Ne kërkuam që nga pushteti lokal apo edhe qëndror minimumin për këtë vit të rikonstruktohen tre banesa 1. Ku u krijua shoqëria “Bashkimi”, 2. Vila e Dan Hasanit dhe 3. banesa e Sokolëve. Shkodra ka shumë nevojë jo për një por për shumë vepra monumentale historike ndërtimore që po ti përmendim janë kaq shumë sa e dimë që të gjitha nuk do restaurohen.Shkodra ka patur kaq shumë personalitete, ngjarje, evente kulturore, sportive, teatrale, të muzikës etj sa po ti vihet kujdesi i duhur për ringjalljen e tyre do na duheshin disa vite. A e dini se askush nuk e përmend gjestin e lartë , heroik të Tre Herojve të Shkodrës, që luftuan deri në vdekje dhe nuk ju dorëzuan fashizmit? A nuk e meritojnë edhe ato një monument? A nuk u prish Shtëpia Muze e Tre Heronjve Perlat Rexhepi, Jordan Misja dhe Branko Kadija? Luften e tyre heroike e kanë respektue dhe vlerësue të majtë dhe të djathtë sepse ato ishin djem të rinj antifashistë që jeten nuk e falen për hobi por për një qëllim të lartë antifashist, si gjithë antifashistët e botës. Por edhe ajo shtepi sot nuk ekziston.
Por sot do tu tregojmë jo vetëm opinionit por veçanarisht pushtetarëve pse po kërkojmë rikonstruksionin e baneses se Sokolëve. Përveç se kjo përfaqëson një banesë popullore me shumë pjesë karakteristike ndërtimore të kohës, por ajo ka një oxhak shumë tipik që nuk e ka asnjë banesë tjetër. Përsa i përket kontributeve kjo familje është ndër më të shquarat jo vetëm të qytetit tonë por të kombit tonë.
Ju lutemi atyre që kanë në dorë restaurimin e kësaj banese dhe kthimin në Muzeum të lexojnë kontributet dhe lavdinë e kësaj familjeje dhe të konkludojnë a duhet ta marrin këtë vendim për rikonstruksionin e saj apo ta lajnë të shkatërrohet plotësisht.
Dom Ndre Zadeja, klerik katolik, dramaturg, poet, publicist në fjalen e fundit para pushkatimit është shprehur: “O Zot çfarë duhet të bëj më shumë per të qënë shqiptar”.
Kur të lexoni biografinë e kësaj familje, a kam të drejtë që edhe unë të them: “Çfarë duhet të bëjë ma shumë një familje shqiptare për atdheun dhe kombin?
SOKOLI (DERVISHEJT) (Fisi)
Familje dhe fis shkodran me tradita historike. Pasardhësit e fundit të kësaj familjeje e kanë ndërruar llagapin nga Dervishejt në “Sokoli”. Kjo familje është shqiptare, e ardhur nga Mali Sumë i Dukagjinit dhe e vendosur në lagjen Durgut që në kohen e vezirëve Bushatlinj. Kjo familje ndeshet edhe në memuaret e kronikanit turk, Evla Çelebi, i cili e ka përshkruar atë si një familje pronare e madhe tokash. Asokohe, ajo familje njihej me mbiemrin Dervishaj, ku pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin të shkolluar nëpër kolegjet e universitetet më të dëgjuara të kohës. Sipas kronikanit të famshëm turk, në periudhën e sundimit të Bushatllinjve, ajo familje bëri krushqi me ta. Kështu, Veziri i parafundit i Bushatllinjve, Mustafa Pasha, mori për nuse për vëllanë e tij, një vajzë nga dera e Dervishajve. Nga kjo martesë lindën dy djem, që ishin nipat e Dervishajve, dhe pas vdekjes së të atit të tyre, ajo familje u shua fare prej Vezirit të fundit, si rezultat i kontradiktave të thella e armiqësive të brendshme familjare. Shtëpia e tyre, si një pallat që zinte një sipërfaqe të madhe në lagjen Durgut u gjuajt me top, u dogj dhe familjarët u shpërndanë. Dy djemtë e kësaj familje të cilët quheshin; Mahmut e Dervish, u rritën në pallatin e Sulltanit në Stamboll. Mahmuti kishte dy djem; Hodon dhe Ibrahimin, kurse Dervishi kishte një djalë që quhej Duro. Djali i Dervishit, Hafiz Duro Begu, personalitet me kulturë fetare dhe i specializuar në jurisprudencë islamike, me mësime të marrura në Stamboll, për disa vite ishte kadi i vilajetit të Shkodrës që në v. 1908. Djali i madh i tij, Fadil Dervishi, ishte kapiten aviacioni osman, një ndër pilotët më të zotë të Turqisë, vdekur aksidentalisht në një prove ajrore. Familjarët e Hafiz Duro Begut nuk e ndryshuan llagapin Dervishi.
