Nga Rush Dragu
Kjo është një thënie që prej kohësh qarkullon në tavolinat dhe rrethet politike. Shpesh përdoret si një armë propagandistike, sidomos në momentet kur argumentet duket se janë në favor të militantëve të njërës palë politike. Atëherë kundërshtarët, për të mbjellë dyshimin dhe për të zbehur bindjen e tyre, nxjerrin menjëherë kartën e njohur: “Mbroni sa të doni Berishën, por ata të dy janë bashkë.”
Është një formulë e thjeshtë, por me efekt. Sidomos tek ata që lëkunden mes bindjeve politike apo tek qytetarët që tashmë janë bërë skeptikë ndaj politikës shqiptare. Propaganda funksionon pikërisht mbi këtë terren dyshimi.
Së fundmi, një episod në Parlament i dha kësaj thënieje një jehonë të re. Gjatë reagimit të saj, Elisa Spiropali deklaroi se personi i parë që i kishte thënë për largimin nga posti i ministres kishte qenë Sali Berisha. “Si është e mundur?”, pyeti ajo me ironi nga Parlamentit.
Në pamje të parë, fjala dukej e drejtuar ndaj Berishës. Por në thelb, mesazhi i saj godiste edhe brenda kampit socialist. Ishte një mënyrë për t’u thënë të vetëve se ajo që thotë Saliu shpesh përkon me atë që dëshiron Rama – dhe ndoshta edhe anasjelltas.
Një deklaratë e tillë lë të kuptohet se brenda Partisë Socialiste gjërat mund të mos jenë aq të qeta sa duken në sipërfaqe. Siç thotë populli, “kazani zien”. Dhe kur kazani zien, avulli del herë pas here në forma të papritura.
Në një klimë të tillë, thënia e vjetër politike rikthehet sërish në qarkullim: “He mo, se janë bashkë të dy.” Një frazë që përdoret për të çorientuar opinionin publik, për të dobësuar besimin e militantëve dhe për të krijuar mjegull në perceptimin e qytetarëve.
Por mbetet për t’u parë nëse kjo është thjesht propagandë e zakonshme politike, apo një shenjë e një loje më të ndërlikuar që zhvillohet pas skenës së politikës shqiptare.
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply