(Nga koncerti “Mora fjalë” në Rovereto)
E nis këngëtari i madh, bilbili i këngës dibrane e kombëtare, Arif Vladi, me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime” të kompozuar nga Feim Ibrahimi, me tekst të Gjokë Becit.
E ku ka si ti, o Shqipëria ime…
Mjafton ky varg e salla i bashkohet këngëtarit. Cila zemër emigranti nuk rreh kur aty nga skena buçet ky varg? Aty në skenë janë në shumë këngë vargjet e Gjokë Becit. Në sallë është Bedarini, djali i Gjokë Becit, me bashkëshorten e tij, Esmeralda, një zonjë me kulturë, që zotëron 3-4 gjuhë të huaja dhe është profesoreshë në shkollat italiane të zonës. Kanë ka ardhur nga Brescia për të ndjekur koncertin. Aty janë edhe emigrantët shqiptarë në Trentino, që ndezin sallën.
Jemi në sallën e filarmonisë në Rovereto, ku zhvillohet edicioni i tretë i programit “Mora fjalë”, organizuar nga artisti mirditor Aleksandër Kolshi, i cili prej vitesh e ka kthyer skenën e Roveretos në një manifestim të artit të vërtetë e të zgjedhur.
Moderatori i programit, artisti dhe regjisori mirditor Llesh Nikolla, Mjeshtër i Madh, e kap bukur momentin. Dhe me fjalën e tij të mençur e plot art, me komunikimin aq të natyrshëm e të ngrohtë, e lidh në mënyrë magjike skenën me sallën, sa arrin një moment kur nuk e kupton më ku mbaron skena e ku fillon salla. Këndohet në skenë e në sallë, vallëzohet në skenë e në sallë.
Meritë e ndërtuesit të programit, e zgjedhjes së artistëve, disa prej të cilëve vijnë nga Shqipëria, duke sjellë një pjesë të Atdheut. Pjesën tjetër e plotësojnë artistët e diasporës në Itali, që duket sikur thonë: “Jemi edhe ne Atdheu” dhe bashkërisht e plotësojnë në skenë mozaikun e hartës së vendit tonë. Jo vetëm me praninë e tyre fizike, por edhe me repertorin e këngëve e të valleve të tyre. Aty janë Dibra e Mirdita, Tropoja e Shkodra, Pogradeci e Durrësi, Çamëria e Labëria. Dhe zemrat e të gjithëve rrahin bashkë, artistë e spektatorë.
Kisha 50 vite pa e takuar këngëtarin e njohur mirditor, Kolë Zefi. E kisha ndjekur vetëm në televizor shtegëtimin e tij me Ansamblin “Mirdita”, në rrugën e triumfit të këngës mirditore që ka kaluar kufinjtë e shtetit e të kontinentit. Takohemi me mall e duket sikur koha është ndaluar për një moment aty para 50 vjetësh, kur unë isha gjimnazist e ai këndonte në skenën e Rrëshenit. Them është ndalur, se zëri i tij është thuajse ai i atyre viteve. Janë argjenduar flokët, është rritur mjeshtëria artistike e interpretimit, kurse zëri i tij është ende djaloshar, energjitë e tij janë ende rinore. Kur këndojnë pastaj bashkë me Arif Vladin në një çast të improvizuar në qoshe të skenës, një fragment të këngës legjendare “Dasma e Kamber Loshit” e aty janë tok edhe Llesh Nikolla, edhe djali i Gjokë Becit, duket sikur në atë qoshe është mbledhur si një grusht e tërë Mirdita me këngët, artin, gojëdhënat, folklorin e bujarinë e saj.
Pjesët e programit gërshetohen bukur. Këngët e meloditë e Anton Mirditorit e grupit që e shoqëron me instrumente alternohen me këngët labe interpretuar me mjeshtëri nga grupi “Albanian Folk Modena”, apo me vallen çame të grupit të valleve Besëlidhja. Potpuria e melodive me çifteli ia lë vendin flautit magjik të pogradecares Monika Bekolli, që vjen nga Modena. Recitimi mjeshtëror i poezisë epike nga Llesh Nikolla gërshetohet me potpuritë e sjella nga Kosta Bonshi e Gentiana Abazaj. Vallja e bukur e të vegjëlve të shoqatës “Besëlidhja” tërheq për dore e sjell në skenë një artiste të madhe, sopranon Anila Hoxha Gjermeni, me origjinë nga Tropoja, por që jeton në Milano, ku shpalos edhe aftësitë e saj të pambarimta vokale e interpretuese, sa në “La Scala”, aq në skenat e teatrove të tjerë të kryeqendrës së Lombardisë e të qyteteve të tjera të Italisë, apo në Gjermani, Zvicër e të tjera. Ajo elektrizon sallën me një potpuri këngësh të bukura popullore, për të shpërthyer me elegancën aristokratike që ka vetë valsi në interpretimin e këngës “Valsi i lumturisë”.
E ndiqja programin bashkë me miqtë e mi, Ndue Shabaku me Marianën, Xhemal Hyzoti e Gentian Shero me bashkëshorten Eglantina e më tej e palodhura në valle Nereida Xhakolli, apo Erio Korani me bashkëshorten Oli. Kaluam një mbrëmje të bukur, ku zemrat rrihnin bashkë e kënga merrte flatra e fluturonte tej, deri atje ku e ka origjinën.
Ndue Lazri
(Fotot: Leo Hodaj)














Burimi/Facebook


Leave a Reply