Nikolle Loka
Pushtimi i Elbasanit dhe barbaritë osmane
Të pafetë e mallkuar mbetën të hutuar e të çoroditur nga njoftimi i llahtarshëm i këtij sulmi të afërt dhe vajtën u strehuan nëpër malet e rrëpira e luginat e thella, duke bllokuar shtigjet. Bënë gjithë ç’mundën për t’u mbrojtur dhe kështu dëshmuan tërë kryeneçësinë e tyre për të rezistuar, duke këmbëngulur në prapësinë e tyre më të skajshme. Por luftëtarët e Sulltanit, të nxitur prej mendimit të shpërblesës hyjnore të luftës së shenjtë, si dhe të shpresës për të bërë plaçkë të madhe, përparuan në të atillë mënyrë sa që çdo mal i pakapërcyeshëm dhe çdo luginë e thellë u dukej rrafshinë e lehtë “ku nuk do të mund të shihje as ultësirë, as lartësi (Kurani 20:107)”. Me ndihmën e Zotit, më të Lartit, pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin veç për vetëm tre apo katërqind aspra. Të tilla hyri që kushdo që i sheh në tendë kujton se është përnjëmend në Parajsë. T’i shihje kur mbi gjoksin tim dergjej, do besoje se në një trup dy shpirtra qenë. Te tillë djelmosha që, për atë Zot, në thonë se ka dhe më të bukur, gënjeshtra thonë. Veç kësaj, buaj me lëkurë në ngjyrë të verdhë të ndezur që kënaq shikimin (Kurani 2:69)” mund t’i blije për tri a katër aspra, ndërsa edhe për më pak se dy aspra shitej një dash përçor i kopesë që është bërë gati për t’iu flijuar Zotit. Çdo çadër ishte e mbushur përplot me plaçkë të rrëmbyer. Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, fap-fap – i ekzekutonin. I bënë kështu ata njerëz, që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes, të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë nga të pafetë. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tani ngjasonin si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur, rrafshina të gjëra ngjasonin si Amudarja që rridhte.(Kronikat e Tursin Beut, kronikan i Mehmetit II, pushtues i Konstandinopojës, Ballkanit dhe Shqipërisë, botimet “IDK”, 2011, f.149-150).
Burimi/Facebook


Leave a Reply