Duke qenë fëmija i madh i babushit Hamezes dhe i nënës Feride, lidhja ime me motrat dhe vëllezërit ishte shumë e veçantë. Kjo lidhje u bë edhe më e fuqishme dhe më emocionale kur gjyshi Shaban, mixha Rifat, babushi dhe Komandanti kishin vendosur që secili prej tyre ta dërgonte nga një djalë te mixha Rifat në Gjermani. Malli për familjen ishte shumë i madh, sidomos për faktin se që nga viti 1991 Komandanti dhe babushi kishin vepruar në ilegalitet dhe familja ishte gjithmonë e rrezikuar, por e vendosur që të mos dorëzohej dhe të mos zbrazte kurrë shtëpinë.
Motra ime Blerina, siç tregonte nana dhe babushi, kur pyetej për emrin e saj, të gjithëve u thoshte: “Emri im është Bekim”, edhe pse në vitin 1998 ajo kishte vetëm 7 vjet. Kjo lidhje e fortë nuk ishte vetëm mes motrave dhe vëllezërve të mi, por edhe mes të gjithë fëmijëve të tre djemve të babës Shaban.
Pas tri ditëve të Epopesë, megjithë përpjekjet për të marrë informacion dhe telefonatat e shumta që bënim në telefonin e shtëpisë në Prekaz, më 8 mars kuptuam se në mesin e të rënëve kishte shpëtuar Besarta. Që nga ai moment, gjithçka që më kishte mbetur në këtë botë ishte Besarta, nëse edhe ajo do të arrinte të shpëtonte deri në fund të luftës.
Takimi me të për herë të parë pas gjithë asaj që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi pas çlirimit të Kosovës, më 26 qershor, kur bashkë me mixhën erdhëm në Kosovë. Kur u takuam në Prekaz, e kuptova se Besarta, përveç që kishte mbijetuar nuk kishte pësuar asnjë pasojë nga gjithë ajo luftë dhe tmerr që kishte përjetuar. Zoti ia kishte falur edhe mendjen, edhe shëndetin e plotë.
Besarta nuk njohu frikë në mesin e gjithë të rënëve, para çetnikëve serbë kur e pyesnin se kush ishte komandanti. Ajo nuk pranoi të tregojë. Të tillë ishin të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e familjes.
Besarta u rrit me shëndet dhe me dashurinë jo vetëm të familjes sonë, por të të gjithë Kosovës. Ajo u rrit me kujtimet e fundit të të rënëve të familjes, me krenarinë dhe me dëshminë se më e shtrenjtë është Liria se Jeta, ashtu siç thoshte heroi Fehmi Lladrovci.
Sot Besarta është simboli i gjallë i asaj beteje lavdie. Ajo është fytyra e buzëqeshur e të gjithë anëtarëve të rënë të familjes. Sa herë e shoh Besartën, më duket sikur shoh secilin anëtar të familjes së rënë, të lumtur për atë për të cilën ranë dhe për arritjen e lirisë së shenjtë të Kosovës.
Besarta nuk pranoi kurrë privilegje apo trajtim të veçantë. U rrit si çdo fëmijë tjetër, u shkollua dhe sot punon në shtetin e Kosovës. Ka krijuar familjen e saj dhe jeton çdo ditë me kujtimet e atyre tri ditëve, të cilat ende i ka të freskëta në mendje.
Besarta është gjithçka që më ka mbetur në këtë botë nga babushi. Në të jetojnë të gjitha motrat dhe vëllezërit e mi: Selvetja, Afetja, Besimi, Liria, Blerimi, Fatimja dhe Blerina, të cilës Besarta ishte munduar t’ia jepte ndihmën e parë, por për të kishin qenë momentet e fundit drejt flijimit.
Babushi, në kohën e demonstratave dhe të luftës së Tahir Mehës, duke e ndjerë vendosmërinë e popullit tonë për të mos u dorëzuar dhe për t’u mobilizuar për luftën për çlirim, fëmijës së pestë kishte vendosur t’ia linte emrin Lirie. Liria ra bashkë me të tjerët për lirinë që erdhi falë luftës dhe sakrificës, gjakut të derdhur për liri jo vetëm të heronjve tanë, por edhe të fëmijëve, ëndrrat e të cilëve u ndalën përgjithmonë që të jetonin të lirë fëmijët e tjerë dhe gjeneratat e ardhshme.
Zoti e bekoftë Kosovën, lirinë e shenjtë dhe historinë tonë të lavdishme.
Lavdi dëshmorëve e martirëve të Lirisë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply