Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Mbiemri Daci është ndër mbiemrat më të përhapur në të gjitha trevat shqiptare. Ai haset që nga Lugina e Preshevës, Bujanovci, në fshatin Tërnoc i Madh (sot në Serbi), në Malësinë e Rozhajës me fshatin Dacaj (sot në Malin e Zi), në Kosovë, në Dibër të Madhe dhe në pjesë të tjera të sotme të Maqedonisë së Veriut, si dhe në Arras të Kukësit, Kalis të Kukësit, Sllovë të Dibrës, Muhërr, Fushë-Alie, Mustafë dhe Shupenzë të Dibrës. Po ashtu, mbiemri Daci gjendet edhe në Lac, Fushë – Krujë, Tepelenë, Gjirokastër, Ksamil e gjetkë.
Figura qendrore: Mahmut Daci i Kalisit
Ndër të gjitha këto vendbanime ku fisi Daci ka jetuar dhe vijon të jetojë, vëmendje të veçantë ka tërhequr Daci i Kalisit, i njohur edhe si Daci i Gjeneralit Madhështor Mahmut Daci, i lindur në vitin 1793, biri i Senë Dacit të Parë dhe nip i Bajram Ukës, ose Muratit të Kalisit. Mahmut Daci mbetet një figurë qendrore jo vetëm për fisin Daci, por për mbarë historinë kombëtare shqiptare.
Ai njihet si Gjenerali me dy varre: një në Kodrën e Sejmenit në Kalis të Kukësit dhe një në Turqi, ku u dërgua koka e tij pas vrasjes me tradhti, një fat tragjik që e ndan vetëm me udhëheqësin legjendar Ali Pashë Tepelenën. Këto dy figura nuk i bashkon vetëm fakti se janë dy shqiptarët e vetëm të cilëve u është dërguar koka në Stamboll, por edhe veprimtaria e tyre atdhetare deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare.
Fatkeqësisht, figura e Gjeneralit Mahmut Daci nuk ka marrë vëmendjen e merituar në historiografinë shqiptare, ndonëse ai luftoi për më shumë se 40 vjet dhe dispononte vazhdimisht një forcë ushtarake prej rreth 500 luftëtarësh në kohë paqeje dhe deri në 20 mijë ushtarë në kohë lufte (Shiko F. Daci). Për shekullin XVIII dhe për madhësinë e popullsisë shqiptare të asaj kohe, por edhe sipas standardeve moderne, kjo përfaqëson një ushtri jashtëzakonisht të madhe, të barasvlershme me një korpus të plotë ushtarak.
Mahmut Daci është dekoruar me titullin “Për veprimtari patriotike” në vitin 1962, në vitin 1978 me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit I, ndërsa në vitin 1984 është shpallur Dëshmor i Atdheut (Ibid Fatos Daci).
Vijimësia historike e fisit
Në gjurmët e tij ndoqi edhe nipi Sulejman Daci, i cili mori pjesë aktive në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit dhe të cilit, bashkë me 100 luftëtarë, iu besua siguria e Kuvendit më 10 qershor 1878. Në këtë kuvend pati rol të rëndësishëm edhe Said Daci nga Gryka e Vogël, Zogje.
Në fund të shekullit XIX shfaqet figura e Ramiz Dacit (1883), me origjinë nga Dibra e Madhe, drejtues i Kuvendit të Arrasit dhe ish-anëtar i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar gjatë periudhës 27 mars – 20 dhjetor 1929. Kuvendi i Arrasit formoi gjithashtu Qeverinë e Përkohshme më 13 gusht 1929.
Më tej, duhet theksuar roli kyç që fisi Daci i Mahmut Dacit luajti në luftërat heroike nëntëvjeçare kundër pushtuesit serb (1912–1921), veçanërisht në Betejën e Kolesianit, ku u bashkuan Cen Daci, pasardhës i Mahmut Dacit dhe patrioti i madh Elez Isufi. Në këto luftëra morën pjesë gjithashtu Ramiz Daci dhe Qamil Daci nga degë të tjera të fisit Daci, duke pasur një rol tejet të rëndësishëm.
