Nga: Paulin Maçaj (Shkodër)
O Shqipni e plagosun e e mbulun me gjak, historia jote nuk asht e shkrue
me fjalë, por me gjakun e pikuem të martirëve e me dhimbjen e patregueshme të të parëve tanë! Tash 700 vjet, kjo tokë nuk ka njohun paqe, se mbi të asht planifikue pa pushim tjetërsimi i gjakut dhe i identitetit arbëror. Sa herë që ky komb ka rranun, nuk ka quen thjesht nji rastësi, por pasojë e nji projekti të zi historik për të na shkallmue shpirtin.
Mos më dëgjoni mua, por gërvishtni pak historinë e gjakut tuaj! Ulni kokën në vetmi, numëroni brezat e paraardhësve tuaj që nga shekulli XIV deri sot, dhe do të shihni se aty nuk ka pasun këngë e gëzim, por vetëm burgje, tortura, vrasje, shpërngulje me forcë dhe dënime të egra perandorake. Pushtuesi osman dogji e shkretoi vatrat tona, masakroi fëmijë e pleq në Krujë, Shkodër e Lezhë, ndaloi mëtimin e gjuhës shqipe me ligj e fetva, dhe me bajonetë e zjarr synoi të zhdukte çdo gjurmë të Ilirisë e Arbërisë.
Por plaga më e madhe e këtij udhëtimi 700-vjeçar nuk erdhi vetëm nga i huaji. Erdhi nga ajo pjesë e pabesë që hoqi dorë nga gjaku i vet, u dorëzue para torturave e privilegjeve, bëni ujdi me pushtuesin dhe i tha “vëlla” atij që i preu e i tjetërsoi prindërit. Kjo klasë e shitur u bë ura ku kaluen të gjitha të këqijat e mëvonshme. Të njëjtit pasardhës që i shërbyen perandorisë së huaj, me të njëjtën mendësi e egërsi mbollën e mbajtën për 45 vjet diktaturën më monstruoze komuniste, duke burgosun, pushkatue e internue elitën më të mirë të kombit, vetëm e vetëm për të fshi e falsifikue të vërtetën historike.
Kjo asht arsyeja pse sot ndodhemi në këtë gjendje ku çdo gjë po shkon e më keq: se antivlerat sundojnë, se ata që nuk kanë asgjë shqiptare në ndërgjegje pretendojnë të na udhëheqin e të na tregojnë të ardhmen. Lufta jonë dështon sa herë që luhet nga të njëjtat antivlera që pretendojnë se luftojnë vetveten.
Nuk mund ta bindim brezin e ri se arsimi asht çelësi i suksesit për sa kohë që jemi të rrethuar nga të diplomuar të varfër dhe hajdutë të pasur! Por drita e vërtetë e këtij dheut nuk ka për t’u shuar kurrë, për sa kohë që në këtë tokë do të ketë zemra e shpirtra që refuzojnë të dorëzohen, refuzojnë të shiten dhe e mbrojnë dinjitetin e gjakut arbëror me çdo çmim!
Burimi/Facebook


Leave a Reply