Hodo Beg Sokoli(1841-1883) ishte veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që dha kontribut të veçantë në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, si një nga udhëheqësit ushtarakë të Lidhjes dhe Kryetar i Shtabit Ushtarak të Degës së Lidhjes për Shkodrën. Kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit. Një farë kohe shërbeu në detyrën e qark-komandantit të këtij qyteti, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Në kohën e krizës së thellë lindore, Hodua erdhi përsëri në Shqipëri, i caktuar në komisionin e mbikëqyrjes së kufijve. Në v. 1877 komandon forcat vullnetare të Shkodrës në Luften e Podgoricës, kundër malazezëve. Në v. 1880 doli hapur kundër vendimit të Kongresit të Berlinit dhe urdhërit të Portës së Lartë për t’i dorëzuar Malit të Zi krahinat shqiptare të Hotit dhe të Grudës; në mënyrë demonstrative në një miting popullor në sheshin qëndror të qytetit hoqi dhe hodhi poshtë gradat dhe uniformën osmane dhe shpalli bashkimin me Lidhjen. Shembullin e tij e ndoqen edhe rreth 150 oficerë të tjerë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane. Në prill-korrik 1880 grumbulloi dhe organizoi forcat vullnetare të Lidhjes në Vilajetin e Shkodrës, u caktua komandant i shtabit ushtarak të forcave të Lidhjes në Shkodër. Mjafton të kujtojmë fjalin e tij në Asamblenë e madhe, të mbajtur më 17 prill 1880 në Shkodër, ku shpall shkëputjen nga pushteti turk ku në mes të tjerave ai thot :”
“As unë nuk e due! Unë, Hodo Beu, i cili për pesëdhjetë vjet u kam shërbyer sulltanëve me besnikëri; por sot duke e njohur vullnetin e sulltanit, unë shkëputem nga ai dhe nuk njoh as padishah e as Stamboll”
Dhe do të vazhdoj:
“Ne nuk kemi më asgjë të përbashkët me padishahun dhe me këta efendij të Stambollit, kështu që le t’i tregojmë vendit atë që ne jemi me të vërtetë. Bajraktar i fisit Hoti, bëj detyrën tënde.”
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, H.S. së bashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë u arrestuan nga marshalli Dervish Pasha dhe u internua në Anadoll nga nuk u kthye më në Shqipëri.
Ibrahim Begu (Sokoli) (1851-1941) kishte krye “Mejtepin Ruzhdie”. Turqit e graduan formalisht kolonel nga grada kapiten i spahijejve. Në v. 1894 ishte kryetari Xhibalit (sergjede) të maleve të Mbishkodrës. Ai më vonë internohet nga turqit. Në v. 1916 internohet nga austriakët dhe kur lirohet vdes në Shkodër në moshën 90 vjeç. Djali i Ibrahim Beg Sokolit, Jusuf Sokoli u shkollua në Shkodër e Stamboll, pa arritur të diplomohet. Ai do të zbohej nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, prej turqve në fillimet e para të këtij shekulli. Pas largimit nga Shkodra, ai u vendos në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Në vitin 1913 Jusufi u martua me një vajzë nga familja e njohur e Jukejve në Shkodër. Nga kjo martesë atyre u lindën 9 fëmijë; tre djem e gjashtë vajza.Tre djemtë ishin Ibrahimi, Ramadani dhe Hodoja. Në periudhën e pushtimit italian, për bindjet dhe aktivitetin e tij antifashist, Jusuf Sokoli u internua dy herë në gadishullin Apenin. Pas mbarimit të luftës, Jusufi u arrestua përsëri nga regjimi komunist dhe u burgos për dy vjet me radhë në 1946-’48 në qytetin e Shkodrës. Njëri nga djemtë e Jusufit, Ibrahimi, i cili pasi mbaroi me rezultate të larta studimet e larta për jurisprudencë në Beograd, punoi si gjykatës, apo më saktë, si interpretues i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ibrahimi ka qenë një nga intelektualëve e rinj të shquar të qytetit të Shkodrës dhe në periudhën e pushtimit fashist ka aderuar në Lëvizjen e Legalitetit. Ai pati një fat tejet tragjik, pasi atij i kaloi pothuajse e gjithë jeta në burgje e internime, duke bërë plot 27 vjet burg, së bashku me gruan e tij, Shano Hasan Dostin, dhe kjo e burgosur për arsye politike. Një nga vajzat e kësaj familjeje, Safet Sokoli ka qenë një këngtare soprano lirike, e vlerësuar për vokalin e saj të fuqishëm me tingëllim kontabel. Këndoi e para këngën e kompozuar nga i vëllai, Ramadan Sokoli. “Turtulleshë”. Mori pjesë në themelimin e Korit të Shtetit në Tiranë ku qëndroi tre vite, por lufta e klasave nuk e lejoi të vazhdonte karierën e saj artistike.