Roli i Cen Dacit në Betejën e Kolesianit ishte vendimtar, pasi ai ishte i vetmi ushtarak shqiptar i diplomuar në Stamboll për artileri dhe drejtoi me sukses shkatërrimin e artilerisë serbe me një numër shumë të kufizuar topash. Nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre, por burime të ndryshme flasin për 6–10 topa, pjesa më e madhe e të cilëve ishin sjellë nga Elez Isufi. Ndjekja e forcave serbe vijoi deri në Grykën e Caralevës dhe në Qafën e Duhël.
Gjeneralit Mahmut Daci i janë kushtuar rreth 36 këngë epike, të përhapura në treva të ndryshme, veçanërisht në krahinën e Lumës, Ujë e Mujë, Kosovë e më gjerë.
Mbi debatet mbi origjinën e mbiemrit
E gjithë kjo histori e madhe ka nxitur vazhdimisht debate mbi origjinën e fisit Daci. Fatkeqësisht, këto debate shpesh kanë rënë në nivele të papranueshme logjikisht dhe shkencërisht, të bazuara në hamendësime profane të transmetuara në oda, sidomos në Kalis dhe Ujë e Mujë, duke tentuar të lidhin mbiemrin Daci me mbiemra të tjerë, si p.sh. Cena. Një tezë e tillë, sipas së cilës Daci do të kishte qenë më parë Cenë dhe më pas Daci, është krejtësisht e pabazuar dhe alogjike, pasi Daci është ndër fiset më të mëdha dhe më të shpërndara në të gjitha trojet shqiptare. Veçoria themelore e fisit Daci është se, ndryshe nga shumë mbiemra të tjerë, ai nuk ka pësuar asnjë ndryshim pas islamizimit të popullsisë dhe shfaqet i pandryshuar në defterët osmanë, shumë herë përpara se të shfaqej mbiemri Cena. Lidhja e përfolur e gjakut midis Dacit të Mahmut Dacit me Cenën ose nuk ekziston gjenetikisht, ose është e ngjashme në krahun e kundërt si ajo e Terziut me Dacin. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë, se nuk do të kishte kuptim, që Daci i kudondodhur dhe qartësisht i dallueshëm dhe dukshëm dominues në cdo aspekt, të ishte bërë Daci nga qenia më parrë Cenë. Realisht, kjo tezë është krejtësisht profane dhe pa asnjë mbështetje shkencore dhe madje as logjike. Po ashtu, tregimet nga gojdhënat e tjera mbi kuptimin e mbiemrit Daci të Dacit të Mahmut Dacit të Kalisit, janë krejtë profane dhe nuk meritojnë vëmendje në këtë shkrim.
Daci dhe Dakët: një ngjashmëri vetëm fonetike
Edhe pse Dakët përmenden nga Sami Frashëri si popull vëlla me Ilirët, fisi Daci ndër shqiptarë nuk ka asnjë lidhje etnike apo historike me Dakët apo me Dacin rumun. Ngjashmëria është thjesht fonetike dhe shqiptimi shqiptar dallon qartësisht nga format e huaja në gjuhën rumune apo gjuhë të tjera.
Përpjekjet për të shpjeguar kuptimin e këtij mbiemri nuk kanë prodhuar deri vonë përfundime të plota shkencore. Megjithatë, zhvillimi i gjenetikës dhe veçanërisht studimet e platformës “Rrënjët – Prejardhja Gjenetike e Shqiptarëve” https://rrenjet.com/e-ph2180/, kanë bërë të mundur një pasqyrim të qartë të prejardhjes së fisit Daci.
