Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protesta e 17 prillit e thirrur nga kjo parti do të jetë një “revoltë e fuqishme qytetare kundër korrupsionit, gjendjes ekonomike dhe politikave të qeverisë”.
Duke folur për gazetarët, Berisha u ndal te situata ekonomike dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për qytetarët dhe bizneset.
“Do të jetë një revoltë e fuqishme e qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të interesave të tyre më jetike, luftës kundër korrupsionit, shtetit ligjor dhe mbrojtjes nga vjedhjet e qeverisë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë kanë shtyrë shumë vende të ndërmarrin masa lehtësuese për qytetarët dhe fermerët.
“E gjithë Evropa, e gjithë bota perëndimore dhe Australia janë angazhuar në lehtësime të menjëhershme të barrës fiskale mbi naftën”, deklaroi ai.
Berisha solli si shembull disa vende europiane, duke përmendur masa mbështetëse për sektorin e bujqësisë dhe ulje të taksave mbi produktet bazë.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka ndjekur të njëjtin drejtim, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj fermerëve.
“Gjermania ka vendosur të dyfishojë subvencionin e naftës për fermerët, ndërsa vende të tjera si Suedia kanë ulur TVSH-në e ushqimeve. Ndërkohë, në Shqipëri janë hequr subvencionet për fermerët”, u shpreh Berisha.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply