Nëse malet do të kishin gojë, do të rrëfenin histori që mendja jonë nuk ka guxim t’i përfytyrojë. Por malet flasin vetëm me heshtje, me një heshtje të rëndë që vjen qysh prej miliona vitesh.
Dëbora, akulli, mjegulla dhe retë që pushtojnë kreshtat e tyre nuk mbulojnë vetëm gurët, por edhe gjurmët e së shkuarës. Aty, mes shkrepave, qafave dhe honeve të thikta, ngjarjet ngurtësohen e mbyllen brenda një arkivi që nuk hapet kurrë. Ajo që mbetet nga një gojëdhënë shndërrohet në legjendë dhe legjenda, e përcjellë brez pas brezi, lëmohet aq shumë sa ruan mesazhin, por humbet detajet.
Rreth një shekull më parë, në zemër të malësisë shqiptare ndodhi një ngjarje e padëgjuar më parë, një ngarje që trondi të vdekur e të gjallë. Kjo ngjarje që ende jeton mes së vërtetës së jetuar dhe legjendës, ndodhi diku në malësitë tona me jetën e Marës, një vajze që ende nuk i kishte mbushur të tetëmbëdhjetë vitet.
Në ato mote, Kanuni nuk ishte thjesht ligj, por frymë që sundonte mendjen dhe rregullonte marrëdhëniet mes njerëzve. Ishte koha kur nderi vlente më shumë se jeta, kur besa mbahej edhe përballë vdekjes dhe kur fjala e dhënë ishte betim i shenjtë. Ishte një botë e ashpër dhe e drejtë njëkohësisht, ku njeriu jetonte i bindur ndaj zakonit, por i drejtë në shpirt, duke ecur me dinjitet në një udhë që nuk zgjidhej, por pranohej.
Mara, me bukurinë e një shtojzovalle, u rrit në një kullë tipike malësie, aty ku jeta të mësonte të duroje para se të ëndërroje. Ajo fliste pak dhe dëgjonte shumë, sepse çikat e malësisë rriteshin me bindjen se fjala matet, dhimbja durohet në heshtje dhe fuqia e vërtetë shfaqet pa zë. Mara kurrë nuk kishte pasur rast të largohej nga fshati i saj i lindjes. Ajo nuk njihte botë tjetër përveç oborrit, kishës, bjeshkës dhe shtegut që zbriste drejt përroit, ku shkonte për të larë rrobat e marrë ujë.
Në ato mote fejesa nuk ishte çështje zemre, por një lidhje e rëndë gjaku mes dy familjeve. Fati i një çike vendosej nga të tjerët, pa i kërkuar mendim dhe as miratim. Fjala e dhënë mes dy familjeve vlente më shumë se çdo gjuhë e shpirtit.
Prishja e një fejesë barazohej me shkeljen e besës dhe linte njollë të pashlyeshme mbi nderin e shtëpisë, një njollë që trashëgohej si plagë. Kanuni nuk njihte kthim pas: nusja, që në çastin e fjalës së dhënë, i përkiste mikut. Edhe kur zemra nuk pranonte, zakoni urdhëronte durim, heshtje dhe nënshtrim. Kështu fjala e dhënë kthej në ligj dhe ligji nuk njihte mëshirë.
Marën e kishin fejuar në një katund të largët, përtej maleve që ajo nuk i kishte shkelur kurrë. Për të mbërritur deri atje duhej të kaloje shtigje të thepisura, qafa malesh e lugina të ngushtë përrenjsh të rrëmbyeshëm. Imagjinata e brishtë e Marë nuk arrinte të përfytyronte as katundin ku do të shkonte, as kullën ku do të mbyllej jeta e saj e re, as fytyrën e djalit me të cilin do të ndante fatin. Nuk njihte as njerëzit që do ta prisnin si nuse, as zërat, dhe as sytë që do ta vëzhgonin. Përpara saj hapej një botë e e panjohur, ku tashmë çdo gjë ishte vendosur për të, por pa të.
Ndërsa dita e dasmës afrohej, trazimi brenda Marës bëhej gjithnjë e më i fortë. Sytë i ishin kthyer në një burim lotësh; jastëku ku mbështeste kokën njomej çdo natë nga të qarat që nuk pushonin. Ishte aq e tronditur, sa filloi të mos hante më dhe trupi i saj u dobësua dita-ditës. Me kalimin e kohës, kjo gjendje vetëm sa rëndohej, si një sëmundje që nuk kishte mjekim.