Dëshmia gjenetike (burimi https://rrenjet.com)
Sipas analizës së thelluar gjenetike të kryer mbi dy anëtarë të fisit Daci të Mahmut Dacit, linja atërore e këtij fisi rezulton E-V13 > Z5018 > S2979 > L241 > PH2180 > FT178289 > Y192194. Haplogrupi E-V13 përfaqëson haplogrupin më të shpeshtë ndër shqiptarët, si ndër toskë ashtu edhe ndër gegë. Ai lidhet me pasardhësit e parë që mbërritën në Europë rreth 7000–9000 vjet më parë, ndërsa përhapja e tij kryesore nisi gjatë Epokës së Bronzit, rreth 3000–4000 vjet më parë, me gjasë nga Ballkani verior-qendror ose Europa Qendrore, duke lëvizur gradualisht drejt jugut deri në periudhën e antikitetit.
Në materialin skeletor të lashtë, E-V13 është identifikuar me dendësi të lartë në territorin e sotëm të Bullgarisë dhe më rrallë në Kroaci dhe Maqedoni gjatë Epokës së Hekurit dhe Antikitetit, si dhe në mënyrë të theksuar në Dardani dhe Moezi gjatë periudhës romake. Këto gjetje, të kombinuara me shpërndarjen bashkëkohore të këtij haplogrupi, sugjerojnë se prania e tij në lashtësi, ndonëse me shtrirje të gjerë, ka qenë më e përqendruar në Ballkanin qendror dhe ka përfaqësuar me gjasë një linjë të rëndësishme të fiseve dardane, si edhe të atyre dako-trake dhe ilire në afërsi.
Në popullsinë shqiptare bashkëkohore, E-V13 gjendet në rreth 28–32% të meshkujve, përqindja më e lartë në nivel botëror. Ai haset gjithashtu ndër malazezët në rreth 20–25%, ku një pjesë e konsiderueshme përfaqëson fise me prejardhje shqiptare, ndërsa ndër grekë dhe bullgarë në rreth 15–20%, e më pas ndër maqedonë, serbë etj. Ky haplogrup gjendet shpesh edhe ndër arbëreshët dhe arvanitët.
Brenda shumë degëve të E-V13, rezultati i analizës gjenetike të fisit Daci të Mahmut Dacit i përket degës E-V13 > L241 > BY5617 > PH2180. Kjo degë përfshin vëllaznitë Bardhaj dhe Shipshan të Gashit, Thacin e Pukës, Kirin, Vajushin, Mavriqin, vëllazninë Ponari të Krasniqes, si dhe disa vëllazni të Berishës së Kuqe. Ajo përfaqëson një linjë tipike veriore, e cila pothuajse nuk gjendet në jug të Drinit, me përjashtim të fisit Thac në bregun jugor të tij, ndërsa është shumë e përhapur mbi Drin, veçanërisht në Malësi dhe në Drenicë.
Familja Jasharaj e Prekazit i takon gjithashtu kësaj linje, sikurse edhe Galica dhe Obria, të cilat në masë të madhe konsiderohen si pjesë e të njëjtit fis me Prekazin. Kësaj dege i përkasin edhe Bushatllinjtë dhe familjet sunduese të Shkodrës gjatë gjithë periudhës osmane. Distanca kohore ndërmjet këtyre linjave vlerësohet në rreth 1400–1600 vjet, ndërsa përhapja e sotshme mendohet të ketë nisur nga trevat më veriore shqiptare rreth 1500–1700 vjet më parë.
Brenda degës PH2180 ekzistojnë një numër i madh nëndegësh. Sipas rezultateve aktuale, me siguri të plotë, dega e Mahmut Dacit identifikohet si E-V13 > PH2180 > Y192194. Kjo nëndegë përfshin dy meshkuj të fisit Daci të Mahmut Dacit, një fis tjetër nga Ujmishti, si dhe një fis nga zona e Kaçanikut në Kosovë, të cilët, sipas traditës, mbahen me prejardhje nga zona e Lumës, fakt që mbështetet edhe nga rezultati gjenetik. Nën-grupi përkatës rezulton i përhapur pikërisht në zonën nga e cila vjen edhe fisi Daci.
