Anës dhe Adit, që besonin se udhët e dashurisë janë të pakufijshme
—–
Vetëm tani e ndjej e dashur se të dua akoma më shumë
tani kur papritur bota ka nisur të shembet mbi mua
bashkë me diellin dhe gjoksin që më djeg
bashkë me cicërimat e zogjve
dhe drithërimën e pemëve aty jashtë,
në errësirë, rreth meje,
tani ndriçojnë vetëm dy sytë e tu nga ku mund ta shoh ende botën,
ti ikona ime e dashurisë
me njëmijë karafilë të kuq
që të rrethojnë si shenjtorë të devotshëm,
karafilë gjaku e loti për ndarjen e nesërme,
vetëm tani e ndjej se të dua akoma më shumë
ti, ezmerja ime,
pinjolle e Sulamitës së Kantikës së Kantikave
plagët e mia frymojnë ende veç për ty
shenjtja ime e përjetshme
dhe në rrugën përtej,
në vendin e xixëllonjave të natës së gjatë,
do tu lutem që ato të vijnë tek ty
për të të kujtuar që ka dashuri që jetojnë dhe pas vdekjes,
vetëm tani qortoj veten
se s’ta kam thënë gjithë dashurinë time
Puthmë mes etheve që më kanë pushtuar
dhe mi njom buzët përsëri e dashur ,
vetëm tani që po shuhem
në vend të dritës shoh aureolën tënde të shenjtëruar
nga kjo dashuri e plagosur në vitet më të bukura,
hape portën, dritaret gjithashtu
të shoh kaltërsinë e atij qielli që këto kohë më ka munguar
dua sytë të ti prek në çastin e fundit të rrugëtimit
dua frymën tënde ta mbaj me vete për udhën e gjatë
të bëhem përsëri frymë,
të bëhem një lëndinë e gjelbërt që ti të lozësh me mua si dikur…
(Pas kaq vitesh Anën, të dashurën e Adit, që asaj i vdiq ndër duar në Milano, e takova në një rrugicë të Tiranës. Dhe ja ç’më tregoi: Kur Adi po vdiste më tha se “Vetem tani e ndjej që të dua akoma më shumë”)
Burimi/Facebook/


Leave a Reply