Ka një kufi mes drejtësisë dhe demagogjisë.Sot ai kufi u shkel.
Deputetja e Shkodrës na paraqet si “fitore historike” faktin që shteti më në fund lëshon një certifikatë pronësie për Katedralen e Shkodrës. Dhe këtë e paraqet si korrigjim padrejtësie.
Por historia nuk fillon sot.
Historia është shumë më e rëndë.
🟨Katedralja e Shkodrës u ndërtua në vitin 1858 dhe u përfundua në vitin 1867, në kohën e Arqipeshkvit Imzot Pal Dodmassei, me ndihmën financiare të Perandorit Franz Joseph të Austrisë dhe me kontributin e madh të besimtarëve shkodranë.
🔆Pra kjo kishë ka mbi një shekull e gjysmë histori.
Aty janë lutur breza shqiptarësh.
Aty janë shuguruar meshtarë.
Aty ka predikuar shpresa dhe qëndresa e një populli.
♦️Pastaj erdhi komunizmi.
Në vitin 1967, gjatë fushatës së egër ateiste të regjimit të Enver Hoxhës, kjo katedrale u mbyll me dhunë, u përdhos dhe u kthye në Pallat Sporti.
Priftërinjtë u pushkatuan.
Kisha u poshtërua.
Feja u shpall armike.
Dhe sot, pas dekadash, bijtë politikë të atij sistemi dalin para kamerave dhe tundin një certifikatë hipotekore, sikur po i bëjnë nder historisë.
🔻Çfarë ironie e dhimbshme.
Katedralja nuk ka nevojë për tapinë e shtetit.
Ajo ka tapinë e historisë.
Ka gjakun e martirëve.
Ka lutjet e një populli.
🟣Prandaj është trishtim të shohësh një deputete të Shkodrës, një katolike që e njeh mirë historinë e kësaj kishe, të bëhet instrument propagande dhe të paraqesë si arritje atë që duhej të ishte detyrim minimal i shtetit.
Sepse një padrejtësi nuk korrigjohet me propagandë.
Ajo korrigjohet me përulësi.
Disa të vërteta që politika nuk i pranon
Ata që dje pushkatuan priftërinj, sot tundin letra pronësie.
Ata që shkatërruan kishat, sot bëjnë fotografi para altarit.
Ata që shpallën luftë kundër Zotit, sot bëjnë moral publik.
“Historia nuk fshihet me një certifikatë pronësie.”
“Kur shteti i jep tapinë Kishës, nuk po bën dhuratë, po pranon një faj.”
“Besimi nuk ka nevojë për hipotekë, por shteti ka nevojë për ndërgjegje.”
🔰Kisha Katolike në Shqipëri nuk është pronë e shtetit.
Ajo është pjesë e identitetit historik të këtij vendi.
Prandaj politika duhet të mësojë një gjë të thjeshtë:
Nuk i bën nder Kishës duke i kthyer atë që i ke grabitur.
➖Si duket kjo nga Brukseli?
Nga Brukseli kjo skenë duket e trishtë.
Një shtet që pas dekadash persekutimi fetar ende sillet sikur institucionet fetare janë pronë e tij, jo pjesë e historisë kombëtare.
Dhe është trishtim i madh që një Katedrale me histori europiane, ku janë kremtuar mesha që nga shekulli XIX dhe që ka qenë simbol i rezistencës shpirtërore të shqiptarëve, sot paraqitet si sukses administrativ i një hipoteke.
🔻Çfarë mjerimi politik.
Sepse një katedrale nuk është një parcelë toke.
Është kujtesë, martirizim dhe besim.
Dhe këto nuk i jep shteti me tapi.
I gjykon historia.
Dhe mbi historinë, gjithmonë qëndron një gjykatës më i madh.
Zoti.🙏
Albert Zadrima
Burimi/Facebook


Leave a Reply