Lidhja gjenetike ndërmjet fisit të Mahmut Dacit dhe dy familjeve të tjera Ujëmisht dhe Kosovë vlerësohet në rreth 800 vjet, çka nënkupton se ky trung mashkullor ka qenë i vendosur në të njëjtën zonë që në Mesjetën e mesme ose të vonë.
Për rrjedhojë, fisi Daci i Mahmut Dacit ka jetuar në zonën e Lumës dhe Ujë-Mujës për të paktën 800 vitet e fundit, duke krijuar një memorie historike që shkon përtej çdo tradite të përcjellë thjesht brez pas brezi. Në periudha më të hershme, ky fis mendohet të ketë pasur prejardhjen nga Dardania veriore, në afërsi të Nishit të sotëm ose të Moezisë dhe të jetë një nga fiset kryesore Dardane, të Dardanisë antike.
Linja e prejardhjes gjenetike E-PH2180 përbën një nga nëndegët kryesore të haplogrupit E-V13 ndër shqiptarë, me rreth 4% të të gjitha linjave atërore. Ndërkohë, që së fundmi, një analizë tjetër gjenetike ka treguar se edhe fisi Terziu i Kalisit është rreth 250 vjet larg fisit Daci, çka nënkupton se, në thelb, ai i përket të njëjtës linjë atërore të Mahmut Dacit dhe se para rreth 250 vjetësh kanë pasur një paraardhës të përbashkët.
Në përfundim, analiza gjenetike, e cila nuk lejon gabime interpretuese të natyrës së historiografisë tradicionale, vërteton se fisi Daci bën pjesë në një nga tre linjat mashkullore kryesore të shqiptarëve, ndërsa nëndega ku ai përfshihet përbën rreth 4% të të gjitha linjave atërore shqiptare. E kombinuar me shpërndarjen gjeografike aktuale të fiseve Daci në trojet shqiptare, kjo analizë dëshmon qartë se bëhet fjalë për të njëjtin fis me të njëjtën origjinë atërore, i cili fillimisht ka jetuar në Dardani, si pjesë e fiseve kryesore dardane dhe është përhapur gradualisht nga Dardania verilindore drejt Malësisë së Rozhajës, deri në Gjirokastër dhe Ksamil, me një përqendrim historik të dallueshëm edhe në Tepelenë.
Sipas traditës së trashëguar dhe analizave logjike, dega e Dacit në Dibrën e Madhe dhe në pjesë të tjera të sotme të Maqedonisë së Veriut i përket po kësaj linje të Mahmut Dacit, fakt që mbështetet edhe nga trashëgimia e të njëjtëve emra karakteristikë, si Mehdi, Sule, Cenë etj. Në fakt, mendohet se Mehdi Daci i parë, biri i Mahmut Dacit, krahas djemve të tjerë Ibrahim, Haziz, Senë dhe Murat, si dhe vajzës së vetme Nure, është shpërngulur drejt trevave të sotme të Maqedonisë së Veriut, duke trashëguar dhe ruajtur të gjithë emrat e fisit të Mahmut Dacit të Kalisit.
Në përmbyllje, mund të thuhet se mbiemri Daci i përket të njëjtit grup gjenetik dhe ndan të njëjtën prejardhje fisnore, me një largësi kohore që, edhe nga ekstremi në ekstrem, nuk i kalon 700 – 800 vjet, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e degëve Daci ndodhet brenda një largësie jo më të madhe se 250 vjet. Veçanërisht degët e fisit Daci të Kukësit dhe të Dibrës, të lidhura me trungun e Mahmut Dacit, nuk duhet të jenë më larg se 6–8 breza, ose rreth 150–200 vjet.
