Historia e Shqipnisë, që nga koha e Gjergj Kastriotit, na ka msu se respekti fitohet me qëndresë e me ballë nalt, jo me përulësi e batuta spektakli. Skënderbeu nuk u thirr “Mbrojtës i Krishterimit” pse u lëpiu dyerve të Europës, por sepse e detyroi botën me e pa si të barabartë përmes forcës së karakterit dhe dinjitetit kombëtar. Ne na mungojnë sot ata prijësa që vendosin Shqipninë para çdo gjae, sepse vllazën jemi vec me shqiptarët dhe jo me ata që historikisht na kanë dashtë nën kambë.
Sot, shfaqjet e “vllaznisë” me Erdoganin, “miqësisë” me Vuçiçin apo gjestet e përuluna para kryeministres italiane, nuk janë shenja diplomacie moderne. Janë shenja të nji politike pa shtyllë kurrizore, ku paaftësia dhe korrupsioni mshehen mbas skenave teatrale.
Pse ky model asht i rrezikshëm për ne?
• Pushtuesit e rinj vijnë me buzëqeshje: Nëse dikur na pushtonin me armë, sot na “pushtojnë” me influencë dhe nënshtrim ekonomik. Kur nji udhëheqës e thirr “vlla” dikë që kërkon me na mbajtë në hije, ai nuk po ndërton paqe, po pranon vasalitetin. Paqja duhet, por vetëm duke kenë të barabartë.
• Sindroma e vasalit: Asht tragjike që në shekullin XXI, drejtuesit tanë duan ma fort miratimin e t’huajve sesa respektin e popullit të vet. Përulësia para kamerave t’botës kthehet në arrogancë ndaj qytetarit tonë.
• Trashëgimi e helmueme për brezat: Kur nji kryeministër ulet në gjujë apo ban kllounin nëpër botë, u mson t’rinjve se rruga e vetme me ecë para asht servilizmi dhe jo puna, mendja e zgjueme e krenaria.
Shqipnia rrethohet me veten, por lëngon prej drejtuesve
Jemi ndër vendet e rralla në botë që në cdo skaj të kufinit kemi tokë dhe gjak shqiptar. Por në vend që me kenë faktor fuqie në Ballkan, mbetemi nji popull që “shërbejmë” e përçahemi për interesa karrigesh.
Përfundimi asht i qartë:
Nji shtet që sillet si shërbëtor, kurrë nuk ka me u ulë në tryezën e t’barabartëve si zot shtëpie. Diplomacia nuk asht “gusha-gusha” as lëpirje, asht mbrojtje e interesit kombëtar me mençuri dhe dinjitet. Dinjiteti nuk asht pronë e nji njeriu, asht pasuria e nji kombi të tanë. Kush e shet atë për nji foto, ka shitë të ardhmen tonë.
Me respekt për t’vërtetën dhe Shqipninë,
Paulin Maçaj
Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply