Mes dhimbjes dhe pikëllimit të thellë, qindra shqiptarë në Rethimno të Kretës i dhanë lamtumirën e fundit Kastriot Matrizit,45 vjeçarit i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Rethimno. Atmosfera ishte e rënduar nga dhimbja, por njëkohësisht e mbushur me respekt dhe nderim për jetën e tij.
Arkivoli me trupin e pajetë u përcoll per në Atdhe,mes lotëve dhe heshtjes së dhimbshme nga bashkëatdhetarë që kishin ardhur nga shumë zona të Kretës. Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues dhe pjesëtarë të komuniteteve shqiptare nga Ierapetra, Qersoniso dhe qytete të tjera, duke treguar se në momente të tilla komuniteti bashkohet si një familje e madhe.
Më shumë se 40 makina formuan një kortezh të gjatë, duke shoqëruar arkivolin drejt sheshit të trageteve në Hanja. Rrugës, heshtja dhe respekti i pjesëmarrësve dëshmonin dhimbjen e madhe për humbjen e një jete të re.
Në Hanja, qindra të tjerë ishin mbledhur për ta pritur dhe për t’i bërë nderimet e fundit. Shqiptarë nga Hanja, Kastelo, Palio Hora dhe zona të tjera u bashkuan në këtë moment të rëndë, duke treguar solidaritet dhe dhimbje të përbashkët.
Kjo lamtumirë nuk ishte thjesht një përcjellje, por një dëshmi e fortë e lidhjes së komunitetit shqiptar në emigracion. Mes lotëve dhe kujtimeve, të gjithë u bashkuan për të nderuar jetën e Kastriotit dhe për t’i qëndruar pranë familjes së tij në këtë humbje të madhe.
Dhimbjet njerezore lehtësohen kur ndahen me miq e shokë. LAMTUMIRË KASTRIOT MATRIZI ! Udha e mbarë në rrugëtimin e gjatë të perjetesise …
Burimi/Facebook/Komuniteti Shqiptare Rethimno. Κοινότητα Αλβανών Ρεθύμνου


Leave a Reply