Shpirti human dhe zemërgjerësia e shqiptarëve në Danimarkë kanë qenë gjithmonë në nivelin më të lartë, të gatshëm për të ndihmuar këdo dhe në çdo situatë. I tillë ishte edhe reagimi i menjëhershëm pas apelit tonë për ta ndihmuar të pastrehurin Ilir Ahmeti, ku telefonatat dhe mesazhet e bashkatdhetarëve tanë për të ofruar ndihmë nuk kanë pushuar.
Falë pronarit të Alba TuristFart , z. Afrim Ali, i cili gjatë ditës disa herë e kishte kërkuar Ilirin në strehimore, ai arriti ta takojë sonte dhe menjëherë e mori dhe e sistemoi në kamp-shtëpizën e tij të ngrohtë, me të gjitha kushtet optimale për banim. Njëkohësisht, Iliri do të ketë mundësi që gjatë ditës t’i shfrytëzojë të gjitha facilitetet e zyrave të Alba TuristFart.
Nuk do të ketë nevojë për ndihma në të holla apo veshmbathje, pasi Afrimi do të kujdeset për gjithçka. Afrim Ali është nga fshati Nerasht i Tetovës dhe jeton prej vitesh në Kopenhagë, ku drejton biznese të suksesshme.
Falënderojmë sinqerisht Afrimin, si dhe shumë të tjerë që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për ta ndihmuar Ilirin. Duke qenë se ai është i sëmurë pas një aksidenti të rëndë, ku i është hequr një veshkë, dhe nëse do të vazhdonte të endej rrugëve të Kopenhagës në temperatura nate deri në minus 10 gradë, mbijetesa e tij do të ishte seriozisht e rrezikuar.
Ilirit i dëshirojmë shëndet të plotë dhe gjitha të mirat në vazhdim.
Burimi/Facebook


Leave a Reply