Nga Laureta Petoshati
(Debat i hapur me autorin e pikturës provokuese me Flamurin Kombëtar)
1. Dy fjalë rreth piktorit
Në debatin e fundit që u bë këtu në rrjetet sociale, që vazhdoi deri në lajmet e televizionit tonë, madje bëmë një emision për përçudnimin e flamurit, unë kam parë me kujdes se kush ishin në mbrojtje të kësaj vepre. Ndaj, të gjithë këta njerëz i kam kontrolluar nëpërmjet faqeve të Facebook-ut, një nga një dhe kam arritur në përfundimin se unë e kam gjetur autorin e kësaj vepre, pra atë që ka pikturuar flamurin e përçudnuar. Jo nga firma se nuk duket, jo nga burimi, por nga gjurma që lë mendimi i tij në çdo vepër. Është një autor vlonjat nga origjina, i cili nuk i përket një vendi të vetëm, por një bote pa kufij, një kozmopolit që e sheh identitetin si një metal të butë për ta shkrirë, jo për ta ruajtur.
Në punët e tij, trupi nuk është më trup, por ide. Ai deformohet, copëzohet, zëvendësohet. Në një rast, pjesa më intime e njeriut bëhet shqiponja dykrenare, ndërsa e kuqja e një veshjeje intime kthehet në jehonë të Flamurit të Shqipërisë. Këtu nuk kemi thjesht provokim vizual, por një përmbysje të rendit simbolik: ajo që konsiderohet e shenjtë zbret në nivelin e trupores, ndërsa trupi ngrihet në nivelin e simbolit. Një lojë e rrezikshme, që nuk kërkon të pajtojë, por të përplasë, kur flamuri ynë është përbashkues.
Në një tjetër vepër të këtij piktori konceptualist apo surrealist njeriu mbetet pa kokë, vendin e mendjes e zë një objekt banal, ku njerëzit kryejnë jashtëqitjen e tyre. Është një figurë që flet për zbrazje, për humbje të arsyes, për një shoqëri ku individi nuk mendon më, por funksionon. Trupi këtu nuk është heroik, por është i rënduar, i përdorur, pothuaj i nëpërkëmbur. Dhe megjithatë, ai mban në dorë një vegël si një shenjë e një revolte që nuk di ku të drejtohet. Gjithsesi kjo vepër e ka mesazhin se gjithcka vjen nga mendimi, ose indokrinimi.
Këto nuk janë rastësi. Janë shenja të një artisti që nuk beson në kufij: as në kufijtë e trupit, as në kufijtë e kombit, as në kufijtë e moralit tradicional. Në intervistat e tij, ai flet për ndikime të gjera, për një art që nuk duhet të lidhet me një identitet të vetëm. Dhe kjo reflektohet qartë: ai nuk e trajton simbolin kombëtar si trashëgimi për t’u mbrojtur, por si objekt për t’u sfiduar.
Prandaj them se nuk është e vështirë të kuptohet se kush qëndron pas një imazhi që trondit, që shqetëson, që prish qetësinë. Është dora e dikujt që nuk kërkon të përfaqësojë një popull, por të sfidojë vetë idenë e përkatësisë. Një artist që e sheh botën si një skenë ku gjithçka mund të riformulohet, madje dhe ajo që të tjerët e quajnë të paprekshme. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema: a kemi të bëjmë me një liri artistike që kërkon të hapë mendjen, apo me një shkëputje të tillë nga rrënjët, saqë çdo simbol humbet kuptimin e vet? Unë besoj se përgjigjja nuk është e thjeshtë. Por një gjë është e qartë: kjo nuk është një vepër që lind nga përkatësia. Është një vepër që lind nga distanca. Dhe po flasim jo vetëm si distancë fizike, meqë piktori nuk jeton në Shqipëri, por dhe për distancë shpirtërore.
Më vjen keq të mendoj se, nëse do të kishte ndjekur gjurmët e mësuesit të tij të parë, Ilmi Bani, një njeri me standarde të forta morale dhe ndjenjë të thellë për simbolin, ndoshta nuk do të arrinte deri në këtë lloj përçudnimi. Sepse Ilmiu ishte një artist që mbante mbi vete peshën e historisë dhe dhimbjen e saj ngaqë i ati i tij nuk u kthye kurrë nga kampet e përqendrimit, ndaj vështirë se do ta shihte flamurin si material për provokim, por si një shenjë që kërkon respekt.
Por, piktori AB, me një emër që tregon se është arbër, hallakatet sepse është i çoroditur që nga Instituti i Lartë i Arteve, ku një pedagog i tij, pa din e pa iman, gjëja e parë që u mësoi studentëve ishte organi mashkullor, që e bëri edhe ekspozitë sapo ra sistemi. Kot nuk themi ne nga Vlora: mbeti koqe nga mendja…
2. Dy fjalë drejtuar piktorit
Janë të bukura eksperimentet, dëshira për të mos vizatuar për 10 vjet (dëshira të ikën kur ke pësuar tronditje psikologjike si poetja nobeliste amerikane Louise Glück ), por për t’u marrë me kitarë, për të shkruar, për të kënduar, për t’i hedhur të dashurës tënde të huaj peshq në kurriz, apo në ndonjë vend tjetër, por nuk mund të poshtërosh flamurin kombëtar.