Një nga lavditë e kësaj familjeje ishte Ramadan Sokoli (1920-2008) Studiues i etnomuzikologjisë dhe i etno-organologjisë, kompozitor, profesor. R.S ka botuar një varg veprash nga fusha e etnomuzikologjisë dhe muzikologjisë, si: “Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, 1958 (“Vallet popullore dhe instrumentet muzikore të popullit shqiptar”); “Albanskie narodnie pesni”, 1965, “Chansons populaires albanaises, 1966, (“Këngët popullore shqiptare”); “Figura të ndritura Jan Kukuzeli dhe Andrea Aleksi”, 1965, “Metodë për fyell”, (1970); “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, (1971) ; “Folklori muzikor shqiptar” (Organografia)”, 1975 (ribotuar 1984, 1987, 1991); “Figura e Skënderbeut në muzikë”, (1978); “Gjurmime folklorike”, (1982); “Këngë patriotike”, (1985), “Veglat muzikore të popullit shqiptar”(bashkautor), (1991). R.S. ka gjurmuar figurat e artit dhe kulturës në shekuj dhe ka botuar librat “16 shekuj” (1995), “Gjergj Tanush Lapacaja” (2000), “Gojëdhanat e botës shqiptare” (2000). Disa nga titujt e veprave të Sokolit janë përfshirë dhe në enciklopeditë e huaja, si dhe në katalogët bibliografikë të UNESCO-s. Një jehonë të madhe kanë pasur veprat e tij sidomos tek arbëreshët e Italisë dhe në Kosovë, R.S ka kompozuar vepra muzikore vokale-instrumentale e simfonike, e sidomos mjaft këngë që janë bërë popullore, si “Turtulleshë”, “Blegëron delja”, “Zanusha”, “Rritu mollëzo” etj. Ka realizuar dhe disa dokumentarë me ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, si ato për Jan Kukuzelin, Niket Dardanin, arbëreshin Lorenc Tardo e muziktarit Gjon Kujxhia.
Kjo familje pësoi persekutimin komunist ku Jusuf Beg Sokoli me tre djemtë e tij u dënuan: Jusufi me dy vjet burg, Ibrahimi 27 vjet burg e internim, Ramadani 5 vjet, Hodoja me 25 vjet burg.
FOTO 1 Banesa e Sokolëve
FOTO 2. Oxhaku në banesen e Sokolëve
FOTO 3 Hodo beg Sokoli.
FOTO 4 dhe FOTO 5 Janë dy korniza me fotot e të parëve të Sokolëve: Ibrahim Sokoli dhe Hodo Sokoli që Bajram Curri iu ka dhuruar atyre dhe familja i mban si relike të çmueshme. (Arkiv i familes) Kornizat në pjesën e sipërme kanë shqiponjën.
FOTO 6 Kutia e duhanit që R.Sokoli ka punuar në burg, me simbolika të ndryshme
FOTO 7Bust artistik i R. Sokolit -punoi Fatos Kola;
FOTO 8. Shkopi që ka përdorur R. Sokoli
FOTO 9 Kabineti i liceut artistik “Jordan Misja” krijuar nga R.Sokoli
FOTO 10 Çmimi botëror i folklorit OSCAR dhënë Ramadan Sokolit
Nga znj. Zenepe Dibra


Burimi/Facebook/GEGNISHT/Rroji M Denata


Leave a Reply