Media shqiptare ka kohë që ka humbur rolin e saj në shërbim të interesit publik. Rasti i promovimit televiziv të znj. Kryemadhit si opinioniste në BB – vip, ndërkohë që ajo është nën hetim nga SPAK është një shembull flagrant i degradimit etik të ekranit.
Kur figura të konsumuara e të akuzuara për korrupsion dhe pastrim parash shndërrohen në personazhe “argëtimi”, media nuk informon më – ajo normalizon abuzimin. Skandali vishet me dritat e spektaklit, ndërsa drejtësia relativizohet. Ky nuk është pluralizëm, është larje imazhi.
Media e kapur nuk pyet për vlera, por për klikime, reklama dhe interesa. Ajo nuk e sfidon pushtetin, por e riciklon atë në formë show. Dhe çmimin e paguan publiku, që mësohet ta shohë korrupsionin si diçka normale, madje të admirueshme.
Ky është turpi më i madh i medias shqiptare sot:
jo që gabon, por që nuk skuqet më.
Media janë bërë më të rrezikshme se vetë politikanët.
Politikanët e kërkojnë pushtetin hapur; media, kur vihen në shërbim të tyre, e ushtrojnë fshehurazi. Dhe kjo i bën edhe më shkatërruese.
Në një shoqëri si e jona, e lodhur nga tranzicioni dhe e mësuar me propagandë, media e kapur nuk informon – ajo formëson mendimin, relativizon të vërtetën dhe e bën abuzimin të duket normal. Politikanët vijnë e ikin; media e deformuar mbetet dhe edukon breza me cinizëm, mosbesim dhe apati.
Kur ekranet shërbejnë për larje imazhi, kur korrupsioni shitet si “show” dhe drejtësia si thashethem, atëherë publiku nuk manipulohet më rastësisht – ai programohet. Kjo është më e rrezikshme se çdo fjalim politik, sepse ndodh çdo ditë, në heshtje, pa kundërshtim.
Një media e kapur nuk është thjesht bashkëpunëtore e pushtetit.
Ajo është arkitekte e një shoqërie të mpirë, që nuk reagon më sepse nuk di më çfarë është e vërteta.
Jorgji SIDHERI
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply