Nga Laureta Petoshati
Në një aktivitet kushtuar grave në Vlorë, tre të ftuarat për të folur nuk ishin vlonjate. Në sallë kishte gra dhe vajza të këtij qyteti, por vetëm si spektatore. Harresë apo nënvlerësim?
Vlora nuk ka mungesë grash që kanë bërë histori. Përkundrazi. Që nga shekujt e hershëm e deri sot, ky qytet ka nxjerrë gra që kanë lënë gjurmë në histori, kulturë, shkencë, art dhe sport.
Historia na kujton Donika Kastriotin, bashkëshorten e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si dhe motrën e saj, Angjelina Arianiti, e njohur si Shenjtorja Angjeline.
Vlora ka dhënë edhe pionere të profesionit, si Erifili Bezhani, avokatja e parë shqiptare, dhe gra që luftuan për patriotizmin e tyre, si Sado Koshena, të cilat për sakrificat e tyre u internuan, u burgosën apo u pushkatuan nga fashizmi, nazizmi dhe komunizmi.
Në kulturë dhe letërsi janë studiuesja Nermin Vlora Falaschi; shkrimtaret Mira Meksi dhe Anilda Ibrahimi; poetet Maro Pasho, Alisa Velaj, Anila Toto, Albana Lulaj, Eva Gavani, Rudina Papajani, Alma Sinan Feruni, Vjollca Aliaj, Lela Qejvani , Zamira Agalliu, Fatbardha Amzaj si dhe krijueset Enrieta Sina dhe Vilhelme Vranari.
Në artin skenik dhe muzikë janë aktoret Drita Kripa, Liza Laska, Rozeta Skendaj; sopranoja Nina Muho dhe sopranoja Edit Mihali, pianistja Ardita Bufaj si dhe këngëtaret Kleopatra Skarço, Aurela Gaçe, Anita Bitri, Malvina Likaj, etj
Në shkencë dhe mendim shkëlqejnë emra si kozmologia Laura Mersini-Houghton dhe shkencëtarja e teknologjisë Mira Murati, pa harruar sipërmarrësen Refiela Shoraj, e njohur në Itali, si e angazhuar në biznes, modë dhe organizime rinore, madje ishte e ftuar në inaugurimin e mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Dhe nuk duhet harruar sporti, ku Vlora ka dhënë gra që kanë bërë krenar qytetin e tyre: basketbollistet e Flamurtarit Vlorë, përfshirë Pjereta Çika, Muina Kuqi, Ariana Birçe, Eleni Beli, Violeta Çala dhe Afërdita Laçaj, që për dekada ngritën emrin e Vlorës në piedestal dhe sollën trofe e krenari për qytetin pa harruar notaret si Elida Xhindi, Vasilika Beja, Pranvera Hasani, etj.
Këto gra, me punën dhe pasionin e tyre, tregojnë se Vlora nuk ka mungesë talentesh; mungesa është vetëm vëmendja për ato që kanë lindur dhe u rritën këtu.
Dua të theksoj se gjatë atij aktiviteti, unë ngrita zërin si gazetare për të përfaqësuar gratë e Vlorës. Një nga të ftuarat e kuptoi këtë në mënyrë të nënkuptuar si xhelozi. Por e vërteta është më e thellë: zëri im nuk ishte për mua, por për ato që nuk u ftuan, për historinë dhe krenarinë e këtij qyteti.
Filozofikisht, çdo njeri që ndërhyn për drejtësi nuk bën zhurmë për vete, por thjesht kthen ekuilibrin e humbur. Të ngresh zërin nuk është xhelozi, por një akt nderimi dhe përgjegjësie ndaj të nesërmes, ndaj grave që kanë lindur, kanë jetuar dhe kanë luftuar këtu. Kur zëri yt lind nga dashuria për vendin dhe nga respekti për të kaluarën, ai nuk është më i yti, por bëhet një zë kolektiv, që flet për të gjitha ato që kanë nevojë të dëgjohen.
Megjithatë, në një aktivitet për gratë e Vlorës, gratë e Vlorës nuk u ftuan të flasin.
Jemi në ditët e Ramazanit dhe populli ynë ka një shprehje të vjetër:
“Kur nuk ka në shtëpi, harram në xhami.”
Nëse nuk dimë të nderojmë gratë e këtij qyteti në shtëpinë e tyre, çdo ceremoni për gratë mbetet vetëm një dekor.
Vlora nuk ka mungesë grash të denja jashtë politikës.
Vlora ka mungesë vëmendjeje për to.
Dhe pyetja mbetet:
A kanë vdekur vallë nënat dhe vajzat e këtij qyteti të trimave, apo thjesht nuk duam t’i shohim?
Sepse Vlora nuk ka nevojë për gra të importuara për të folur për gratë.
Vlora ka gra që meritojnë podiumin në qytetin e tyre.
foto 1. Nga aktiviteti
foto 2. Sipërmarrësja Refiela Shoraj e ftuar në inaugurimin e mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.


Burimi/Facebook


Leave a Reply