I bleva vajzës sime një shtëpi, por në festën e hapjes së shtëpisë, ajo ftoi babanë e saj biologjik dhe ngriti një dolli që më preku, saqë më dolën lot.
E takova Elenën kur isha 34 vjeç. Të dy ëndërronim të kishim një fëmijë, por pas vitesh vizitash te mjeku dhe shpresash të shuara, zbuluam se shëndeti i saj nuk do ta lejonte të vazhdonte me një shtatzëni.
Atëherë zgjodhëm birësimin.
Nelly ishte vetëm tre vjeçe kur e sollëm në shtëpi. Ishte një fëmijë e qetë, e mbyllur në botën e saj, me një shikim në sy, që dukej se kishte parë shumë.
Nëna e saj kishte ndërruar jetë kur ajo ishte vetëm tetëmbëdhjetë muajshe. Emri i babait të saj nuk ishte në certifikatën e lindjes.
Për një kohë, mendova se, pavarësisht gjithçkaje, do të ishim në gjendje të bëheshim një familje e lumtur.
Por dy vjet më vonë, kur Nelly mbushi pesë vjeç, Elena iku.
La një shënim në banakun e kuzhinës. Shkroi se nuk e donte më atë jetë. Ajo familje nuk ishte për të.
Ende e mbaj mend atë natë: Isha ulur pranë shtratit të Nellyt, duke e parë teksa flinte. Në atë moment, kuptova se kisha një zgjedhje para meje. Mund të ikja dhe unë. Mund të lija gjithçka pas.
Por nuk e bëra.
Vendosa të bëhesha babai më i mirë, për atë vajzë të vogël.
E mësova të ngiste biçikletën, duke e ndjekur derisa mu vranë këmbët. I tregova si të peshkonte, si të shtrëngonte duart me besim dhe si të kujdesej për veten.
I përgatita drekën për në shkollë, e ndihmova me detyrat e shtëpisë dhe i kujtoja çdo ditë se ishte e dashur.
Kur më tha se donte të bëhej dizajnere dixhitale, pagova për arsimimin e saj pa hezitim. Doja që ajo të besonte në ëndrrat e saj, ndoshta edhe pak më shumë sesa unë besoja në të miat.
Pas diplomimit, përdora të gjitha kursimet e mia për t’i blerë një shtëpi. Jo një rezidencë, jo diçka që bie shumë në sy. Vetëm një vend të sigurt. Të bukur.
Një vend që ajo mund ta quante të vetin.
Ajo ishte gjithçka për mua. Asgjë nuk ishte më e rëndësishme se qetësia e saj, rritja e saj, lumturia e saj.
Kur mbaruam së çpaketuari mobiljet, mobiljet që i kishte zgjedhur me aq kujdes, ajo vendosi të organizonte një festë të vogël për hapjen e shtëpisë. Miq, të njohur, të dashur: shtëpia shpejt u mbush me zëra, buzëqeshje dhe gota të ngritura.
Pastaj pashë atë.
Një burrë që nuk e kisha takuar kurrë më parë qëndronte në dhomën e ndenjes, sikur të kishte qenë gjithmonë aty.
Nelly u afrua me një buzëqeshje të sjellshme dhe na e prezantoi.
“Ky është Viktori, babai im biologjik,” tha ajo. “Ai më gjeti. Ai dëshiron të rindërtojë marrëdhënien tonë. Kjo është arsyeja pse e ftova sonte.”
Ndjeva zemrën të shtrëngohej, sikur ajri papritmas të mungonte në atë shtëpi.
Por nuk thashë asgjë. Qëndrova aty, i heshtur, duke u përpjekur të kuptoja, se si të reagoja.
Më vonë, Nelly trokiti butësisht gotën e saj me lugë dhe kërkoi vëmendje.
Dhoma ra në heshtje.
Të gjithë u kthyen nga ajo.
Dollia, që ajo ngriti i dedikohej babait të saj biologjik.
Në fillim mendova se e kisha keqkuptuar. Pastaj fjalët e saj erdhën, njëra pas tjetrës, dhe më goditën me një forcë të papritur.
“Një baba nuk është vetëm dikush që të sjell në botë. Ai është dikush, që qëndron kur gjërat janë të vështira. Ai është dikush që të ndihmon të ngrihesh përsëri. Ai është dikush që të mëson të besosh në veten tënde, edhe kur nuk mundesh.”
Sytë mu mbushën me lot. Nuk munda t’i ndaloja.
Por ajo nuk kishte mbaruar.
Me një zë të vendosur, Nelly vazhdoi, duke shpjeguar se, në atë dhomë, kishte dy burra shumë të ndryshëm.
Njëri e kishte kërkuar atë për të kompensuar kohën e humbur. Tjetri, nuk ishte larguar kurrë. Njëri ishte shfaqur papritur; tjetri e kishte ndërtuar jetën e saj, çdo ditë me durim, prani dhe dashuri.
Ajo nuk po zgjidhte ta ndante zemrën e tij. Më në fund po pranonte atë, që unë gjithmonë kisha shpresuar, pa e thënë me zë të lartë.
Më në fund, ajo ngriti gotën drejt meje dhe tha:
“Për babain tim. Atë që më qëndroi pranë.”
Në atë moment, kuptova se nuk kisha humbur asgjë. Thjesht kisha marrë konfirmimin më të ëmbël nga të gjithë: dashuria e vërtetë nuk matet me gjak, por me këmbënguljen me të cilën mbetet.
Ajo mbrëmje më mësoi, se një familje ndërtohet përmes zgjedhjeve të përditshme, me besnikërinë dhe me guximin për të mos u larguar kurrë.
Dhe, në fund të fundit, kisha qenë pikërisht aty, ku duhej të isha…
Përktheu: Fatmir Shqarri…
Burimi/Facebook


Leave a Reply