
Përg Mimoza Stakaj
I nderuar Z. Kryeministër Edi Rama,
Po ju shkruaj me zemër të thyer dhe me shumë dhimbje, sepse ajo që po ndodh në Malësinë e Madhe nuk mund të heshtet më. Prej më shumë se 50 vitesh, banorët e kësaj zone jetojnë pa ujë të pijshëm, pa drita, pa rrugë, pa gjërat më minimale që një komunitet ka të drejtë t’i ketë. Kjo nuk është vetëm neglizhencë – është një padrejtësi që vazhdon brez pas brezi.
Malësia e Madhe nuk ka mjete të mjaftueshme shërbimi: nuk ka zjarrfikëse funksionale, ambulanca janë të pamjaftueshme, nuk ka makina për pastrimin e mbetjeve, dhe shumë shërbime jetike të tjera mungojnë plotësisht. Kur ndodh një emergjencë, njerëzit mbeten të braktisur, në mëshirë të fatit.
Jetoj në Itali prej 13 vitesh dhe e shoh çdo ditë ndryshimin. Atje shërbimet janë të garantuara, sepse shteti respekton qytetarin. Këtu, për të pasur një shërbim që e paguan, duhet të telefonosh drejtorë e miq, të lutesh dhe shpeshherë të përballesh me arrogancë dhe ofendime vetëm pse ngrit zërin.
Kam refuzuar poste në administratë, sepse jam malësor dhe fjala për mua ka peshë. Nuk mund të bëhem pjesë e një sistemi që i lë banorët në mjerim dhe i trajton si të padukshëm. Ky sistem nuk funksionon.
Ne flasim për integrim evropian, por Evropa është dinjitet, shërbim dhe respekt për qytetarin, jo premtime boshe. Me këtë realitet, Malësia e Madhe dhe Shqipëria rrezikojnë të mbeten larg standardeve që ne pretendojmë.
Edi, nuk dua që të thuash se këto nuk janë të vërteta. Këto janë të gjitha të vërteta. Ju ju kisha lutur me shumë respekt: shikojeni vetë Malësinë e Madhe, jo nga ato që ta interpretojnë, por me sy e me zemër. Malësia e Madhe nuk ka ujë, nuk ka drita, nuk ka rrugë – as gjërat më minimale për një jetë normale.
Me zemër po ju them: nuk kërkojmë lëmoshë, por të drejta. Të drejta për ujë, drita, rrugë dhe shërbime bazë njerëzore, ashtu si çdo qytetar tjetër i këtij vendi.
Me respekt dhe me besim në ndërgjegjen tuaj,
Kristjan Mujaj
Malësi e Madhe – Emigrant në Itali
Burimi/Facebook/Revista Fjala


Leave a Reply