Për mua, shqiptarët, pavarësisht vendndodhjes apo besimit, duhet të bashkëjetojnë si vëllezër. Duhet ta kuptojmë se hapi i parë drejt paqes fillon me një bindje të palëkundur: nëse peshojmë humbjet duke menduar se do t’i barazojmë me gjak, nuk do të kemi kurrë qetësi. Prandaj, sot ju bëj thirrjen e madhe të Krishtit kur ishte i gozhduar në kryq: “Fali o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë!”
Fjalët janë të pakta për të shëruar dhimbjen e familjarëve në këtë tragjedi që ka pllakosur. Si bashkëqytetar, i bashkohem me trishtim lott të jetimëve dhe ngushëllimit për familjen. Unë nuk jam gjykatës dhe nuk dua të gjykoj asnjë njeri, por dua të ndjej dhimbje për këtë humbje tjetër që na shton peshën mbi shpirt. Asnjë arsye në botë nuk do të duhej të çonte në një fund të tillë dhe asnjë vrasje sot nuk shëron dhimbjen e djeshme. Sa e shkurtër është kjo jetë për ta kaluar veç me vuajtje, pa i shtuar dhimbje të tjera të tjerëve e humbje vetvetes.
Paradoksi i një jete që u shua mes gëzimit
Është vërtet e rëndë kur mendon se vetëm një ditë më parë, Kreshnik Mujeci organizoi festën tradicionale për banorët e Koljakajt në Lezhë, duke mbledhur komunitetin në harmoni pranë kryqit në mal. Kush mund ta mendonte se ajo atmosferë gëzimi do të pasohej nga një atentat mizor ku ai dhe bashkëshortja e tij, Gentjana, do të ekzekutoheshin teksa udhëtonin me automjetin e tyre. Pamjet e nënës së Kreshnikut që qan të birin e vrarë me 30 plumba janë një thikë në zemrën e çdo shqiptari.
Lotët e jetimëve dhe thirrja për shoqërinë
Në këtë moment, lutemi për ata katër fëmijë që mbetën pas. Nuk ka trishtim më të madh se loti i një jetimi që kërkon dorën e nënës dhe mbrojtjen e babait, por gjen vetëm heshtje. Këta fëmijë janë dëshmitarët e pafajshëm të një shoqërie që ka humbur rrugën. Lutja ime është që Zoti t’u japë forcë të rriten me dinjitet pavarësisht zbrazëtisë, duke u dhënë dritë në mendje që ta kuptojnë botën ndryshe nga kjo ngjarje mizore.
Jetimët që lëmë pas nga dora e njëri-tjetrit janë një barrë e rëndë. Kur ne vritemi, nuk shkojmë vetëm në varr, por varrosim të gjallë edhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Kush do t’i rrisë dhe kush do t’u japë dashurinë që ua mori këmbeza e armës? Ata nuk duhen lënë kurrë vetëm.
Mbetjet e një pushtimi të lashtë
Nuk mund të mos mendoj se këto zakone aziatike na i mbollën pushtuesit e huaj, që na lanë të vritemi mes vete, duke na bërë ta urrejmë vëllain e gjakut. Këto vrasje dhe kjo frymë hakmarrjeje janë mbetje të një pushtimi që na kërkon të dobët dhe të përçarë.
Si një besimtar, në fund, më mbetet vetëm të përsëris lutjen e madhe: Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë. U prehtë në paqe ky çift dhe Zoti i bëftë krahë këta katër fëmijë që të rriten të fortë e të drejtë.
Me dhimbje dhe respekt,
PAULIN MAÇAJ
SHKODËR
Burimi/Facebook


Leave a Reply