Nga Kavaja lindi atdhetari i besës,
me emrin Aqif simboli i qëndresës,
Akademi në Itali,dije dhe nder,
Përmbi kapele s’pranoi yll të huaj,asnjëherë.
“Jam shqiptar,” thoshte, -“dhe kështu do rri,
as Serb, as Rus, veç gjakun tim e jap për Shqipëri”.
Atdheu ishte i pari,frikën nuk e njihte,
në ballë të luftës,gjithmonë i pari printe.
Luftoi mbi pushtues,Shqipërinë e kishte në shpirt,
ai ishte atdhetarë,ashtu ishte rrit.
Hyri komunizmi,kudo burgje e plagë,
gjaku rrjedh birucave,vetëtimat qiellit marin flakë.
E arrestuan e tërhoqën zvarrë, pranga e torturë,
në birucat e Gjirokastrës qëndroi i fortë dhe burrë.
Para gjyqit të rremë,përballë shtetit diktatorial,
akuzave të sajuara dijti ti bëj ballë.
Dënimi me vdekje i ra si tërmet,
Shteti diktatorë të dënon dhe të vret.
Para pushkatimit,në Gjirokastër, pranë lumit,
Trimi i Kavajës shprehu fjalën e fundit.
Unë jam shqiptar, nuk jam tradhtar!” –Ti je tradhtar!Unë jam shqiptar dhe do vdes shqiptar.
Më lidhët duart,por jo fjalën time,
Se e vërteta s’vdes me plumba e krime.
Do vdes shqiptar ,mos më quani tradhtar,
Se Shqipërinë se shita kurrë,as për frikë, as për pushtet,as për ar.
Një herë vdes njeriu,këtë e di mirë,
por turpi jeton përjetë mbi ato që vrasin lirinë.
Do vdes shqiptar,mos më quani tradhtar,
se atdheun tim se tradhëtova kurrë as sot,as më parë .
Do të vdes shqiptar,kështu siç kam jetuar,
me bes e me nder,asnjëherë i nënshtruar.
Do vdes shqiptarë këto fjalë mos i harroni,
Ju jeni armiq,atdhetarët me vdekje i dënoni.
Breshëria e plumbave në kraharorë i ra,
Por fjala e tij asnjëherë su vra.
Duart ia lidhën, por shpirtin s’ia morën dot,
se trimi vdes si burrat, me emër, me zot.
Gjak atdhetari pa faj pushkatuar,
nga djajt e kuq,nga bishat e mallkuar,
Familjarët me lot tokën e lajnë,
Kërkonin një varr,nuk dijnë ku ta qajnë.
Dy letra la në burg, dëshmi e një shprese,
që e vërteta një ditë,mos jetë plur harrese.
Varri i mungon,por vepra s’u tret,
Se Aqif Haveriku jeton në kujtesë në atdheun e vet.
Sot familja Haveriku kërkon eshtrat e atdhetarit,
Por nga skutat dolën,po bijtë e djallit.
Ndërruan kostumet,u bënë demokratë,
dje i shërbyen djallit,sot babës lugat.
Dhe Kavaja e mban si plagë e si dritë,
një djalë që s’u përkul, as para pushkës, as para frikës, as para ligësisë.
Se pranoi krimin,luftoj për lirinë,
Të lirë e të pavarur e deshti Shqipërinë.
Gresilda Rrugeja 04.02.2026.
Aqif Ahmet Haveriku
Aqif Ahmet Haveriku, i biri i Ahmetit dhe Sanijes, lindi në Kavajë në vitin 1910. Akademinë Ushtarake e kreu në Itali. Meqenëse ishte nacionalist i bindur, nuk pranoi të vinte yllin e kuq në kapele, duke thënë:
“Jam shqiptar,” – thoshte – “e jo serb e rus.”
Ai dezertoi gjatë Luftës Italo-Greke dhe, bashkë me rreth 700 burra, u nis nga Korça për në Pezë. Pas tre ditësh marshimi të vështirë, në Pezë mbërritën vetëm 200 burra. Ishte tetori i vitit 1940, kur kapiteni Aqif Haveriku, koloneli Spiro Moisiu dhe disa nacionalistë të tjerë formuan Batalionin e Rezistencës Nacionaliste. Spiro Moisiu u zgjodh komandant i batalionit, ndërsa kapiteni Aqif Haveriku u emërua shef i stërvitjes.Shqipëria u çlirua në nëntorë të dyzet e katrës.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, kapiteni Aqif Haveriku, bashkë me disa persona të tjerë, dy prej të cilëve ishin priftërinj u arrestuan në vitin 1946, me akuzën famëkeqe “armiq të popullit”. Aqif Ahmet Haveriku u arrestua më 24.04.1946 dhe u akuzua si fajtor, si organizator kryesor i një organizate. Ai cilësohej si “element antipushtet”, i lidhur me UNRRA-n dhe me anglo-amerikanët.
