk arrin të përthithë një element, ka vetëm dy zgjedhje:
ose të transformohet, ose ta neutralizojë atë element.
Me ç’duken bathët, nuk ka kapacitet për transformim, ndaj sistemi zgjedh të dytën. E në fund nuk i tregon produksioni kufijtë, por vetë loja. Loja po shfaq përdhunshëm limitet, sepse nuk është ndërtuar për të përballuar Mozën.
Tani nendoni pakëz, nëse një program, që është krijuar si sekuencë e provokuar jete për një eksperiment social, si burim i madh fitimi komercial, që mbetet gjithsesi zgjedhje personale për ta klikuar ose jo e shkakton gjithë këtë indinjatë, po jeta, përditshmëria, që të masakron shëndet fizik e mendor a mund të përballohet me indinjatë, qoftë edhe virale?
A po na programojnë për të mos dalluar se jemi spektatorë të atrofizuar pas kafazit të vogël, kur në fakt jemi viktima brenda kafazit të madh?
Ekrani ngjesh, ia heq kontekstin, përqendron ngjarjen, i jep kontur të pastër devijimit, manipulon.
Aty gjithçka është e lexueshme, sepse është e izoluar. Ndërsa jeta shpërndan të njëjtën sjellje që tretet në miliona situata të vogla, mbështillet me rrethana, justifikohet nga ritmi, zhduket në fragmente. Gjithçka më pak e dukshme por gjithsesi reale. Ajo, jeta, kuptimi ekzistencial i njeriut.
Po e kujtoj edhe një herë të fundit:
“Ferma” mbaron në qershor.
Moza fiton. Edhe në mos ia dhënshin trofeun.
Sponsorët do qarkullojnë për spektaklin e radhës
Realiteti ynë nuk mbaron kurrë.
Aty nuk kemi luksin e episodit, por peshën e përjetshme të pasojës.
Nuk votojmë banorët, por çdo ditë, me kohën, djersën dhe vëmendjen tonë, votojmë edhe shpërdorimin e jetës së fëmijëve tanë.
S’ka të keqe se indinjohemi. Shumë mirë bëjmë.
Problemi është ku e investojmë indinjatën dhe sa e përkthejmë në veprim. Sepse ndërkohë që analizojmë, shterohemi, vuajmë e tensionohemi me një skenë formati televiziv, jetojmë në një realitet shumë më të ndyrë e vrastar, ku rregullat, ligjet e trupat e fëmijëve bashkë me to “shkelen” egër dhe pasojat janë reale. Me vite, jetë e breza.
Askush nuk shton ndjekës në rrjete sociale duke luftuar për bukën e gojës, duke u strapacuar në punë, duke edukuar fëmijë e duke përmirësuar botën në të voglën e vet, siç i shtojnë gërrnjarët e formateve reality. Askush nuk përgëzohet me dronë, lahet me surpriza e shpreson 200,000 euro vetëm prej sherreve që provokon në jetë. Të korruptuarit po.
Si të dalim nga kjo dalldi në të cilën shpenzojmë energji ku nuk ndryshon asgjë dhe e kursejmë aty ku duhet të ndryshojë gjithçka?!
“‘Ferma’ është një lojë.
Jeta jonë është shansi i vetëm, pa provë gjenerale, shumë më e ashpër se çdo skenar filmi, programi a spektakli. Problemi është se ajo që shfaqet në ekran, ekziston. Fatkeqësia është se ne nuk po e trajtojmë aty ku lind.
Dhe për këtë, sado madhështore, as Moza nuk na shpëton dot.
Nuk e ka këtë mision.
Por mund të na shpëtojë ajo që shpëtoi Mozën. E keni kuptuar?
Burimi/Facebook


Leave a Reply