
Debati publik shqiptar në rrjetet sociale po shkon drejt një degradimi serioz. Hapësirat mediatike që duhet të shërbenin për diskutim demokratik, të kulturuar dhe për komente dinjitoze, po dominohen gjithnjë e më shumë nga shpifje pa bazë, sulme ndaj personaliteteve, sharje, gjuhë urrejtjeje, retorikë radikale, gjuhë nënçmuese dhe manipulime masive përmes profileve të rreme. Veçanërisht shqetësuese dhe thellësisht të neveritshme janë debatet që zhvillohen para zgjedhjeve në shtetet shqiptare, ku tensioni politik shndërrohet në linçim publik dhe përçarje shoqërore.
Komentues dhe portale mercenare, shpesh të organizuara dhe të financuara nga qarqe të dyshimta, prodhojnë realitete artificiale duke e paraqitur të bardhën si të zezë dhe të zezën si të bardhë. Qëllimi është i qartë: deformimi i opinionit publik, ngritja artificiale e një lideri apo partie politike, ose diskreditimi sistematik i kundërshtarëve politikë, pa fakte dhe pa përgjegjësi.
Kjo formë linçimi nuk përfaqëson liri të shprehjes, por një keqpërdorim të hapësirës publike që dëmton rëndë debatin demokratik dhe besimin qytetar.
Pikërisht për këtë arsye, mediat shqiptare kanë nevojë urgjente për një Ombudsman, një Avokat të Popullit për median. Një institucion i pavarur që mbron qytetarët, vendos standarde të qarta etike dhe kërkon llogaridhënie kur hapësira publike abuzohet. Pa një mekanizëm të tillë, shpifja, gjuha e urrejtjes dhe manipulimi i orkestruar vazhdojnë të normalizohen, duke e zhvendosur debatin publik nga argumenti racional te linçimi dhe përbuzja.
Një Ombudsman i Medieve do të sillte ndryshime thelbësore në kulturën e komunikimit publik. Ai do t’u ofronte qytetarëve një adresë të besueshme për ankesa, do t’i detyronte mediat dhe portalet të marrin përgjegjësi reale për përmbajtjet dhe komentet që publikojnë, si dhe do të ndihmonte në ekspozimin e profileve të rreme dhe fushatave të orkestruara që shtrembërojnë perceptimin publik.
Kjo nuk është një ide e pa provuar. Në vende si Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, Ombudsmani i Medieve funksionon prej dekadash dhe ka kontribuar ndjeshëm në uljen e shpifjeve, gjuhës së urrejtjes dhe manipulimit mediatik. Jo rastësisht, këto vende gëzojnë edhe nivelin më të lartë të besimit publik ndaj mediave.
Edhe hapësira shqiptare ka nevojë për të njëjtin standard. Jo për të censuruar mendimin ndryshe, por për të ndalur komentet banale, shpifëse, idioteske, irituese, çnjerëzore dhe jo humane që e degradojnë komunikimin publik. Fjala e lirë nuk humb vlerë kur shoqërohet me përgjegjësi; përkundrazi, vetëm atëherë fiton kuptim të vërtetë.
Nëse duam debat të shëndetshëm dhe media të besueshme, duhet të mbrojmë hapësirën ku flasim. Ombudsmani, Avokati i Popullit për Mediat, është hapi i parë drejt rikthimit të dinjitetit, etikës dhe njerëzisë në komunikimin publik shqiptar. Koha ka ardhur që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ta formojnë këtë institucion si domosdoshmëri demokratike.
Nga Adnan Aliti
Burimi/Facebook


Leave a Reply