Endri nuk ishte as politikan, as biznesmen, as drejtues i ndonjë institucioni. Ai ishte një djalë i zakonshëm, me ëndrra të vogla dhe një familje që e priste në shtëpi.
Çdo mëngjes, për 400 mijë lekë të vjetra në muaj, ai zgjohej herët, vendoste xhaketën e thjeshtë, pasi nuk ka ëndrra për rroba firmato, dhe shkonte në zyrën e përmbarimit.
Puna e tij ishte e heshtur ai fotokopjonte letra, vinte dokumentet në radhë, ndihmonte të tjerët të bënin punën e tyre, pa kurrfarë pushteti apo përgjegjësie mbi vendimet e mëdha të autorizuara nga Genc Sejko.
Por një ditë, jeta e tij e zakonshme u rrëzua dhe u vështirsua. Ai mori ftesën që nuk e kishte pritur, ishte i pandehur. Akuza, mashtrim në lidhje me mikrokreditë . Një fjalë e madhe për një djalë që kurrë nuk kishte firmosur një kredi, nuk kishte vendosur politika, nuk kishte përfituar nga asgjë. Vetëm fotokopjonte.
Në sallën e gjyqit, Endri u ul me duart të ngrira nga ankthi. Pyetja ime ndaj gjykatës dbe prokurorit ishte e thjeshtë, Çfarë lidhje ka Endri me këtë skemë? Cili është roli i tij konkret? Pasi prokurori e kishte marrë të pandehur Endrin por nuk kishte shkruar asnje rrjesht në akuzë për rolin e tij.
Prokurori u ngrit, dhe heshtja mbushte sallën,nuk kam asgjë për të shtuar.Asnjë shpjegim. Asnjë fakt. Vetëm një djalë i pafajshëm përballë institucioneve më të fuqishme. Një djali me pagë 400 mijë lekë të vjetra në muaj, që shkon çdo ditë për të mbajtur kokën mbi ujë, i është vënë shenja e akuzës vetëm për statistikë.
Dhe pyetja e dytë që unë kërkova shpjegime ishte se pse nuk është guvernatori Genc Sejko i pandehur që ka autorizuar këto kompani dhe ka pasur detyë mbikqyrjen e tyre dhe është endri që bën fotokopje është i pandehur. Prokurori nuk foli fare. Gjyqtarja i tha prokuror ke shpjegime? JO tha prokurori.
Ndërkohë, ata që kanë pushtet real guvernatori, drejtuesit e sistemit financiar lëvizin të pashqetësuar. Limuzina, eskortat, protokollet. Përgjegjësitë që godasin mijëra qytetarë mbeten të paprekura.
Endri nuk kishte zgjedhur këtë luftë, nuk kishte asnjë mjet për ta përballuar. Ai nuk kërkonte mëshirë. Vetëm drejtësi. Të njëjtën drejtësi që prekte ata që vendosin dhe firmosin, jo ata që shtypin butonin e fotokopjes.
Drejtësia, ndonjëherë, nuk është spektakël. Nuk është shifra. Nuk është statistika. Është drita që duhet të ndriçojë të pafajshmin dhe të shohë përgjegjësinë aty ku lind vërtet. Kur dorën e hekurt e përdor ndaj një djali që bën fotokopje, por shmang pushtetin real, ajo nuk është drejtësi. Është padrejtësi e shpërfaqur.
Dhe ndërsa makina zyrtare lëviz nëpër rrugët e qytetit, Endri ecën ngadalë drejt gjykatës. Me duar të pafajshme. Me shpirt të shqetësuar. Me njollën e një akuze që nuk i takon. Dhe kjo është dhimbja e vërtetë e një sistemi që ka harruar se drejtësia nuk matet me forcë, por me zemër.


Leave a Reply