Meqë ke vënë dhe sejmenët e tu të fotografojnë, të fyejnë e të tregojnë dhe fjalë të greqishtes që i mësuan në Greqi, si fjala “agamiti”, dua që ti kthej një përgjigje që ti, atij ti mësosh shumësin dhe tia sqarosh më mirë këto, që po ia kthej si përgjigje: në të njëjtën kohë kur ti shkove në Greqi, atje ku shkova unë, në New York, nuk kishte nevojë as të përkthehej dhe as të përdorej fjala “agamiti”, se në rastin më të keq vibratori ishte më i fuqishëm dhe zgjaste më shumë se ndonjë si puna jote. Në italisht përdoret shprehja: “Meglio solo che mal’accompagnato”, që do të thotë “më mirë vetëm se i shoqëruar keq”. Ndërsa në Bibël thuhet: “Mos hidhni margaritarët para derrave”, që nënkupton të mos i japësh gjërat e çmuara atyre që nuk dinë t’i vlerësojnë. Aq më tepër, që si Dantiste që jam, kam mësuar se dashuria është e ngritur mbi ndjenjën dhe mendjen, jo mbi trupin apo seksualitetin. Ajo përfaqëson një tërheqje shpirtërore ku mendimi dhe idealizimi e tejkalojnë dëshirën fizike.
Prandaj AB, kur dikush që e quan veten artist dhe i qytetëruar fyen një grua që i del përballë, tregon mospërputhje të qartë mes imazhit që pretendon dhe sjelljes reale. Kjo zakonisht zbulon mungesë etike dhe varfëri në kulturë, jo art, apo qytetërim.
Ju personalisht, më kujtoni filmin “Zonja nga qyteti” që thotë se: “sa bukur flisni ju artistët, asnjë fjalë nuk ju kuptova.” Çuditërisht edhe inicialet e atij që hidhte letra si trakte ishin si të tuat: AB. Ndaj ti, antikonformist, ti kozmopolit AB, idhtar i shoqërisë së hapur, bëju rindërtues i Shkollës Vlonjate të Pikturës, e cila ka pasur ngjyra, por ishte konformiste. Ti more AB, pse nuk e nxjerr fytyrën? Nëse je autori i kësaj vepre, atëherë do të ishte e domosdoshme të dalësh publikisht dhe të artikulosh qartë jo vetëm qëndrimin tënd artistik, por edhe logjikën estetike dhe filozofike që e mbështet atë. Çdo vepër që prek simbolet kolektive nuk mbetet vetëm në planin e estetikës individuale, por hyn në territorin e antropologjisë kulturore, ku shenjat, kujtesa dhe identiteti bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. Prandaj, heshtja nuk e mbron veprën, përkundrazi, e lë të pambrojtur ndaj interpretimeve të shumta dhe shpesh kontradiktore. Në këtë kuptim, arti nuk është vetëm liri shprehjeje, por edhe përgjegjësi ndaj kuptimit që prodhon në shoqëri.
3. Dy fjalë drejtuar piktorëve të Vlorës
Ju piktorëve të Vlorës, ju bëj me dije se kur dikush nga ju akuzon televizionet apo gazetarët se nuk trajtojnë probleme të rëndësishme, por vetë nuk ka folur apo vepruar kurrë kundër padrejtësive apo pushtetit, kjo shpesh tregon mungesë koherence dhe qëndrimi të vërtetë kritik. Në thelb është një lloj standardi i dyfishtë, ku kërkohet nga të tjerët ajo që nuk zbatohet nga vetja. Ju, që thoni pse po merreni me këtë vepër arti ( e cila në thelb përdhos Flamurin Kombëtar), pse nuk dolët një herë në protestë për ndonjë problem se Vlora e Shqipëria ka plot të tilla? Pse nuk bëtë një vepër antikonformiste, kundër pushtetit, kundër padrejtësive siç bënte Francisco Goya, apo dhe shumë të tjerë. Sa për dijeni për mbrojtjen e Sheshit të Flamurit, nuk erdhi asnjë nga ju, por erdhi Vladimir Llakaj, pedagog në Universitetin e Arteve. Ju nuk ndiheni sepse mërzisni ndonjë pedagogun tuaj që u ka mësuar të mos e doni këtë vend. Ndaj nuk keni as kurajo të tregoni autorin e veprës në fjalë që ju mund ta njihni më mirë, por që me heshtjen tuaj nuk e mbroni, por e fusni në kurthin e heshtjes.
Burimi/Facebook


Leave a Reply