…Personaliteti i Tij tashma i kishte kalue kufijtë e qytetit. Edhe pse kishte shumë detyra që i merrnin mjaft kohë, ai vazhdonte me përkushtim të shkruej për ata probleme që ai i shihte të randësishme për kombin.
Përmes shkrimeve, fjalimeve e takimeve me njerëzit e thjeshtë të popullit, fama dhe besimi i qytetarëve tek ai u rrit, aq sa me 1919 gjindet i zgjedhun senator, detyrë që nuk e pranon. Simbas tij, nji bari shpirtnor, nji njeri i përkushtuem ndaj misionit fetar, nuk duhet të merret me politikë.
Kështu veproi edhe në qershor të vitit 1921, kur Klubi për të Drejtë Kombtare vendos emnin e Prennushit në listën për deputet. Mbasi u spjegon qendrimin e vet autoriteve të tij kishtare, ban edhe nji deklaratë me shkrim për popullin, ku e falënderon për besimin, por edhe spjegon shkaqet e mospranimit. Shpallja u vendos në disa lagje të qytetit dhe përfundon me këto fjalë: ‘U lutem pra gjith bashkatdhetarve mos me i shperndà zânet mbas meje, pse në ket shteg nuk due kurrsesi me vu kandidaturë për deputet.’ (Shkodër, 5 qershuer 1921)
Mendimin e tij për funksionimin e demokracisë dhe rolin e klerit në këte proçes, ai do ta konsolidonte ma vonë edhe si program. Me 26 gusht 1922, në nji mbledhje në Arqipeshkvinë e Shkodrës, At Viçenc Prennushi mbajti biseden ‘Ndër lamije të demokracisë së vertetë’. Prof. Dr Auerel Plasari, 80 vite më vonë do ta quente autorin e saj si ‘perkursor të mendimit përparimtar për krijimin e nji shteti demokratik në Shqipëri’. Pesëdhjetë meshtarë të ardhun nga të gjitha dioçezat e Shqipnisë, ‘të prekun nga fjala e tij, që lehtësiht u hyni në thellësi të zemrave, shfaqen dëshiren që biseda të botohej dhe dhanë për këte qellim secili ndihmen e vet.’
Prof. Plasari e cilëson ligjeraten e Prennushit si një ‘manifest të fillimit të depertimit në Shqiperi të ideve demokratike lidhur me organizimin shtetëror’. Asht fillimi i shtetit të ri shqiptar mbas Kongresit të Lushnjës. Manifesti ‘Ndër lamije të demokracís së vërtetë’ dëshmon se, ‘edhe pa i kapërcyer kufijtë strukturorë të misionit të tij, kleri katolik në atë kohë nuk mund t’u ikte përanash, formave dhe modaliteteve konkrete të jetës shoqërore-politike në Shqipëri’. Prof. Plasari shton se ‘Historikisht, po ta integrojmë në këte kontekst, fjalimi- manifest i Prennushit në lëvizjen demokratike të vendit, merr një kuptim shumë të rëndësishëm dhe vlera do të ishte më e madhe, shumë më e madhe, sikur të ishte dëgjuar më mirë dhe të ishte zbatuar më fort.’
Tue e njoftë mirë parimin demokratik ‘pesëdhjetë vota plus nji’, ‘pesëdhjetë vota minus nji’, të cilin e quante ‘gjysa me nji zâ mâ pak’ dhe ‘gjysa me nji zâ mâ teper’, Prennushi ngulmon që ky parim asht ai që duhet përdorë.
Ai e çmon demokracinë si nji nga format ma të përshtatëshme për qeverisjen e popullit e nuk pranon asgja përmbi vullnetin sovran të të tij.
‘Nëse se parlamenti, thot ai, kthehet në nji palshenik avokatësh, jurnalistash e profesionistash të papunë, atëherë, me nam. Mbasi populli asht ai që i zgjedh deputetët e këta e kanë në dorë fatin e popullit; por asht në dorë të popullit që të shkapullohet prej disa demagogësh, tuj lëshue fatin e vet në dorë të të tjerëve, që të jenë ma të zot.’
Fragmente të marruna nga libri “Nji jetë për fe e atdhe”
Burimi/facebook


Leave a Reply