Nga Skënder Sadri KAPITI
Në komunizmin shqiptar
i linduri e i rrituri në fshat
është për të ndëshkim,
jeton e punon si në rrethim,
Kooperativa edhe si vënd për internim e riedukim,
fshatari bujkrob:
pa bagëti, pa lopë e tokë e në mjerim
Në koperativë
të reja e të rinj fshatar
me cfurk në krah,
për të mbledh byk e bar
e për të bërë kavalet e mullar.
Me kosë në dor bar tuj korr,
Në pikë dielli e në vapë,
me shatë tuj prashit e mbjell në arë,
me kazëm e lopatë
në shi e ftohtë gjith ditën e gjatë
nëpër fusha e livadhe
tuj çel vija e hap kanale.
Në punë
me trastë në shpinë me buk misri,
me një gastare me dhallë,
me kavanoz me groshë e vezë të zier ndonjiher shumë rrallë.
Veshur me një këmishë fanellate,
xhaketë e pantalona te arnuar doku,
gjysmë viti me çizme të pullosura llastiku,
e gjysma tjetër e vitit me sandale plastike,
e mu mbrojt nga dielli
në kokë lidhur shami e kapele kashte republike
Rinia qytetare e fshatare
Gjithmonë gati në revolucion,
në aksione e punë “vullnetare”
socializmin ndërton
Rinia fshatare me mëndje të pastër por të shpëlarë,
nuk mendon por për socializëm punon,
e ka të sigurt se në fshat e kooperativë
me lopatë e cfurk në dorë do të dalë në pension.
Fyelli e ciftelia, vallja, molodia dhe estradat
vjersha e poezia luhen e këndohen si don partia
Lumturia , gëzimet, festat e dasmat
hapen me dollinë: rroftë Enveri e rroftë partia.
VITET 1984-86
Shënim: E kam dashur poezinë dhe doja të shkruaja poezi, por jo poezi të imponuara e për të himnizuar komunizmin e marksizmin , as enverizmin dhe as partishmërinë proletare. Shkolla, universiteti, akademia; shkrimtarët, letrarët e artistët; filmat, gazetat ,televizioni, organizatat e masave dhe e gjithë shoqëria shqiptare në komunizëm ishin krejtësisht të komunistifikuara marksist-leninistisht me propagandë të rrejshme e të stisur që për mua ishin shumë të neveritshme. Dhe po të merreje me letërsi, shkruesi e poezi duhej patjetër që të mos ishe vetvetja por vullneti, nënshtrimi, spiunimi dhe servilizmi ndaj mashtrimeve, të pavërtetave, të luftës së klasave të pushtetit e shtetit antihuman komunist që sundoi në Shqipëri. Po të arratiseshe për të fituar lirinë, dinjitetin dhe personalitetin tënd atëhere familja dhe faresfisi do të syrgjynoseshin e do të persekutoheshin pa mëshirë. Unë kam qenë nën vëzhgim të rreptë se kisha të dënuar politikisht një xhaxha timin, Baftir Kapitin, dhe si i tillë nuk mu dha mundësia as që të vazhdoja kur isha i ri studimet e larta.Shqipëria ishte një shtet-burg ku kontrollohej e survejohej me vigjilencë proletare gjithcka, dhe zor se i shpëtonte ndokush njollosjes e dosjes biografike të sigurimit të shtetit, ku pas sigurimit të shtetit oksigjeni i atij sistemi ka qenë intelektualizmi dhe letërsia e realizmit socialist, kjo “shkencë” e verbër letrare ideologjiko- komuniste e cila jetën sketerrë të komunizmit shqiptar e paraqisnin si parajsë.
Në Shqipëri në kohën e komunizmit në fshat jetonte e punonte 70% e popullsisë, dhe ishte puna e rëndë skllavëruese dhe tepër,tepër pak e paguar e fashatarëve kooperativistë dhe punonjesve të Ndërmarrjeve Shtetërore Bujqësore, ishte puna e fshatarëve kooperativistë dhe ajo e minatorëve shtylla e ekonomisë në Shqipëri që mbante edhe qytetin dhe shtetin komunist. Fshatari paguhej shumë pak sa mezi mbante shpirtin gjallë me rroga 5-15 lekë për ditë pune sipas tipit të kooperativës. Këto strofa i thoja dhe recitoja kur isha vetëm, me të afërm dhe me shokë besnikë që nuk më spiunonin; i shkruaja e rishkruaja që t’i mësoja por pastaj i grisja pasi mund të mi gjenin e të më denonconin. Fshati shqiptar ishte një vënd vuajtje e mjerimi, fshatarit iu hoq dhe iu mor jo vetëm toka por edhe bagëtia e lopa ashtu sikurse bujkrobërit në mesjetë që punonin angari dhe nuk mund të largoheshin nga feudi i feudalit. Të rinjt nuk kishin perspektivë, as liri studimi e profesioni tjetër por vetëm shkollë bujqësore, nuk kishte as liri banimi sepse ligji i pashaportizimit nuk i lejonte jo vetëm për të shkuar e jetuar në qytet , por shumë e vështirë madje ishte edhe kalimi për të jetuar e banuar nga njëri fshtat te tjetri. I riu fshatar nuk kishte perspektivë, pothuajse gjithckja atij i ishte paracaktuar , që të punonte e jetonte gjithmonë në fshat si proletar fshati pa pasuri e pa pronë, “i lirë” për të menduar aq dhe ashtu si mendonte partia dhe ideologjia e saj, “ i lirë” në varfëri dhe kështu ta ngryste pleqërinë . Si pronë me tapi fshatari, njeriu i ri komunist në Shqipëri kishte atë
quhej pronë vetiake: cizmet, pantallonat, xhaketën, këmishën, lopatën, cfurkun e disa edhe ndonji bicikletë. Fshati dhe kooperativa ishte edhe vënd internimi e riedukimi për të tjerët që sigurimi dhe pushteti i internonte dhe dëbonte nga qyteti. Gjithcka ishte e kontrolluar nga sigurimi e partia.Për rininë e fshatit e qytetit jeta ishte e kufizuar me fshatin, lagjjen ,qytetin me vetëizolimin dhe rrethimin me tela brënda shtetit komunist dhe një jetë e mjerë që ushqehej me ideologjinë e partisë. Ky ishte realiteti socialist në Shqipëri
Burimi/Derguar nga vete Autori


Leave a Reply