Gjatë hetuesisë përjetoi tortura nga më çnjerëzoret. I ndaluar për një vit në burgun e Gjirokastrës, komanda e burgut e dërgoi të jepte mësim për armatimin në repartet ushtarake të Gjirokastrës dhe të Korçës, duke shfrytëzuar dijen e tij ushtarake.
Në sallën e gjyqit, Aqifi iu drejtua personave të tjerë të akuzuar si ai, duke thënë:
“Ne nuk njihemi me njëri-tjetrin. Të prezantohemi: unë quhem Aqif Haveriku.”
Dëshmitarët shpifën, duke deklaruar fjalë të sajuara. Procesi ishte tërësisht fals dhe i manipuluar. Vendimi i gjykatës shprehej kështu:
“Aqif Ahmet Haveriku nga Kavaja, banues në Gjirokastër, dënohet me pushkatim si armik i popullit, që kërkoi të përmbyste me forcë pushtetin popullor.”
Me pushkatim u dënua edhe Hazbi Refat Puto, i lindur dhe banues në Gjirokastër, i arrestuar më 22.04.1946. Përveç tyre u gjykuan edhe persona të tjerë, ndërmjet tyre edhe dy priftërinj.
Pas disa ditësh, në shtëpinë e familjes Haveriku në Kavajë mbërriti një letër nga Gjykata e Lartë. Në letër shkruhej:
“Aqif Ahmet Haverikut i falet jeta.”
Në familjen Haveriku shpërtheu një gëzim i madh. Vëllai i Aqifit, Qemali, një vit më i vogël se ai, u nis menjëherë për në Gjirokastër me shpresën dhe gëzimin për të marrë vëllain nga burgu. Në repartin e burgut të Gjirokastrës, Qemalin e priti drejtori i burgut.
— Kam ardhur të marr vëllain, Aqifin, i tha ai.
Drejtorit të burgut nuk ia mbajti shpirti t’i tregonte të vërtetën dhe e dërgoi në një zyrë tjetër. Aty ndodhej nëndrejtori i burgut, i cili, me një urrejtje të madhe, i tha:
“Merri rrobat, se mbrëmë e pushkatuam armikun e popullit.”
Qemali shtangu. Mori rrobat e gjakosura dhe u largua. Ai shkoi te një përrua dhe filloi të qante me dënesë, duke qëndruar aty deri në orë të vona. Një kalimtar e pa dhe iu afrua, duke e pyetur se nga ishte dhe çfarë i kishte ndodhur. Qemali i tregoi për vëllain që ia kishin pushkatuar një ditë më parë. Kalimtari ishte hoxha i fshatit. Ai e ngushëlloi Qemalin dhe i tha:
“N’daç ta vrasin, n’daç ta presin, asnjeri gabim nuk vdes.”
Hoxha e mori Qemalin dhe e çoi në shtëpinë e vajzës së tij. Të nesërmen në mëngjes, dhëndri i hoxhës e përcolli Qemalin.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, që i fali jetën Aqifit, u rrëzua, pasi tre dëshmitarë nga Kavaja shpifën përsëri kundër tij. Dënimi i falur u kthye sërish në dënim me vdekje.
Ekzekutimi i Aqif Ahmet Haverikut dhe i Hazbi Refat Putos u krye më 11.06.1947, në orën 22:40, në varrezat e Gjirokastrës, pranë lumit. Pjesëmarrës në ekzekutim ishin: prokurori Vangjel Koçani, i deleguari i Seksionit të Sigurimit Andrea Miçi, sekretari Bektash Kote dhe mjeku Reshat Kapshtica. Fillimisht u vra Aqifi, në sy të Hazbiut. Pas pesë minutash u vra edhe Hazbiu.
Fjalët e tyre të fundit ishin:
Aqif Haveriku:
“Eh, more prokuror! Erdhe?! Mirë bëre. Unë jam shqiptar, nuk jam tradhtar. Unë jam shqiptar dhe do vdes shqiptar. Nuk pranoj të huaj në vendin tim. Një herë kam për të vdekur. Mirë bëtë. Thuaji Bedri Spahiut që aprovoi mendimin tuaj se s’kam gjë për të thënë, por vetëm se sipër në burg kam lënë dy letra. Ia jepni Bedri Spahiut. Hajdeni, mirë bëtë. Tjetër gjë s’kam për të thënë, veçse më zgjidhni duart.”
Hazbi Puto:
“Fëmijët… ah, fëmijët! Aman, fëmijët. Tjetër gjë s’kam ç’të them. Aman, mor! Pse më vrisni?”