Kuptimi i mbiermit Daci nga këndvështrimi fonetik dhe historik
Sa i përket kuptimit të mbiemrit Daci, vështrimi fonetik dhe historik lejon që ai të shpjegohet ose si formë antroponimike a patronimike, ose si emërtim që pasqyron një cilësi karakteristike të bartësve të tij. Duhet theksruar se në optikën romake të shekullit VI të Erës Sonë, termi Daci përdorej për të shenjuar luftëtarë të guximshëm, të egër dhe të frikshëm. Ky kuptim gjen një përputhje domethënëse me vijimësinë historike, gjenetike dhe epike të fisit Daci, si edhe me ruajtjen e pandërprerë të këtij mbiemri deri në ditët tona dhe ndoshta mund të shpjegojë edhe kuptimin e këtij mbiemri.
Përfundime
Analiza e kombinuar historike, historiografike dhe gjenetike e fisit Daci lejon të arrihen përfundime të qarta dhe të qëndrueshme shkencërisht mbi prejardhjen, vazhdimësinë dhe rolin e këtij fisi në historinë shqiptare. Të dhënat e paraqitura dëshmojnë se mbiemri Daci nuk përfaqëson një ndërtim të vonë, as një emërtim lokal të fragmentuar, por një trung fisnor të konsoliduar, me vijë atërore të përbashkët dhe me një shtrirje të gjerë territoriale që përfshin pothuajse të gjitha trevat shqiptare.
Rezultatet e analizës gjenetike Y-DNA, të përputhura me shpërndarjen historike dhe traditën e trashëguar gojore, vërtetojnë se fiset që mbajnë mbiemrin Daci i përkasin të njëjtës linjë mashkullore, me një largësi kohore të përbashkët që, edhe në skajet më të largëta të saj, nuk i kalon rreth 700–800 vjet, ndërsa për një pjesë të konsiderueshme të degëve kjo lidhje është shumë më e afërt. Ky fakt rrëzon përfundimisht interpretimet joshkencore që synojnë ta paraqesin fisin Daci si një bashkim artificial ose si produkt të ndarjeve të vona lokale. Në fakt, shumë degë ndodhen vetëm 150–250 vjet larg njëra-tjetrës. Veçanërisht degët e Kukësit dhe të Dibrës, në raport me ato të fisit të Mahmut Dacit, nuk duhet të jenë më shumë se 6–8 breza larg njëra-tjetrës.
Daci nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një personifikim i një historie të lavdishme të një dege të Dardanisë antike, me shpërndarje dhe qëndrueshmëri disa mijëravjeçare, e cila përbën rreth 4% të të gjitha linjave atërore shqiptare. Mbiemri Daci, përveçse personifikim i një trashëgimie historike dhe gjenetike, është edhe shprehje e tiparit dallues të këtij fisi, si një fis legjendar, simbol i luftëtarëve të guximshëm dhe të frikshëm. Ky kuptim duhet të jetë kristalizuar gjatë periudhës së pushtimit romak, ndërmjet shekujve V–VI të erës sonë, si pasojë e rezistencës së pashoqe që Dardania dhe ky fis i bënë këtij pushtimi. Kjo duhet të jetë logjikisht kur edhe ky mbiemër të jetë formuar në trajtën e trashëguar deri më sot “Daci”, por pas asnjë lidhje gjenetike me Dacin e Dakëve apo Romunët e sotëm. Një gjë e tillë shpjegohet edhe nga vijimësia e ruajtjes me fanatizëm të mbiemrit “Daci”, edhe pas pushtimit osman e deri në ditët e sotme, pavarësisht procesit të islamizimit të fisit Daci.
Ky shkrim është pronë intelektuale e Gazeta Dibra/Jordan F Daci. Çdo riprodhim, shpërndarje apo përdorim i pjesshëm apo i plotë lejohet vetëm me citimin e burimit: Gazeta Dibra



Burimi/Facebook/Gazeta “Dibra”


Leave a Reply