Laura Keçi ishte vetëm 16 vjeç kur e dënuan e më pas arrestuan, duke shënuar kështu edhe të vetmen femër shqiptare, që u dënua në moshë kaq të vogël në vitet e komunizmit në Shqipëri.Pas ndryshimit të kohëve, bashkë me familjen e saj, Laura u zhvendos nga Shkodra në Amerikë, prej nga ka vite pa u rikthyer. Megjithatë, historinë nuk e ka lënë pa rrëfyer, sado që jo të zbardhur në detaje. 4 vite nga jeta e një 16-vjeçareje, parë sot me syrin e një psikologu, të kaluara në burg, nuk do të shlyheshin kurrë nga kujtesa, edhe sikur të ishin nga më të qetat. Pa marrë në konsideratë vuajtjet e torturat që i janë dashur të heqë. Ajo vetë e ka rrëfyer si të tillë përvojën që do kishte dashur të harronte: “Im atë, Gjeto Keçi, ish-luftëtar i Spanjës, lidhur pas idealit të kohës së tij, u zhgënjye shumë shpejt nga sistemi.
Këtë ai e shprehu me zë të lartë dhe indinjatë, çka mjaftoi për ta konsideruar armik të komunizmit, idealit që ai besoi aq shumë. Bindjet e babait diktuan dukshëm te unë, gjetën shtrat dhe u zhvilluan ngadalë, por në mënyrë të pandalshme. Që e re “hija fajtore” e babait më ndoqi kudo, isha me një fjalë një vajzë e persekutuar, sado pak ta dija kuptimin e këtij përcaktimi…”.
Kjo ishte arsyeja e parë pse Laura ndodhej nën vëmendjen e Sigurimit. E dyta i vinte nga vetja, por ishte gjithaq e pashmangshme… “Urrejtjen e madhe që kisha për sistemin komunist, kishte raste që e shfaqja hapur”. Në këtë periudhë, flas për vitin 1973, kohë e ashtuquajtur si revolucioni kulturor, arrita të shpërndaj trakte që kisha formuluar vetë dhe vendosur në fletët e regjistrit të shkollës, të cilat i deponova më vonë në hetuesi…
Dikush më ndiqte.
Ndryshe nuk ka si shpjegohet që fill pasi bëra kryqin para kishës, në sy të dy shoqeve të mia, njëra prej të cilave më denoncoi, ndodhi ajo që ndodhi. Fotografia ime ishte vënë në Muzeun Ateist. Edhe pas burgut, fotografinë e kam parë atje. Hetuesi që mori përsipër çështjen, Shyqyri Çoku, do të kishte përballë si “armike” një 16-vjeçare. Gjatë hetuesisë u ushtrua dhunë psikologjike, vështrimi i lemerishëm i hetuesit donte të më gjunjëzonte me çdo kusht.
Kësaj nuk ia arriti kurrë.
Donin të përdornin elektroshokun si torturë, por nuk arrita ta provoj, sepse si kundërpërgjigje bëra grevën e urisë, ku ndenja 75 orë pa ngrënë.
Më futën në qeli me një spiune e provokatore, ku kuptova menjëherë se gjendesha në kurth.
Më sollën më pas një mjek psikiatër, të cilit iu luta të mos shënonte asgjë që nuk konstatonte. Doja të tregoja se isha krejt në rregull dhe çdo gjë e bëja me vetëdije…”. Këto janë vetëm boshti i kujtimeve të hidhura të Laurës, ato që as do donte t’i përmendte po të mos ia kërkonin.
Fatbardha Saraçi e ka përfshirë historinë e saj në atë të “Kalvarit të grave në burgjet e komunizmit”. Mes të tjera kujtimeve të mjegulluara, rrëfimi i Laurës përfundon: “Gjyqi im ishte edhe fundi i komedisë që luajtën me mua… Unë, e akuzuara 16-vjeçare dhe dëshmitarët: mësuesit, drejtori, shoqet e mia e pak më tej populli, ai që ishte gjithnjë me mua.
Nga përgjigjet që i dhashë gjykatësit për partinë e udhëheqjen, ai tha: Vetëm këto fjalë janë të mjaftueshme për të vuajtur dyfishin e dënimit. Prokurori më tha se do të më shtypnin si krimbin. Drejtori i shkollës vijoi: Shpata e drejtësisë do të bjerë mbi Laurën dhe të gjithë armiqtë. Ime më u ngrit për të thënë se ç’armike mund të ishte një vajzë e parritur… Nga dënimi fillestar me 8 vite, për shkak të moshës më lanë katër.
Sapo mbërrita në qeli, m’u vërsulën si të tërbuar pesë policë për të më lidhur duar e këmbë, sepse u kisha sharë udhëheqësin. Mbaj mend që dhoma u bë krejt e kuqe dhe unë kafshova këmbën e atij që ma vuri në gjoks. Përmes thirrjeve ndjeva se gojën e kisha të mbushur me gjak. Kjo ishte historia e gjyqit tim…”.
Ndërsa jo më e lehtë ka qenë edhe ajo pas burgut, kur u degdisa në Zukth-Kashta për të punuar. Siç është e njohur skema tashmë, ata që kishte mbi kokë do t’i kërkonin vazhdimisht të bënte autokritika, përballë të cilave ajo zgjodhi gjithnjë heshtjen.
Arsye kjo pse sytë që i rinin mbi krye për t’i matur çdo lëvizje, nuk iu ndanë asnjëherë, deri sa koha i hapi dyert për të ikur…
Burimi/Facebook/Kopliku News


Leave a Reply