Më vjen keq ta them, por në shumë raste sot duket sikur gazetarët janë shndërruar më shumë në moderatorë që krijojnë një iluzion të çuditshëm: mendojnë se janë më të aftë se mysafiri, flasin më shumë se ai dhe, në fund, e zbehin vlerën e diskutimit.Nga ana tjetër, Alfred Lela nuk kishte nevojë të përdorte atë fjalë ndaj një zonje — kjo ishte e gabuar dhe e panevojshme. Por edhe moderatorja duhej ta menaxhonte situatën më me qetësi dhe profesionalizëm. Do të ishte më e hijshme që reagimi të ishte më sportiv dhe brenda etikës që i takon një gazetareje.
Fatkeqësisht, reagimi shkoi në drejtimin e kundërt, dhe largimi i të ftuarit nga studio, edhe pse pa tension fizik, nuk i shërben cilësisë së debatit publik.
Një gjë duhet kuptuar nga moderatorët: i ftuari duhet respektuar. Ai ose ajo lë kohën me familjen për të ardhur në studio, për të kontribuar në program dhe për të informuar publikun. Nuk është e drejtë që, nëse nuk bie dakord me moderatorin, të përballet me ndërprerje, presion apo largim nga studio.
Sot po shohim një prirje të gabuar: të ftohen njerëz dhe, në momentin që nuk përputhen me mendimin e moderatorit, përballen me arrogancë apo etiketime. Kjo nuk është gazetari — kjo i ngjan më shumë një “Big Brother”-i, brenda dhe jashtë shtëpisë.
Me keqardhje e them se gazetaria e mirë është bërë gjithnjë e më e rrallë.
Me respekt për të dyja palët
Burimi/Facebook


Leave a Reply