Dhe ja, dita e madhe e dasmës mbërriti. Krushqit e largët kishin ardhur për të marrë nusen. Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë, ndaj përgatitjet për nxjerrjen e saj duhej të përshpejtoheshin. Oborri gumëzhinte nga zërat e gëzuar, njerëzit qeshnin dhe uronin, ndërsa Mara ishte gjithnjë e më e sëmurë dhe e zbrazët. Mes gjithë asaj hareje të shtirur, vetëm një zemër e lexonte dhimbjen e saj pa fjalë: nëna.
E gjithë familja e vajzës e kuptoi se Mara nuk ishte mirë dhe u përpoq t’u lutej krushqve që ta shtynin dasmën, derisa ajo të merrte veten. Por përgjigjja ishte e prerë: është e papranueshme. Fjala ishte dhënë dhe nuk mund të kthehej pas. Zakoni fliste më fort se dhimbja, dhe asnjë lutje nuk kishte fuqi përballë tij. Që nga ai çast, Mara nuk i përkiste më familjes që e kishte lindur dhe rritur, por asaj ku do të shkonte për të ndërtuar një jetë të re.
I ndodhur përballë një prove të rëndë, babai i Marës duhej të merrte një vendim që do ta ndiqte gjithë jetën: të shkelte zakonin ishte e pamundur. Ai nuk mund të pranonte turpin që do të binte mbi shtëpinë e tij. Përballë këmbënguljes së krushqve, ai uli kokën dhe tha fjalën që nuk kthehej më pas: mikut nuk ia ndal askush nusen.
Dhe kështu, Mara, me duvakun mbi kokë, e hipën mbi kalë. Lotët e saj ishin tharë. Dhimbja kishte shteruar në heshtje. Ajo shikonte vetëm përpara, me një vështrim të zbrazët, sikur e dinte se rruga që e priste nuk kishte kthim.
Ndërsa karvani i dasmorëve ecte përgjatë shpateve të thepisura të maleve, shëndeti i Marës po shuhej hap pas hapi. Trupi nuk i bindej më, fryma i bëhej gjithnjë e më e rëndë dhe sytë i mjegulloheshin si të mbuluar nga një natë e parakohshme. Megjithatë, me forcën e fundit, ajo iu drejtua krushkut të parë, duke i kërkuar të ndalnin pak karvanin. Përgjigjja ishte se duhej duruar edhe pak, sepse katundi ishte afër.
E vetmja gjë që bëri krushku i parë, i lagu pak ballin me ujin e ftohtë të një burimi aty pranë, si një përpjekje për ta mbajtur gjallë. Por rruga vazhdoi. Dhe teksa po kalonin mbi një zallishte të thatë përroi, Mara dha shpirt në heshtje, pa britmë, pa vaj, si një qiri që shuhet pa zhurmë.
Që nga ai çast, ajo nuk i përkiste më kësaj bote. Ishte larg maleve, larg zakonit të egër, larg fjalëve që kishin vendosur për fatin e saj. Ndoshta kishte hyrë në një botë tjetër, më të drejtë e më të mëshirshme, atje ku askush nuk martohet me dhimbje dhe askush nuk vdes për të nderuar një zakon.
Krushqit e kuptuan dhe heshtën. Askush nuk bërtiti, askush nuk guxoi të fliste; rruga vazhdoi në një qetësi të frikshme. Një nuse e vdekur mbi kalë ecte orë të tëra, e mbajtur drejt vetëm nga zakoni dhe frika për ta thyer atë. Kali çapitej ngadalë, ndërsa mbi shpinën e tij udhëtonte një trup i ftohtë, nën duvak, sikur jeta të ishte harruar rrugës.
Kur u afruan te kulla ku duhej të bëhej dasma e djalit, një grua e moshuar doli e para përpara kalit. Ajo i hodhi sytë nuses, e kuptoi menjëherë dhe tha fjalën që askush nuk do të kishte dashur t’a dëgjonte: Ndalni këngët dhe filloni vajin! Dhe në atë çast, dasma u shua. Gëzimi u kthye në mort dhe kënga në vaj.
Marën e varrosën pranë kishës, larg shtëpisë ku kishte lindur dhe rritur. Thuhet se atë natë era nuk pushoi së fryri, sikur malet vetë po vajtonin. Edhe zalli ku ajo dha shpirt nuk është më i njëjtë; aty toka mban ende kujtesën e asaj dite të zezë.
Vitet rrodhën dhe emri i Marës, pak nga pak, mori trajtën e një legjende. Sot, thuhet se në ato anë, kur përmendet kjo ngjarje, burrat ulin sytë dhe gratë heshtin. Sepse kishte ndodhur ajo që nuk duhet të ndodhë kurrë: një nuse të vdesë ditën e dasmës së saj. Dhe që prej asaj kohe, njerëzit thonë me zë të ulët: Ka gjëra që nuk i mban as mali dhe as kanuni.
Burimi/Facebook


Leave a Reply