Rreth viteve 1993–1994, familja Haveriku u nis drejt Gjirokastrës me shpresën për të gjetur eshtrat e Aqif Haverikut. Sipas informacioneve që kishin marrë, thuhej se ishte varrosur pranë lumit. Te lumi i dërgoi burri i tezes, Çezar Malile, i cili ishte nga Gjirokastra. Vëllezërit Haveriku kishin ardhur me dy makina dhe gërmuan gjatë gjithë ditës, por nuk i gjetën eshtrat.
Në orët e vona, kryetari i të përndjekurve politikë të rrethit të Gjirokastrës u tha:
“Largohuni, pasi kemi njoftim se do t’ju gjuajnë me snajper.”
Të lodhur nga puna dhe të mërzitur nga politika që vazhdonte të kërcënonte edhe në atë kohë, kur duhej t’i ndihmonte, familja Haveriku u largua e zhgënjyer.
Në marrjen e informacionit ndihmuan: Kastriot Dervishi dhe Nexhmi Haveriku.
Punoi: Gresilda Rrugeja dhe Rexhep Rrugeja.
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Poezia dhe shkrimi është pronë e autorit. Ndalohet kopjimi, shpërndarja apo përdorimi pa lejen e autorit.
Aqif Haveriku
AA
Informacione Personale
Emër/Mbiemër: Aqif Haveriku
Vendlindja: Kavajë
Vendbanimi: Kavajë
Datëlindja: 1910
Gjyqi
Akuza: «Armik i popullit, tentative per permbysje te pushtetiit popullor»
Ekzekutimi
Data Ekzekutimit: 1947
Ushtrak. Lindi në Kavajë, më 1910. Akademinë Ushtarake e kreu në Itali. Meqenëse ishte nacionalist dhe atdhetar i vendosur, nuk pranoi të vinte yllin e kuq në kasketë: «Jam shqiptar, – thoshte, – e jo Serb e Rus». Në vitet 1944-‘46 ra në kontakt me Organizatën Nacionaliste Fronti i Rezistencës, drejtuar nga Hamdi Frashëri. Shumica e veprimtarëve të Frontit të Rezistencës u arrestuan në vitin 1946 nga Sigurimi i Shtetit dhe, ose u pushkatuan, ose u burgosën. Këtë fat tragjik pati edhe Aqif Averiku, që u arrestua. Në burgun e Tiranës provoi tortura nga më çnjerëzoret. U dënua me pushkatim si «armik i popullit, që kërkoi të përmbyste me forcë pushtetin popullor», dhe u ekzekutua më 1947.
Nga Kastriot Dervishi
Hazbi Refat Puto, lindur më 1899 në Gjirokastër, banues po këtu, tregtar, me arsim kurs 3 vjeçar në SHBA, arrestuar më 22.4.1946 dhe kapiten Aqif Mehmet Haveriku, lindur në Kavajë në vitin 1910, banues në Gjirokastër, arrestuar më 24.4.1946, bëheshin fajtorë se ishin kryesorët e një organizate. Cilësoheshin “elementë antipushtet” të lidhur me UNRRA-n dhe anglo-amerikanët. Përveç tyre u gjykuan edhe të tjerë. Një proces tërësisht fals dhe i manipuluar. Të dy u dënuan me vdekje, pushkatim.
Ekzekutimi me vdekje u bë më 11.6.1947, ora 22.40 në varrezat e Gjirokastrës, pranë lumit. Pjesëmarrës ishin prokurori Vangjel Kocani, i deleguari i Seksionit të Sigurimit Andrea Miçi, sekretari Bektash Kote dhe mjeku Reshat Kapshtica. Fillimisht u vra Aqifi në sy të Hazbiut. Pas 5 minutash u vra Hazbiu. Në fjalët e fundit ata thanë:
-Hazbi Puto: “Fëmijët, ah fëmijët! Aman fëmijët. Tjetër gjë s’kam ç’të them. Amani mor! Pse më vrisni?”
-Aqif Haveriku: “Eh mor prokuror! Erdhe?! Mirë bëre. Unë jam shqiptar, nuk jam tradhtar. Ti je tradhtar! Unë jam shqiptar dhe do vdes shqiptar. Nuk pranoj të huaj në vendin tim. Një herë kam për të vdekur. Mirë bëtë. Thuaj Bedri Spahiut që aprovoi mendimin tuaj, se s’kam gjë për të thënë, por vetëm sipër në burg, kam lënë dy letra. Ia jepni Bedri Spahiut. Hajdeni, mirë bëtë. Tjetër gjë s’kam për të thënë, veçse më zgjidhni duart”.
Burimi/Facebook/Rexhep Rrugeja


Leave a Reply