Bora dhe akulli në krahët e aeroplanëve ndikojnë në aerodinamikë dhe rrjedhimisht në ngritjen e tyre në ajër. Për këtë arsye, aktualisht në Aeroportin e Cyrihut janë në veprim ekipet e posaçme të shkrirjes së akullit (Deicing-Teams).
Sipas një zëdhënëseje të Swissport, më së shpeshti preken aeroplanët që kanë qëndruar jashtë gjatë natës. Prandaj, në orët e hershme të mëngjesit ka shumë ndërhyrje për shkrirje akulli si edhe në mbrëmje vonë, kur temperaturat bien sërish, transmeton besainfo.ch.
•Tre deri në katër minuta për aeroplan
“Ka ditë kur në Aeroportin e Cyrihut kryhen mbi 100 procesesh shkrirjeje akulli”, tha ajo. Që nga tetori, Swissport ka kryer tashmë rreth 1700 shkrirje. Nëse masa është e nevojshme, e vendos gjithmonë pilotja ose piloti i aeroplanit.
Në varësi të tipit të aeroplanit dhe kushteve të motit, procesi zgjat zakonisht tre deri në katër minuta. Në ngrica më të forta, kur aeroplani duhet të pastrohet edhe nga bora, procedura mund të zgjasë 20 deri në 30 minuta. “Vonesat nuk mund të përjashtohen”, tha një zëdhënës i aeroportit për Keystone-SDA.
Për shkak të motit dimëror, në raste të veçanta disa fluturime mund të marrin leje për të nisur ose ulur edhe gjatë orarit të ndalimit të natës. “Bëhet fjalë për vetëm disa fluturime në javë”, shtoi ai.
•“Aktualisht operimi është stabil”
Sipas aeroportit, Cyrihu është përgjithësisht mirë i përgatitur për temperaturat e ulëta të vazhdueshme. “Operacioni aktualisht po zhvillohet në mënyrë stabile.” Nëse kjo situatë do të vazhdojë, varet nga moti në ditët në vijim.
Në rast të reshjeve të dendura të borës dhe pastrimit të pistave e hapësirave të aeroportit, vonesat do të jenë të pashmangshme.
Burimi/Facebook/Besainfo.ch


Leave a Reply