Shkruan: Naim Flamuri
Mos ta zbukurojmë ma. Kjo nuk asht diplomaci, as vetëmbrojtje, as rend ndërkombëtar. Kjo asht politikë e zhytun në gjak. Gaza nuk asht “incident”, por krim i hapun kundër njerëzimit. E kush mundohet me e mbulue me fjalë të mëdha, me citime të zgjedhuna a me lot krokodili për sigurinë, veç po i ban roje barbarisë.Kryefjala asht e thjeshtë: në luftë humbin të dy taborret. Por kjo s’do të thotë me i barazue xhelatin e viktimën. Jo. Viktima mbetet viktimë, e xhelati mbetet xhelat. Pikërisht pse e dimë këtë, duhet me thanë troç se lufta nuk zgjidh asgja. Ajo veç zgjanon varre, trashon urrejtjen dhe i jep krimit petkun e ligjshëm të flamurit. Shteti izraelit në Gaza ka kalue çdo kufi moral, njerëzor e juridik. Ka ba prej shkatërrimit program, prej vrasjes rutinë, prej mjerimit strategji. Kjo nuk lahet me asnji justifikim. Kjo nuk falet me konferenca shtypi. Kjo nuk zhduket tue e përsëritë fjalën “terrorizëm”, derisa bota të mësohet me pamjet e fëmijëve nën rrënoja. Po aq e rrezikshme asht edhe tërheqja rrshanash e Amerikës drejt përplasjes me Iranin. Sepse aty nuk kemi të bajmë me mbrojtje të paqes, por me nji përshkallëzim të ushqyem prej interesave gjeopolitike, obsesioneve ideologjike dhe aleancave që e trajtojnë rajonin si shesh prove për andrrat e veta të pushtetit. Kur demokracia vihet në shërbim të dhunës, ajo nuk asht ma demokraci, por maskë elegante mbi fytyrën e forcës. E mrekullia e vetme në gjithë këtë marrëzi asht se Europa dhe pjesa tjetër e botës nuk ranë krejt në këtë humnerë. Sepse, po të ishte zgjanu edhe ma tej kjo flakë, njerëzimi do ta paguente me nji çmim edhe ma të randë çmendinë e disave që lujnë me zjarrin sikur të ishte lodër diplomatike. Le ta themi pa dorashka: bota asht e mbushun me njerëz që lypin sherr. Ka politikanë që ushqehen me krizë, analistë që fryhen prej luftës, e turma budallaçash që ndezen ma shpejt prej nji rakete sesa prej nji fjale paqeje. Ata nuk duan pajtim, sepse pajtimi ua prish tregun. Nuk duan arsye, sepse arsyeja ua zbulon lakminë. Prandaj ky nuk asht shkrim i mjegullës morale, as i neutralitetit të kalbun, as i barazimit mes dorasit e të masakruemit. Ky asht nji refuzim i qartë i çmendisë. Nji thirrje me ndalë. Me ecë kah paqja, kah e drejta, kah interesat legjitime të secilit popull, pa ia shkelë fytin tjetrit. Kjo asht rruga e vetme e mençme. Krejt tjerat janë rrugë kah humnera. Gaza asht krim. Përshkallëzimi kundër Iranit asht rrezik. Nxitja e luftës, prej cilësdo qendër pushteti, asht marrëzi me pasoja globale. E historia nuk fal. Nuk fal ata që e mbushin botën me zjarr për me ushqye ambiciet e veta. Nuk fal ata që e shesin barbarinë si strategji. Nuk fal ata që thërrasin rend, ndërsa mbjellin vdekje. Ndaleni luftën. Ndaleni këtë çmendi të veshun me kostum shteti e me gjuhë diplomatike. Sepse kur të bjerë pluhni, nuk mbetet as lavdi, as fitore, por veç varre, turp dhe nji botë edhe ma e shkatërrueme se ma parë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply